“Për sa t’ketë det” me dramën e luftës që s’përfundon

0%

Nga: Besartë Elshani Shpërndaje në: Në mars janë realizuar nëntë ditët e para të xhirimit, ndërsa faza e dytë do të zgjasë deri më 7 korrik, sipas ekipit kryesor të realizimit të filmit.

Është bërë me dije se deri tani filmi është xhiruar në Kaçanik, Ferizaj dhe Harilaq, ndërsa ekipi do të zhvendoset për dy ditë në Vlorë për të realizuar skenat pranë detit, përpara se të rikthehet sërish në Kosovë për përmbylljen e xhirimeve. Drama e luftës që nuk përfundon bashkon në këtë projekt Ilire Vincën, Alban Ukajn e shumë aktorë të tjerë.

Rrëfimi vjen si pasojë e luftës së vitit 1998-1999. Është drama në lëkurën e një gruaje që ka bashkëshortin e zhdukur Nga jashtë, shtëpia në Harilaq të Fushë-Kosovës duket si një prej shumë shtëpive të zakonshme të fshatit. Por, brenda saj, çdo lëvizje është e peshuar. Mbase tematika e filmit reflekton edhe në atmosferën e sheshxhirimit. Çdo heshtje është pjesë e rrëfimit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në një cep të dhomës një foshnjë fle. Përreth saj, dhjetëra njerëz komunikojnë me shenja, me zë të ulët dhe me hapa të kujdesshëm. Nuk duhet të zgjohet. Derisa xhirohet “Për sa t’ketë det”, qetësia është edhe një atmosferë punë, e edhe kusht. Të paktën të hënën në mesditë kur KOHA ka qenë në sheshxhirim.

Ekipi i filmit nën regji e me skenar të Sovran Nrecaj dhe me producente Aurela Kadriun po realizonte një nga skenat kryesore të projektit të parë artistik me metrazh të gjatë të Nrecajt. Në një nga skenat e realizuara të hënën, në ambientin familjar, kamera ndalet te personazhi i Burimit, interpretuar nga aktori Alban Ukaj. Ai qëndron i shtrirë. Pas tij, në sfond, foshnja vazhdon gjumin.

Kur hap sytë dhe ngrihet ngadalë, duket sikur zgjohet jo vetëm nga një natë e rëndë, por nga pesha e një kujtese që nuk e lëshon. Duart i dridhen lehtë. Në pasqyrë shihet vetëm reflektimi i tij teksa pi një gotë qumësht. Kur kamera e ndjek përballë, para tij shfaqet Yzeir Meha, tashmë i rritur, në një prej atyre kalimeve të heshtura që filmi ndërton midis kohëve të ndryshme.

Udhëzimet e regjisorit ishin me zë të ultë. Puna ka vazhduar saktë e pa nxitim. Disa dubla të sakta mjaftojnë për të gjetur finalin. Një organizim ku secili e di saktë rolin dhe ku ritmi i punës diktohet nga kërkesa për saktësi artistike. Ky është një imazh për ditën e 17-të të xhirimeve në total.

Në mars janë realizuar nëntë ditët e para të xhirimit, ndërsa faza e dytë do të zgjasë deri më 7 korrik, sipas ekipit kryesor të realizimit të filmit.

Është bërë me dije se deri tani filmi është xhiruar në Kaçanik, Ferizaj dhe Harilaq, ndërsa ekipi do të zhvendoset për dy ditë në Vlorë për të realizuar skenat pranë detit, përpara se të rikthehet sërish në Kosovë për përmbylljen e xhirimeve. Regjisori Sovran Nrecaj ka thënë se procesi po ecën sipas planit dhe se pas përfundimit të kësaj faze puna do të vazhdojë në post-produksion.

“Jemi në fazën e dytë të xhirimeve. Faza e parë ka qenë në mars, faza e dytë është në qershor deri më 7 korrik. Xhirimet po shkojnë mirë, kemi një ekip jo shumë të madh, por secili po e jep maksimumin, si ekipi kreativ, po ashtu edhe ekipi i aktorëve. Më 7 korrik përfundon kjo fazë e xhirimeve dhe pastaj kalojmë në fazën e post-produksionit”, ka thënë ai.

Në qendër të filmit është Sadetja, e interpretuar nga Ilire Vinca. Tematika e filmit sillesh rreth saj. Ajo jeton mes mungesës së bashkëshortit Burimit, të luajtur nga Alban Ukaj, i zhdukur gjatë luftës, dhe përpjekjes për ta rritur djalin e tyre Lumin, rol që interpretohet nga Yzeir Meha.

Duke lëvizur vazhdimisht mes dy periudhave kohore, filmi ndërton një dramë familjare ku mungesa nuk është vetëm kujtim, por pjesë e përditshmërisë. Pikërisht kjo tematikë e bën të veçantë këtë projekt. Në qendër të tij është rrëfimi që nuk e vendos luftën në plan të parë, por pasojat e saj në jetën e përditshme të atyre që mbetën pas.

