Në historinë moderne të popullit shqiptar të Kosovës ekzistojnë disa data që përfaqësojnë jo vetëm kthesa politike, por edhe momente themeluese të legjitimitetit kushtetues dhe të subjektivitetit shtetëror të Kosovës.
Ndër to, 2 Korriku 1990 zë një vend krejtësisht të veçantë, sepse shënon lindjen juridike të shtetësisë moderne të Kosovës përmes një akti kushtetues të miratuar nga përfaqësuesit legjitimë të popullit. Deklarata Kushtetuese nuk ishte një akt spontan dhe as një deklarim simbolik politik.
Ajo ishte produkt i një procesi të gjatë të rezistencës demokratike ndaj shkatërrimit të autonomisë kushtetuese të Kosovës, të ndërmarrë nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit pas ndryshimeve të dhunshme kushtetuese të vitit 1989.
Pikërisht në këtë kontekst, më , delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës morën përgjegjësinë historike për ta rikthyer sovranitetin politik dhe juridik te qytetarët e Kosovës. Nga këndvështrimi i së drejtës kushtetuese, Deklarata Kushtetuese paraqet aktin themelor të rivendosjes së kontinuitetit juridik të Kosovës.
Ajo shënoi kalimin nga autonomia e kufizuar drejt konceptit të republikës politike dhe juridike, duke krijuar bazën për ndërtimin e institucioneve të pavarura dhe për hartimin e Kushtetutës së Kaçanikut më .
Në planin politik, Deklarata ishte përgjigjja më dinjitoze ndaj një regjimi autoritar që kishte pezulluar rendin kushtetues, kishte shpërndarë institucionet demokratike dhe kishte vendosur administrim policor mbi Kosovën. Përballë dhunës shtetërore, delegatët shqiptarë nuk iu përgjigjën me dhunë, por me të drejtën, me legjitimitetin demokratik dhe me përgjegjësinë institucionale.
Kam privilegjin dhe përgjegjësinë morale që këtë ngjarje ta kujtoj jo vetëm si studiues, por edhe si pjesëmarrës i drejtpërdrejtë. Në atë kohë shërbeja si punëtor i Kuvendit të Kosovës dhe si Kryetar i Pleqësisë së Bashkësisë Punonjëse të Kuvendit.
Së bashku me kolegun tim Hysen Krasniqi dhe me shumë punonjës të tjerë të administratës parlamentare, u gjendëm pranë delegatëve në një nga ditët më vendimtare të historisë sonë politike. Atmosfera para ndërtesës së Kuvendit ishte dramatike. Delegatët shqiptarë përballeshin me katër unaza të rrethimit policor, të armatosur rëndë. Çdo hyrje ishte bllokuar.
Institucioni më i lartë përfaqësues i Kosovës ishte shndërruar në një objekt të okupuar nga aparati represiv i shtetit serb. Megjithatë, asnjë forcë policore nuk mund ta ndalte vullnetin politik të përfaqësuesve legjitimë të popullit. Përballë dyerve të mbyllura të Kuvendit, delegatët vendosën ta hapnin simbolikisht një derë shumë më të madhe – derën e shtetësisë së Kosovës.
Në ato çaste historia nuk shkruhej brenda sallës së Kuvendit, por para pragut të tij. Pikërisht aty, në kushte të jashtëzakonshme dhe nën kërcënimin e arrestimit, lindi akti juridik që do të bëhej gurthemeli i shtetit të Kosovës. Për opinionin demokratik evropian dhe amerikan, kjo ngjarje mbetet një shembull unik i rezistencës kushtetuese paqësore.
Delegatët shqiptarë nuk kërkuan privilegje etnike, por barazi kushtetuese, demokraci parlamentare dhe respektimin e të drejtës universale të vetëvendosjes, në përputhje me parimet që sot përbëjnë themelet e rendit euro-atlantik. Prandaj, 2 Korriku 1990 nuk duhet të trajtohet vetëm si një datë historike.
Ai duhet të kuptohet si momenti themelues i filozofisë politike të shtetit të Kosovës: shtet i ndërtuar mbi legjitimitetin demokratik, mbi sundimin e ligjit, mbi respektimin e të drejtave të njeriut dhe mbi orientimin strategjik euro-atlantik.
