ZKA: Njësia e Trepçës në Leposaviq funksionon jashtë strukturës

0%

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se njësia e ndërmarrjes Trepça në Flotacionin Kopaonik – Leposaviq, funksionon jashtë strukturës organizative dhe ligjore të ndërmarrjes. Në Raportin e Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Trepçës për vitin 2025, thuhet se njësia në Leposaviq përdor dy numra unik të identifikimit në aktivitete të ndryshme.

Sipas ZKA-së, numri unik i Trepçës si shoqëri aksionare, i përdorur për licencim dhe obligime tatimore, si dhe Numri unik identifikues i subjektit “Trepça – Ndërmarrje në Administrim të AKP-së”, është juridikisht i shuar sipas Ligjit për Trepçën, por ende figuron në përdorim për disa aktivitete operative, përfshirë prokurimin dhe shitjet.

“Megjithatë në pjesën e fundit të vitit 2025 janë ndërmarrë hapa drejt unifikimit të kontratave të eksportit dhe prokurimit në emër të Trepça Sh.A., përdorimi i dy identiteteve vazhdon të jetë i pranishëm në disa procese” – thuhet në gjetjen e Raportit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

ZKA po ashtu ka gjetur se rregulloret e brendshme të kësaj njësie, nuk janë të miratuara nga Bordi Mbikëqyrës, ndërsa mekanzimat e raportimit dhe kontrollit mbi stafin, vijueshmërisë në punë, raportet ditore të prodhimit, si dhe analizat teknike të proceseve të flotimit dhe xehes, “nuk janë të standardizuara dhe të integruara në mënyrë të rregullt në sistemin raportues të Trepçës”.

“Shkaku i kësaj gjendjeje lidhet me moszbatimin e kërkesave ligjore që burojnë nga Ligji për Trepçën dhe Ligji për Ndërmarrjet Publike, mungesën e mbikëqyrjes efektive nga ana e Bordit Mbikëqyrës dhe mungesën e llogaridhënies nga ana e Njësisë Kopaonik Leposaviq, si dhe me vazhdimësinë e praktikave të trashëguara nga strukturat e mëhershme (si AKP-ja) që nuk janë adresuar në kohë, kanë ndikuar që njësia të veprojë jashtë kontrollit të ligjshëm të ndërmarrjes” – thuhet në Raportin e ZKA-së.

Zyra Kombëtare e Audimit ka thënë se funksionimi i kësaj njësie jashtë strukturës organizative dhe ligjore të Trepçës, përbën mospërputhje me dispozitat ligjore në fuqi dhe rrezikon deformimin e pasqyrës reale financiare të ndërmarrjes, mungesën e tranparencës, keqmenaxhimin e fondeve dhe burimeve publike, si dhe krijimin e rrethanave që cënojnë integritetin e ndërmarrjes.

ZKA i ka rekomanduar Bordit Mbikëqyrës që të ndërmarrë veprimet e nevojshme për ndërprerjen e përdorimit të numrit unik të identifikimit, që nuk është në përputhje me dispozitat ligjore dhe harmonizimin e të gjithë veprimtarisë me identitetin juridik të ndëmarrjes.

“Po ashtu, Bordi Mbikëqyrës duhet të sigurojë integrimin e njësisë “Miniera me Flotacion Kopaonik – Leposaviq” në sistemin e kontabilitetit, prokurimit, kontrollit financiar dhe auditimit të Trepça sh.a., llogaritë bankare të jenë brenda sistemit unik financiar të Trepça sh.a, si dhe zbatimin e rregulloreve të brendshme dhe raportimin e rregullt dhe funksional të njësisë ndaj Bordit” – thuhet në rekomandimin drejtuar Bordit.

Menaxhmenti i ndërmarrjes Trepça është pajtuar me këtë të gjetur të ZKA-së, por në hapësirën e komenteve ka thënë se janë eliminuar vërejtjet në lidhje me këtë të gjetur.

“Është vendosur dhe harmonizuar sistemi i raportimit financiar, si dhe sistemi i informimit lidhur me raportin e prodhimit, i cili përfshin edhe nxjerrjen e xehes dhe procesin e flotacionit, përkatësisht procesin e prodhimit.

Aktivitetet e prokurimit dhe shitjes zhvillohen në personin juridik Trepça Sh.A – Minierat me Flotacion Kopaonik – Leposaviq, që mund të shihet edhe në portalin e prokurimit publik” – thuhet në komentin e menaxhmentit në lidhje me këtë gjetje.

Por në përgjigjen ndaj komentit, ZKA ka thënë se në çështjen e përshkruar në raport, është potencuar se ka filluar implementimi i disa pikave nga rekomandimi i vitit paraprak, por që sipas tyre, mbeten edhe disa pika që duhet të implementohen në periudhën vijuese. Përndryshe, ZKA ka dhënë opinion të kundërt në Raportin e Auditimit për ndërmarrjen Trepça, për vitin 2025.

Opinion i kundërt nënkupton kur arrihet në përfundim se pasqyrat financiare të kompanisë nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të saktë të gjendjes financiare. Raportin e plotë për ndërmarrjen Trepça për vitin 2025 mund ta gjeni KËTU .

Burimi: Kallxo
REKLAMË

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për brendin tuaj.

Reklamo Këtu