Temperaturat e larta të verës mund të ndikojnë seriozisht në shëndetin e njeriut dhe të përkeqësojnë një sërë sëmundjesh kronike, paralajmërojnë ekspertët shëndetësorë. Nxehtësia e tepërt aktivizon mekanizmat e stresit në organizëm, rrit rrezikun e dehidrimit, prish gjumin dhe ndikon negativisht në gjendjen psikologjike.
Në disa raste, ajo mund të çojë edhe në përkeqësim të sëmundjeve ekzistuese, sidomos te personat e ndjeshëm. Sipas specialistëve, ndër sëmundjet që preken më së shumti nga temperaturat e larta janë sëmundjet e zemrës, diabeti, skleroza multiple, astma dhe sëmundjet kronike të mushkërive (BPOK), lupusi, problemet me veshkat, artriti, ankthi dhe depresioni, si dhe migrena.
Mjekët theksojnë se pacientët me sëmundje kardiovaskulare janë veçanërisht të rrezikuar, pasi zemra detyrohet të punojë më shumë për të rregulluar temperaturën e trupit, gjë që mund të rrisë rrezikun për komplikime serioze si infarkti apo goditja në tru.
Po ashtu, te personat me diabet, vapa mund të shkaktojë luhatje të sheqerit në gjak për shkak të dehidrimit dhe ndryshimeve në përthithjen e insulinës. Ndërkohë, pacientët me probleme respiratore mund të përjetojnë vështirësi më të mëdha në frymëmarrje për shkak të ajrit të nxehtë dhe të lagësht.
Ekspertët rekomandojnë kujdes të shtuar gjatë ditëve me temperatura të larta, konsum të mjaftueshëm të ujit, shmangie të ekspozimit në diell gjatë orëve më të nxehta dhe ndjekje të këshillave mjekësore për personat me sëmundje kronike. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