Në kohën kur Evropa dhe bota demokratike përballen me sfidat e revizionizmit gjeopolitik, agresionit rus ndaj Ukrainës dhe përpjekjeve të aktorëve destabilizues për të cenuar arkitekturën euro-atlantike të sigurisë në Ballkan, mesazhi i Deklaratës Kushtetuese mbetet po aq aktual sa edhe në vitin 1990.
Ajo dëshmon se liria, shtetësia dhe demokracia nuk janë dhurata të historisë, por rezultat i guximit institucional, përgjegjësisë politike dhe besimit të palëkundur në të drejtën.
Dita kur historia u shkrua para dyerve të Kuvendit Në kronologjinë e proceseve shtetformuese të Kosovës, 2 Korriku 1990 përfaqëson kulmin e rezistencës institucionale ndaj dhunës kushtetuese të regjimit të Beogradit. Ishte dita kur legjitimiteti demokratik u përball drejtpërdrejt me forcën represive të shtetit dhe kur e drejta kushtetuese triumfoi moralisht mbi pushtetin e armëve.
Që në orët e para të mëngjesit, ndërtesa e Kuvendit të Kosovës ishte shndërruar në një fortesë të rrethuar nga forca të shumta policore serbe. Hyrjet kryesore ishin bllokuar, ndërsa hapësira përreth kontrollohej me masa të jashtëzakonshme sigurie. Qëllimi ishte i qartë: të pengohej çdo mundësi e ushtrimit të funksionit kushtetues të delegatëve të zgjedhur nga qytetarët e Kosovës.
Megjithatë, historia ka dëshmuar vazhdimisht se institucionet demokratike nuk mbrohen vetëm nga muret e godinave, por mbi të gjitha nga vendosmëria e njerëzve që i përfaqësojnë ato. Pikërisht kjo ndodhi edhe më . Në atë kohë isha punëtor i Kuvendit të Kosovës dhe Kryetar i Pleqësisë së Bashkësisë Punonjëse të Kuvendit.
Bashkë me kolegun tim të nderuar, Hysen Krasniqi, si dhe me pak punonjës të tjerë të administratës parlamentare, e përjetuam nga afër një nga momentet më dramatike të historisë sonë bashkëkohore. Ne nuk ishim vetëm administratorë të një institucioni; ne realisht ishim dëshmitarë të lindjes së një epoke të re politike. Atmosfera ishte e rëndë.
Heshtja ndërpritej vetëm nga urdhrat e policisë, lëvizjet e automjeteve speciale dhe shqetësimi i qytetarëve që ndiqnin me ankth zhvillimet. Delegatët shqiptarë nuk kishin përballë një debat parlamentar, por një aparat shtetëror të mobilizuar për të penguar ushtrimin e mandatit të tyre kushtetues. Rrethimi policor ishte organizuar në disa breza sigurie.
Katër unaza të policisë dhe forcave speciale krijonin një mur të hekurt përreth Kuvendit. Çdo lëvizje kontrollohej, çdo komunikim vëzhgohej dhe çdo përpjekje për t’iu afruar ndërtesës konsiderohej sfidë ndaj autoriteteve të atëhershme.
Në aspektin simbolik, ky rrethim nuk kishte për objekt vetëm një godinë institucionale; ai synonte të izolonte vetë vullnetin politik të shumicës së qytetarëve të Kosovës. Por paradoksi historik ishte i dukshëm. Sa më i madh bëhej presioni policor, aq më i madh bëhej legjitimiteti moral dhe politik i delegatëve shqiptarë.
Ata nuk mbanin armë; arma e tyre ishte mandati demokratik, përgjegjësia kushtetuese dhe bindja se po vepronin në përputhje me të drejtën dhe me interesin historik të popullit të Kosovës. Në kujtesën time më ka mbetur veçanërisht një skenë që mishëron më së miri kontrastin ndërmjet humanizmit dhe represionit.
Një zonjë europiane e verbër, e shoqëruar me përkushtim nga një intelektuale shqiptare, ndodhej pranë zhvillimeve, duke ndarë me qytetarët ankthin dhe shpresën e asaj dite. Edhe pse paaftësia e saj fizike e bënte krejtësisht të pafuqishme për të paraqitur çfarëdo rreziku, forcat policore nuk treguan as ndjeshmërinë më elementare njerëzore.
