Temperaturat e larta dhe rreziku i shtuar nga zjarret kanë vënë në gatishmëri institucionet përgjegjëse. Në një konferencë të përbashkët, Agjencia e Menaxhimit Emergjent, Policia e Kosovës, Agjencia Pyjore dhe Instituti Hidrometeorologjik prezantuan masat për parandalimin dhe menaxhimin e situatave emergjente.
Sipas autoriteteve, gjatë sezonit të kaluar veror në Kosovë janë regjistruar mbi 11 mijë vatra zjarri, ku shumica dyshohet se janë shkaktuar nga faktori njerëzor. Koordinimi institucional në përballimin e temperaturave të larta dhe parandalimin e zjarreve mblodhi në një konferencë për media drejtues të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Pyjeve.
Aty u tha se temperaturat e larta, thatësia dhe faktori njerëzor rrisin rrezikun e zjarreve, duke kërkuar gatishmëri dhe reagim të shpejtë.
“Në funksion të parandalimit dhe forcimit të kontrollit institucional, Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka ndërmarrë masa shtesë operacionale dhe ka intensifikuar inspektimet e vazhdueshme në terren nga inspektorët e saj, të cilët veprojnë në koordinim të ngushtë me institucionet relevante, me qëllim të identifikimit të hershëm të rreziqeve dhe parandalimit të incidenteve”, tha Shefki Abdullahu, u.d. i drejtorit ekzekutiv të AME-së.
Gazmend Hoxha, drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kërkoi nga qytetarët që të kenë kujdes gjatë sezonit veror, për shkak të temperaturave të larta. “Jam ftuar nga drejtori i Menaxhimit të Emergjencave që, së bashku, ta mbajmë këtë konferencë për shtyp dhe t’u bashkëngjitemi aktiviteteve me qëllim që t’u bëjmë apel qytetarëve të kenë kujdes nga temperaturat e larta”, tha ai.
Tahir Ahmeti, drejtor i Departamentit të Pylltarisë, tha se “vitin e kaluar, sipërfaqja pyjore e përfshirë nga zjarret ka qenë 2.280 hektarë. Prej kësaj, 1.370 hektarë kanë qenë pyje dhe toka pyjore shtetërore, ndërsa 883 hektarë pyje dhe toka pyjore në pronësi private”.
Qytetarëve iu kërkua të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura, të respektojnë rekomandimet e institucioneve dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër zjarri. Institucionet njoftuan se monitorimi dhe koordinimi do të vazhdojnë gjatë gjithë sezonit veror.
