Kosova pritet të përballet me ndryshime të thella demografike gjatë dekadave të ardhshme pasi parashikimet e raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se deri në vitin 2060 popullsia e vendit mund të zvogëlohet me rreth 37%, duke rënë nga rreth 1.6 milion banorë në afërsisht 1.01 milion.
Rënia e lindshmërisë, emigrimi i vazhdueshëm dhe plakja e popullsisë pritet të ndryshojnë ndjeshëm strukturën demografike të vendit, me pasoja të drejtpërdrejta në tregun e punës, arsim, shëndetësi, sistemin pensional dhe shërbimet sociale.
Raporti thekson se “Popullsia e Kosovës pritet të zvogëlohet ndjeshëm deri në vitin 2060”, ndërsa sipas variantit të mesëm, rënia e popullsisë pasqyron humbjet e pritshme nga migrimi dhe, në pjesën e dytë të periudhës së parashikimit, edhe kalimin drejt humbjeve të popullsisë si rezultat i bilancit negativ natyror.
Po ashtu, dokumenti vlerëson se të tri variantet tregojnë një popullsi më të vogël, megjithëse shkalla e rënies ndryshon. Sipas raportit, deri në vitin 2060 popullsia e parashikuar varion nga rreth 770 mijë banorë në variantin e ulët deri në rreth 1.28 milion në variantin e lartë, ndërsa varianti i mesëm parashikon rreth 1.01 milion banorë.
“ Deri në vitin 2060, popullsia e parashikuar varion nga rreth 0.77 milion në variantin e ulët deri në rreth 1.28 milion në variantin e lartë, ndërsa varianti i mesëm parashikon rreth 1.01 milion banorë. Prandaj, variantet dallojnë kryesisht në ritmin dhe madhësinë e rënies, e jo në drejtimin e përgjithshëm të ndryshimit.“ – thuhet në raport.
Raporti parashikon gjithashtu se fertiliteti pritet të mbetet nën nivelin e zëvendësimit dhe të vazhdojë të bjerë. Sipas ASK-së, norma totale e fertilitetit pritet të ulet nga 1.92 lindje për grua në vitin 2024 në rreth 1.3 deri në vitin 2060, ndërsa numri vjetor i lindjeve pritet të bjerë nga rreth 21 mijë në vitin 2024 në më pak se 7 mijë.
Në të njëjtën kohë shtimi natyror pritet të dobësohet dhe më vonë të bëhet negativ. ASK tregon se numri i vdekjeve pritet të rritet afërsisht 15 mijë në vitin 2060, duke bërë që shtimi natyror të shndërrohet në pakësim natyror në gjysmën e dytë të periudhës së parashikimit.
“Numri vjetor i vdekjeve pritet të rritet nga rreth 10.1 mijë në vitin 2024 në afërsisht 15 mijë në vitin 2060, pasi gjeneratat më të mëdha do të hyjnë në moshat e shtyra. Me rënien e lindjeve dhe rritjen e vdekjeve, shtimi natyror do të zvogëlohet dhe pritet të shndërrohet në pakësim natyror në gjysmën e dytë të periudhës së parashikimit“ – bën të ditur raporti.
Një tjetër faktor me ndikim të madh mbetet migrimi. Raporti nënvizon se migrimi mbetet një faktor kyç i ndryshimit të popullsisë, duke theksuar se Kosova pritet të vazhdojë të regjistrojë humbje neto nga migrimi.
“…humbja neto vjetore nga migrimi pritet të ulet nga rreth 21 mijë persona në vitin 2024 në më pak se 11 mijë në vitin 2060, pjesërisht për shkak se popullsia e ekspozuar ndaj emigrimit do të bëhet më e vogël dhe më e moshuar. Supozimet lidhur me migrimin mbeten një burim i rëndësishëm pasigurie dhe duhet të interpretohen me kujdes të veçantë” – tregon raporti.
Projeksionet e ASK-së tregojnë gjithashtu se numri i fëmijëve dhe të rinjve do të bjerë ndjeshëm. Sipas variantit të mesëm, popullsia nën moshën 15-vjeç pritet të bjerë nga rreth 353 mijë në vitin bazë 2024 në më pak se 120 mijë deri në vitin 2060.
Kjo rënie do të ketë ndikime të drejtpërdrejta në planifikimin e arsimit parashkollor, fillor dhe të mesëm, si dhe në shërbimet e dedikuara për fëmijët, adoleshentët dhe familjet. Njëkohësisht, sipas raportit, popullsia në moshë pune do të tkurret dukshëm. Sipas projeksioneve të ASK-së, numri i personave të moshës 15 deri 64-vjeç do të bjerë nga rreth 1.08 milion në rreth 580 mijë.
“Popullsia e moshës 15–64 vjeç pritet të bjerë nga rreth 1.08 milion në vitin bazë 2024 në rreth 580 mijë deri në vitin 2060. Kjo tkurrje do të ngushtojë ofertën e fuqisë punëtore vendore dhe do të dobësojë bazën demografike që mbështet sistemet pensionale, sigurimet shëndetësore dhe sistemet e tjera të mbrojtjes sociale.“- bën të ditur raporti.
Në anën tjetër raporti thekson se popullsia e moshuar do të rritet, ndërsa grupi më i moshuar do të rritet më shpejt. Numri i personave 65-vjeç e më shumë pritet të rritet nga rreth 175 mijë sa ishte në vitin 2024 në mbi 310 mijë, ndërsa grupmosha 85-vjeç e më shumë pritet të rritet më shumë se pesëfish, nga rreth 9.4 mijë në afërsisht 57 mijë.
Po ashtu, ASK thekson se plakja e popullsisë do të bëhet një nga trendet kryesore demografike të Kosovës. Mosha mesatare e popullsisë pritet të jetë rreth 49-vjeç deri në vitin 2060, ndërsa personat mbi 65-vjeç pritet të përbëjnë rreth 31 për qind të popullsisë. “Mosha mesatare e popullsisë pritet të rritet nga 35.3 vjet në vitin 2024 në rreth 49 vjet në vitin 2060.
Deri në vitin 2060, personat e moshës 65 vjeç e më shumë pritet të përbëjnë rreth 31 për qind të popullsisë, ndërsa fëmijët nën moshën 15 vjeç rreth 12 për qind të saj. “ – thekson raporti.
Në përfundim, raporti vlerëson se një popullsi më e vogël dhe më e moshuar do të kërkojë përshtatje graduale në sistemet kryesore të planifikimit, duke theksuar nevojën për harmonizimin e politikave në arsim, tregun e punës, shëndetësi, strehim, kujdes social dhe sistemin pensional.
“Rezultatet e parashikimit tregojnë nevojën për harmonizimin e planifikimit në fushat e arsimit, tregut të punës, strehimit, kujdesit shëndetësor, kujdesit social, kujdesit afatgjatë dhe sistemit pensional me ndryshimet e pritshme në madhësinë dhe strukturën moshore të popullsisë së Kosovës.
Presionet kryesore demografike do të vijnë nga zvogëlimi i numrit të fëmijëve dhe të rinjve, tkurrja e popullsisë në moshë pune dhe rritja e konsiderueshme e popullsisë së moshuar, veçanërisht e grupmoshave më të shtyra”. Raportin e plotë “Parashikimi i Popullsisë së Kosovës 2025-2060” të Agjencisë së Statistikave të Kosovës [ASK] e gjeni KËTU .