Ato ndërhynë ndaj shoqërueses së saj dhe i dërguan në stacionin policor. Ky episod, në pamje të parë i vogël, përfaqëson në fakt një metaforë të gjendjes së Kosovës në atë periudhë. Një pushtet që frikësohej edhe nga prania e një gruaje të verbër dëshmonte jo forcën e tij, por pasigurinë dhe krizën e legjitimitetit.
Kur një regjim arrin deri aty sa ta perceptojë solidaritetin njerëzor si kërcënim politik, ai ka humbur tashmë autoritetin moral për të qeverisur. Ndërkohë, delegatët shqiptarë, të udhëhequr nga ndërgjegjja e tyre kushtetuese dhe përgjegjësia historike, morën vendimin që do të ndryshonte përgjithmonë rrjedhën e historisë së Kosovës.
Duke qenë të penguar të hynin në sallën plenare, ata e shndërruan hapësirën para dyerve të Kuvendit në tribunën më të rëndësishme politike të kohës. Aty, nën praninë kërcënuese të policisë dhe nën vështrimin e qytetarëve, u shpall Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990. Ky ishte një akt me rëndësi të shumëfishtë.
Në planin juridik, ai afirmoi Kosovën si subjekt politik dhe kushtetues me të drejtë për vetëvendosje. Në planin demokratik, ai dëshmoi se sovraniteti buron nga qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre legjitimë, jo nga imponimi policor.
Në planin historik, ai u bë pika e pakthyeshme e procesit të shtetformimit që do të vazhdonte me Kushtetutën e Kaçanikut, Referendumin e vitit 1991, zgjedhjet pluraliste të vitit 1992 dhe, pas një rruge të gjatë sakrificash, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më . Për ne që ishim aty, ajo ditë nuk ishte thjesht një ngjarje politike.
Ishte një provë e karakterit kombëtar dhe institucional. Ishte çasti kur u kuptua se shtetet nuk lindin vetëm nga fitoret ushtarake, por edhe nga guximi i institucioneve për ta mbrojtur të drejtën në kohët më të vështira. Prandaj, kujtesa për 2 Korrikun nuk duhet të kufizohet në ceremoni përkujtimore.
Ajo duhet të shërbejë si standard etik dhe politik për brezat e sotëm të udhëheqësve të Kosovës. Ashtu si delegatët e vitit 1990 kapërcyen ndarjet dhe vepruan të bashkuar për interesin kombëtar, edhe udhëheqja e sotme ka detyrimin historik të kapërcejë polarizimet partiake, të rikthejë kulturën e dialogut institucional dhe të ndërtojë konsensus për çështjet strategjike të shtetit, duke përfshirë integrimin euro-atlantik, sigurinë kombëtare, pavarësinë energjetike dhe rezistencën ndaj ndikimeve destabilizuese të Serbisë dhe Federatës Ruse.
Vetëm në këtë mënyrë mund të ruhet dhe të zhvillohet trashëgimia politike e 2 Korrikut 1990 si një projekt i përhershëm i demokracisë, sovranitetit dhe orientimit perëndimor të Republikës së Kosovës.
Gurthemeli juridik i shtetësisë moderne të Kosovës Në analizën bashkëkohore të proceseve të shtetformimit, pak akte politike kanë pasur një ndikim kaq të thellë dhe afatgjatë sa Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990.
Ajo nuk ishte një deklaratë me karakter deklarativ apo simbolik, por një akt juridiko-kushtetues me pasoja të drejtpërdrejta në zhvillimin e subjektivitetit politik dhe kushtetues të Kosovës. Pikërisht për këtë arsye, ajo duhet të trajtohet si gurthemeli juridik i shtetit modern të Kosovës.
Nga këndvështrimi i teorisë së të drejtës kushtetuese, një rend i ri juridik nuk lind domosdoshmërisht vetëm nga miratimi i një kushtetute të re. Shpeshherë ai fillon me një akt themelues, i cili shpreh vullnetin sovran të përfaqësuesve legjitimë të popullit për të krijuar një realitet të ri kushtetues.
Në historinë kushtetuese të Kosovës, këtë funksion e përmbushi pikërisht Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990. Ky akt përfaqësoi refuzimin institucional të rendit juridik të imponuar me dhunë pas shfuqizimit të autonomisë së Kosovës në vitin 1989.
