Protestuesit marshuan nga Kryeministria drejt Komisariatit nr.3 në zonën e Mine Pezës, ku po mbahen disa nga të shoqëruarit në lidhje me përplasjet e dhunshme, që ndodhën paraditen e sotme para Kuvendit. Në hyrje të Komisariatit nr.3 ata kanë brohoritur në kor “Lironi çunat”, duke bërë thirrje për lirimin e të shoqëruarve.
Protesta para Parlamentit u shoqërua me përplasje të shumta dhe të ashpra mes policisë dhe protestuesve, duke sjellë shoqërime, si dhe të lënduar mes efektivëve të policisë dhe qytetarëve që protestuan. Ndërkaq pasdite protesta vijoi si zakonisht e qetë, ndërsa sot tubimi shënoi ditën e 33-të.
