Situata e Sherif Kallakut te Vllaznia vazhdon të mbetet një nga çështjet më të paqarta të kësaj merkatoje verore. Mesfushori nga Fushë-Kruja nuk është shfaqur në asnjë moment gjatë fazës përgatitore të kuqebluve në Slloveni, duke shtuar ndjeshëm pikëpyetjet mbi të ardhmen e tij në radhët e skuadrës shkodrane.
Fillimisht mungesa e tij u justifikua me probleme dokumentacioni, por me kalimin e ditëve situata nuk ka ndryshuar. Kallaku nuk ka zhvilluar asnjë stërvitje dhe asnjë ndeshje miqësore me ekipin, ndërsa heshtja nga të gjitha palët vetëm sa ka ushqyer edhe më shumë misterin rreth fatit të fantazistit.
Edhe në rast se palët do të gjejnë një rrugë për të vazhduar bashkëpunimin, mbetet një tjetër pikëpyetje e rëndësishme. Mungesa e plotë në fazën përgatitore do ta linte ish-mesfushorin e Tiranës, Partizanit dhe Teutës dukshëm prapa shokëve të skuadrës nga ana fizike, në një moment kur Vllaznia po hyn në fazën vendimtare të përgatitjeve për sezonin e ri.
Ndërkohë, në ambientin futbolldashës vijojnë të qarkullojnë zëra për një rikthim të mundshëm të Kallakut te Teuta. Megjithatë, deri në këto momente nuk ka asnjë lëvizje konkrete apo zyrtare që ta afrojë mesfushorin me skuadrën durrsake, duke lënë gjithçka në kuadrin e spekulimeve.
Për momentin, raporti mes Kallakut dhe Vllaznisë duket i ngrirë, ndërsa zhvillimet pritet të vijnë në ditët në vazhdim. Deri atëherë, e ardhmja e 27-vjeçarit mbetet një enigmë, me shumë mister rreth faktit nëse ai do të vazhdojë të jetë pjesë e kuqebluve apo do të nisë një aventurë të re larg Shkodrës.