Delegatët shqiptarë nuk e pranuan transformimin e Kosovës në një territor të administruar sipas vullnetit të regjimit të Beogradit, por riafirmuan parimin themelor se legjitimiteti kushtetues buron nga vullneti i qytetarëve dhe jo nga imponimi i forcës.
Në këtë kuptim, Deklarata Kushtetuese ishte manifestim i doktrinës së legjitimitetit demokratik, e cila përbën një nga shtyllat themelore të kushtetutshmërisë moderne evropiane. Ajo nuk synonte rrënimin e rendit juridik përmes revolucionit të dhunshëm, por rivendosjen e rendit kushtetues nëpërmjet mjeteve demokratike dhe parlamentare.
Nga Deklarata Kushtetuese te Kushtetuta e Kaçanikut Në shkencën kushtetuese ekziston një parim themelor: çdo kushtetutë ka nevojë për një akt themelues që e legjitimon lindjen e saj. Për Kosovën, ky akt ishte Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990.
Pa këtë deklaratë, nuk do të kishte bazë juridike e politike për mbledhjen historike të delegatëve më në Kaçanik, ku u miratua Kushtetuta e parë e Republikës së Kosovës. Për shkak të represionit të regjimit serb, delegatët u detyruan të vepronin në kushte ilegaliteti dhe diskrecioni të thellë.
Megjithatë, rrethanat e jashtëzakonshme nuk e zbehën legjitimitetin e tyre; përkundrazi, e forcuan atë. Kushtetuta e Kaçanikut nuk ishte një akt i izoluar. Ajo ishte vazhdim logjik dhe juridik i Deklaratës Kushtetuese.
Në terminologjinë e së drejtës kushtetuese, Deklarata përbënte pushtetin kushtetutëbërës origjinar (constituent power), ndërsa Kushtetuta e Kaçanikut ishte materializimi normativ i këtij pushteti. Pikërisht ky kontinuitet juridik shpjegon pse shtetësia e Kosovës nuk fillon me shpalljen e pavarësisë më .
Pavarësia ishte kurorëzimi ndërkombëtar i një procesi shtetformues që kishte filluar shumë më herët, me Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut dhe me Kushtetutën e Kaçanikut.
Dimensioni ndërkombëtar i Deklaratës Kushtetuese Edhe pse bashkësia ndërkombëtare e asaj kohe nuk ishte në gjendje ta njihte menjëherë aktin e delegatëve shqiptarë, zhvillimet e mëvonshme dëshmuan drejtësinë historike dhe juridike të këtij vendimi.
Parimet mbi të cilat u mbështet Deklarata – vetëvendosja demokratike, barazia politike, mbrojtja e të drejtave themelore të njeriut dhe qeverisja kushtetuese – përputheshin me standardet që më vonë u bënë themel i rendit të ri evropian pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Në këtë kuptim, Deklarata Kushtetuese nuk ishte një akt kundër Evropës, por një akt në emër të Evropës demokratike.
Ajo shprehte aspiratën e qytetarëve të Kosovës për t’u bërë pjesë e familjes së demokracive liberale perëndimore. Krahasimi me proceset shtetformuese në Evropën Qendrore dhe Lindore Historia kushtetuese e Evropës njeh një sërë deklaratash që kanë shërbyer si akte themeluese të shteteve moderne pas rënies së regjimeve komuniste.
Deklarata Kushtetuese e Kosovës mund të krahasohet, për nga funksioni historik, me aktet kushtetuese që paraprinë rivendosjen e sovranitetit në shtetet baltike, me proceset kushtetuese të Sllovenisë dhe Kroacisë, si dhe me transformimet demokratike në Evropën Qendrore. Megjithatë, rasti i Kosovës paraqet një veçanti të rëndësishme.
Ndryshe nga shumica e vendeve të tjera, Kosova e ndërtoi shtetësinë e saj nën kushte të represionit të vazhdueshëm institucional, pa kontroll mbi territorin dhe pa mbështetje të menjëhershme ndërkombëtare. Kjo e bën përvojën kosovare një nga rastet më domethënëse të rezistencës kushtetuese paqësore në Evropën e fund-shekullit XX.
Mesazhi për aleatët euro-atlantikë Sot, tridhjetë e gjashtë vjet pas Deklaratës Kushtetuese, rëndësia e saj nuk është vetëm historike. Ajo mbetet një kujtesë se demokracia kërkon mbështetje të vazhdueshme, solidaritet ndërkombëtar dhe institucione funksionale.
