Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka suspenduar dy zyrtarë tatimorë, pasi ndaj tyre është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore në Gjakovë për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”.
Në një njoftim për media, ATK bëri të ditur se vendimi për suspendimin e përkohshëm është marrë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe ka hyrë menjëherë në fuqi.
“Sipas dispozitave ligjore që rregullojnë marrëdhënien e punës dhe statusin e zyrtarëve tatimorë, ATK ka marrë vendim për suspendimin e përkohshëm nga detyra të këtyre dy zyrtarëve, me efekt të menjëhershëm, deri në përfundimin e procedurës gjyqësore dhe marrjen e një vendimi përfundimtar” – thuhet në njoftimin e ATK-së, më .
Administrata Tatimore theksoi se “nuk toleron asnjë formë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo veprime që cenojnë integritetin institucional”.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore e Gjakovës, ndër të tjera ceket se të pandehurit, në cilësi të personave zyrtar – Inspektor të ATK-së, në dy raste të ndryshme gjatë vitit 2022 në Gjakovë, në bashkëveprim kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë biznesesh, me qëllim që të mos veprojnë në përputhje me detyrat e tyre zyrtare.
Në të dy rastet, siç thuhet në aktakuzë, të pandehurit në bashkëveprim kanë kërkuar dhe pranuar shumën prej 300 eurosh, për secilin rast. Me këto veprime, të pandehurit D.N. dhe E.Q., në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
