ZKA: Fondi i Sigurimeve Shëndetësore u vonua në trajtimin e dhjetëra

0%

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se bordi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore një numër të konsiderueshëm të aplikimeve i ka lënë në pritje të shqyrtimit dhe vendimmarrjes për periudha të gjata kohore.

Në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore (FSSh) qytetarët mund të kërkojnë ndihmë financiare për trajtim jashtë institucioneve mjekësore publike në Kosovë për sëmundjet për të cilat nuk kanë gjetur shërim në institucionet publike.

Sipas evidencave të prezantuara nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, në vitin 2021 kanë mbetur në pritje dy aplikime, në vitin 2023 një aplikim, në vitin 2024 nëntë aplikime ndërsa në viti 2025 tri aplikime.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Kjo situatë tregon për vonesa në procesin e shqyrtimit dhe vendimmarrjes nga Bordi, duke ndikuar ne efikasitetin dhe trajtimin me kohë të aplikimeve të parashtruara”- thuhet në raportin e ZKA-së.

ZKA në raportin vjetor të pasqyrave financare për vitin 2025 për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore ka konstatuar se një numër i konsiderueshëm i lëndëve të aprovuara me vendime të bordit vazhdojnë të mbeten në pritje si pasojë e ndërmarrjes së veprimeve të pamjaftueshme për trajtimin e tyre.

“Në vitin 2019 kanë mbetur të paekzekutuara shtatë lëndë me vendime të bordit, në vitin 2022 është evidentuar një lëndë me vendim në pritje të pagesës, në vitin 2023 janë evidentuar tri lëndë me vendime në pritje të pagesës, në vitin 2024 janë evidentuar pesë lëndë me vendime në pritje të pagesës dhe në vitin 2025 janë evidentuar tetë lëndë në pritje të pagesës me vendime të bordit”- thuhet në raport.

Auditori ka evidentuar mungesë të koordinimit të mjaftueshëm ndërmjet njësive përgjegjëse për përgatitjen e lëndëve dhe sektorit financiar si dhe mosveprim në kohë për priotirizimin dhe realizimin e pagesave të vendimeve të aprovuara.

Është rekomanduar që Bordi Ekzekutiv dhe drejtori i Fondit duhet të ndërmarrin hapat e nevojshëm në mënyrë që lëndët ë kompletuara të trajtohen brenda afatit të përcaktuar. Me këtë gjetje nuk janë pajtuar menaxhmenti i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Ata në sqarimet e tyre kanë thënë se “vendimmarrja për secilën lëndë do të merret pas përfundimit të procesit të vlerësimit, në pajtim me dispozitat e Udhëzimit Administrativ Nr.03/2023. Rrjedhimisht, lëndët janë në procedurë shqyrtimi dhe do të trajtohen në vijim sipas kritereve të përcaktuara”.

“Sa i përket rasteve të hapura me vendime të Bordit për TMJISHP, vlerësojmë së është e nevojshme të pasqyrohet shkaku i mosekzekutimit të pagesave sepse kemi të bëjmë më lëndë për të cilat janë ekzekutuar pagesat, por më pas kanë ndodhur kthime të këtyre pagesave për shkak të dhënave bankare të ISHP jashtë vendit.

Gjithashtu, është dashur të pasqyrohet edhe fakti që një pjesë e këtyre vendimeve nuk janë ekzekutuar për shkak të nevojës për rivlerësim”- thuhet në sqarimin e tyre për mospajtimin me këtë gjetje të ZKA-së.

Sipas Udhëzimi Administrativ për trajtimin mjekësor jashtë institucione shëndetësore publike të vitit 2023 kërkohet paraqitja e tri pro-faturave nga institucione shëndetësore të ndryshme, në rastet kur nuk ekzistojnë çmime referente për diagnozat e përcaktuara në këtë udhëzim.

ZKA ka identifikuar 24 raste në vlerë 738 mijë euro lidhur me të cilat fletëzotimet janë lëshuar pa u përmbushur kriteri për numrin e pro-faturave.

Auditori ka gjetur se në 10 raste në vlerë totale prej 335 mijë euro, të cilat i përkasin periudhës pas hyrjes në fuqi të Udhëzimit Administrativ në vitin 2023, fletëzotimet janë lëshuar në kundërshtim me kërkesat e udhëzimit, sipas të cilit kërkohet paraqitja e tre pro-faturave.

Në 10 raste të tjera në vlerë prej 258 mijë euro që i përkasin periudhës sa ishte në fuqi UA-03/2017, i cili kërkonte paraqitjen e dy pro-faturave nga institucione shëndetësore të ndryshme, fletëzotimet janë lëshuar pa përmbushur kërkesën për bashkëngjitjen e dy pro-faturave, siç parashihej në udhëzim.

ZKA ka gjetur po ashtu se në katër raste në vlerë prej 145 mijë euro kur lëndë me dokumentacion të pakompletuar janë proceduar për shqyrtim në Bordin për TMJIShP, i cili më pas i kishte kthyer lëndët për plotësim të dokumentacionit. Këto lëndë kanë mbetur të paplotësuara dhe të pashqyrtuara, ndonëse i përkasin periudhës 2020–2021.

“Lëshimi i fletëzotimeve në mungesë të pro-faturave shkakton mos pajtueshmëri ligjore dhe mund të ndikojë në çmime më të mëdha të aprovuara për trajtime në mungesë të konkurrencës duke dëmtuar kështu buxhetin e organizatës. Procedimi i lëndëve të pakompletuara kanë ndikuar në zvarritjen e procesit të aprovimit për trajtim mjekësor të aplikuesve”- thuhet në raportin e ZKA-së.

Me këtë gjetje është pajtuar menaxhmenti i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të pamodifikuar për pasqyrat financiare vjetore të Fondit për Sigurime Shëndetësore. Ky është opinioni më i mirë që e jep ZKA. Ky opinion jepet kur pasqyrat financiare janë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.

Raporti i vitit 2025 ka rezultuar me katër rekomandime, dy prej tyre janë rekomandime të reja dhe dy të përsëritura. Në raportin e vitit paraprak, Fondi kishte pranuar dy rekomandime kryesore. Të dy nuk janë adresuar deri në fund të auditimit të kryer nga ZKA.

Buxheti i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore për vitin 2025 ka qenë 10 milionë e 761 mijë euro nga të cilat janë shpenzuar 10 milionë e 610 mijë euro. Raportin e plotë të auditimit për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore mund ta gjeni KËTU .

Burimi: Kallxo