Për Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për Parlamentin Evropian, për NATO-n dhe për të gjitha vendet demokratike që mbështetën lirinë e Kosovës, historia e 2 Korrikut 1990 është dëshmi se investimi në demokraci dhe në të drejtën ndërkombëtare sjell stabilitet afatgjatë. Në të njëjtën kohë, kjo histori është edhe një paralajmërim.
Ballkani Perëndimor mbetet i ekspozuar ndaj ndikimeve destabilizuese, ndaj politikave revizioniste dhe ndaj përpjekjeve për të cenuar orientimin euro-atlantik të rajonit.
Prandaj, ruajtja e sovranitetit të Kosovës, forcimi i institucioneve demokratike, përshpejtimi i integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si dhe investimi në sigurinë energjetike e ekonomike, nuk janë vetëm interesa të Republikës së Kosovës, por edhe interesa strategjike të komunitetit euro-atlantik.
Në këtë kontekst, trashëgimia e Deklaratës Kushtetuese duhet të frymëzojë edhe klasën sotme politike të Kosovës. Delegatët e vitit 1990, pavarësisht dallimeve të tyre, ditën të bashkoheshin për një ideal të përbashkët. Ky shembull mbetet aktual edhe sot.
Përballë sfidave të reja gjeopolitike, krizave institucionale dhe nevojës për zhvillim të qëndrueshëm, Kosova ka nevojë për dialog politik, bashkëpunim ndërinstitucional dhe vizion strategjik afatgjatë. Vetëm në këtë mënyrë do të nderohet në mënyrë të denjë amaneti politik dhe kushtetues i 2 Korrikut 1990.
Në histori, shtetet nuk ndërtohen vetëm nga aktet juridike dhe dokumentet kushtetuese, por edhe nga njerëzit që, në çastet vendimtare, marrin përsipër përgjegjësi më të mëdha se interesat personale apo partiake. Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 është një dëshmi e tillë.
Ajo nuk ishte vetëm vepër e delegatëve të Kuvendit të Kosovës, por edhe rezultat i përkushtimit të administratës parlamentare, punonjësve të Kuvendit dhe të gjithë atyre që, në kushte të jashtëzakonshme represioni, ruajtën funksionalitetin institucional dhe dinjitetin e përfaqësimit demokratik.
Në këtë kontekst, meriton vlerësim të veçantë roli i delegatëve të atëhershëm shqiptarë të Kuvendit të Kosovës. Ata nuk u mjaftuan me përfaqësimin formal të qytetarëve, por u shndërruan në bartës të pushtetit kushtetutëbërës të popullit të Kosovës.
Duke vepruar nën kërcënimin e arrestimit, përjashtimit politik dhe represionit shtetëror, ata dëshmuan se legjitimiteti demokratik është më i fuqishëm se çdo mekanizëm i dhunës. Mirënjohje e veçantë u takon edhe punonjësve të administratës së Kuvendit të Kosovës.
Edhe pse rrallëherë përmenden në historiografinë politike, ata përbënin hallkën profesionale që garantonte vazhdimësinë institucionale në rrethana të jashtëzakonshme. Besnikëria ndaj institucionit, profesionalizmi dhe përkushtimi i tyre ishin pjesë e rezistencës demokratike të Kosovës. Kam nderin që edhe vetë të kem qenë pjesë e këtij institucioni në atë periudhë historike.
Si punëtor i Kuvendit të Kosovës dhe Kryetar i Pleqësisë së Bashkësisë Punonjëse, pata privilegjin, por edhe përgjegjësinë, të përjetoja nga afër shumë nga momentet më vendimtare të historisë sonë kombëtare. Bashkë me kolegun tim Hysen Krasniqi dhe me shumë punonjës të tjerë, qëndruam pranë delegatëve në çastet kur vendosej fati kushtetues i Kosovës.
Këto kujtime nuk i sjell për të theksuar një rol personal, por si dëshmi se historia ndërtohet edhe nga njerëzit që veprojnë larg vëmendjes së opinionit publik, me përkushtim institucional dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie qytetare. Ata ishin pjesë e zinxhirit të rezistencës demokratike që e mbajti gjallë idenë e shtetësisë së Kosovës.
Amaneti i 2 Korrikut dhe përgjegjësia e elitës politike aktuale Tridhjetë e gjashtë vjet pas Deklaratës Kushtetuese, Republika e Kosovës përballet me sfida të natyrës tjetër.
Sot nuk ekziston më rreziku i shuarjes së institucioneve nga një regjim okupues, por ekziston rreziku që funksionaliteti i tyre të dëmtohet nga polarizimi politik, mungesa e kulturës së kompromisit dhe bllokadat institucionale. Demokracia nuk matet vetëm me mbajtjen e zgjedhjeve të lira.
Ajo matet me aftësinë e institucioneve për të bashkëpunuar, për të prodhuar stabilitet politik dhe për të garantuar interesin publik. Në këtë aspekt, trashëgimia e 2 Korrikut 1990 mbetet një udhërrëfyes i vyer. Delegatët e asaj kohe lanë mënjanë dallimet dhe vepruan të bashkuar për mbrojtjen e interesit kombëtar. Ky model duhet të frymëzojë edhe klasën politike të Kosovës sot.
Kosova ka nevojë për një kulturë të re të dialogut demokratik, ku konkurrenca politike të mos shndërrohet në bllokim institucional. Kompromisi nuk është shenjë dobësie; ai është tipar i demokracive të konsoliduara dhe mjet për ndërtimin e politikave afatgjata shtetërore.
Në një mjedis ndërkombëtar të karakterizuar nga rivalitetet gjeopolitike, lufta në Ukrainë, sfidat hibride dhe përpjekjet për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, orientimi euro-atlantik i Kosovës duhet të mbetet i palëkundur.
Partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bashkëpunimi i ngushtë me Bashkimin Evropian janë garancia më e fuqishme për sigurinë, zhvillimin dhe afirmimin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. Një prioritet i veçantë duhet t’i kushtohet pavarësisë energjetike.
Përvoja evropiane ka dëshmuar se varësia energjetike mund të shndërrohet në instrument presioni politik dhe strategjik. Kosova duhet të investojë në burime të qëndrueshme të energjisë, në diversifikimin e furnizimit, në ndërlidhjet rajonale dhe në teknologjitë e gjelbra, duke reduktuar çdo mundësi të ekspozimit ndaj ndikimeve të jashtme destabilizuese.
Po aq i rëndësishëm është edhe forcimi i kapaciteteve të sigurisë kombëtare, i institucioneve demokratike dhe i rezistencës ndaj dezinformimit, propagandës dhe ndikimeve hibride që synojnë dobësimin e orientimit perëndimor të Kosovës. Këto nuk janë vetëm sfida të sigurisë; ato janë sfida të vetë demokracisë.
Për aleatët tanë në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Parlamentin Evropian dhe në institucionet euro-atlantike, përvoja e Kosovës mbetet dëshmi se mbështetja e demokracisë dhe e së drejtës ndërkombëtare është investim në paqen dhe stabilitetin e Evropës Juglindore. Kosova ka qenë dhe mbetet një histori suksesi e bashkëpunimit transatlantik.
Përfundim Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 nuk ishte vetëm një akt politik i kohës së vet. Ajo ishte lindja e një vizioni shtetëror, i ndërtuar mbi lirinë, demokracinë, shtetin e së drejtës dhe orientimin euro-atlantik.
Ajo i dha Kosovës legjitimitetin kushtetues që u kurorëzua me Kushtetutën e Kaçanikut, u mbrojt me rezistencën paqësore dhe me sakrificat e popullit të Kosovës, u afirmua me ndërhyrjen e NATO-s dhe u vulos me shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në këtë përvjetor, nderimi më i madh për delegatët e 2 Korrikut nuk është vetëm kujtesa historike.
Nderimi më i madh është ndërtimi i një Republike funksionale, demokratike, të zhvilluar ekonomikisht, të sigurt, energjetikisht të pavarur dhe të integruar plotësisht në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Ky është amaneti politik dhe kushtetues i 2 Korrikut 1990. Ky është obligimi ynë ndaj brezit që pati guximin ta shpallte lirinë para dyerve të mbyllura të Kuvendit.
Dhe ky duhet të jetë zotimi ynë para brezave që do ta trashëgojnë Republikën e Pavarur dhe Sovrane të Kosovës! Preshevë, më