“Filmi e trajton temën përmes perspektivës së nënës dhe gruas, në këtë rast Sadetes, e cila në dy kohë të ndryshme kalon nëpër dhimbje dhe probleme të tjera të kohës sonë, duke ndërthurur vitin 1998 me vitin 2017 brenda një drame familjare.

Ajo përballet me humbjen e burrit të saj, i cili në film është i pagjetur, dhe me dramat sociale të kohës sonë përmes marrëdhënies nënë-bir”, ka shpjeguar regjisori Nrecaj. Për regjisorin, ky film është edhe një përpjekje për ta zhvendosur vëmendjen drejt figurës së gruas, e cila shpesh mbetet në periferi të rrëfimeve për luftën.

“E kam ndier një mungesë që nuk e trajtojmë aq shumë dhe nuk e çmojmë kontributin e nënave tona, të cilat, për mua, kanë dhënë kontribut shumë të madh që shoqëria jonë të rrijë në këmbë. Prandaj kam dashur ta kthej fokusin te një grua, te një nënë, e cila bën gjithçka që ta mbajë në këmbë një familje e pastaj edhe shoqërinë në përgjithësi”, ka thënë ai.

Producentja Aurela Kadriu e ka cilësuar procesin e produksionit si sfidë të vazhdueshme, por edhe si pjesën më të bukur të punës. “Gjithmonë është vështirë të prodhosh art në Kosovë dhe kudo në botë, për shkak se ekzistojnë nivele të ndryshme të rrethanave të paparashikueshme që dalin në proces.

Sido që të jetë, ne jemi të lumtur që kemi mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe kemi gjetur partnerë që kanë besuar në tregimin që po synojmë ta sjellim në dritë dhe në vizionin tim dhe të Sovranit”, ka thënë ajo. Për Kadriun, pavarësisht sfidave të shumta, procesi i xhirimeve mbetet një festë krijuese.

“Nuk përqendrohem te sfidat, pasi për mua faza e produksionit është festë, përkundër gjithë telasheve dhe rrethanave të paparashikuara që mund të dalin në proces”, ka vazhduar Kadriu. Ambient sheshxhirimi në Harilaq të Fushë-Kosovës Sipas saj, pikërisht të hënën ka qenë dita kur janë realizuar skenat më të rëndësishme e emocionale të filmit.

“Pjesën kryesore, dramën e vërtetë familjare që duam ta tregojmë në ekran, jemi duke e xhiruar tash. Jemi kryesisht në një ambient domestik familjar, i cili është shumë i nuancuar në kuptimin artistik të fjalës, sa u përket emocioneve dhe mesazheve që përçon”, ka bërë me dije Kadriu, e cila beson se vendosja e një gruaje në qendër të rrëfimit është edhe një mënyrë tjetër për të folur për luftën.

“Konsideroj që storia për të cilën po flasim dhe vendosja e rrëfimit të një gruaje në qendër të tregimit sot përbën njëfarë akti të rezistencës edhe në raport me mënyrën sesi ne kujtojmë të kaluarën tonë, por edhe me mënyrën sesi bota flet për luftën dhe pasojat e saj. Rrallë vendosen në fokus tregimet e grave.

Ne e tregojmë storien e Sadetes jo domosdoshmërisht në luftë, por në gjithçka që e ka përcjellë atë pas luftës dhe në sfidat për të naviguar lirinë. Koha në të cilën jetojmë e mban relevant këtë rrëfim, sepse vazhdon të ketë luftëra të reja çdo ditë dhe ka shumë gra në botë që mund ta gjejnë veten në këtë histori”, ka thënë Aurela Kadriu, producente e filmit.

Për aktorin Alban Ukaj, forca e filmit qëndron pikërisht te pyetja që e hap skenarin. Ka thënë se rrëfimin e filmit e kuptojnë më së miri ata që janë prekur nga lufta. “Sovrani e ka filluar skenarin me një thënie: ‘E kemi përjetuar luftën, por nuk e di si e përjetojmë tash lirinë’. Është një temë goxha e ndjeshme. Ata që nuk e kanë humbur dikë në luftë e kanë të vështirë ta kuptojnë.

Ata që ende nuk u janë gjetur eshtrat të afërmve nuk mund të gjejnë qetësi”, është shprehur ai. E ka krahasuar esencën e kujtesës dhe vuajtjes me dramën “King John” të Shekspirit, ku dhimbja bëhet mënyra e vetme për ta mbajtur gjallë kujtimin. “Është një dramë e Shekspirit e cili nuk është vendosur aq shumë në skenat botërore – ‘King John’.

Mbretëresha vuan sepse i ka vdekur djali në luftë dhe mbreti i thotë se nuk mundet ta durojë më atë tërë kohën në vuajtje. Ajo i thotë se ‘nëse ma heq vuajtjen, ma heq edhe kujtimin për të’. Kështu që, vuajtjen e njerëzve është shumë vështirë ta kuptosh”, ka shpjeguar Ukaj.

Ka vlerësuar edhe gjuhën filmike të regjisorit, që shmang ritmin e shpejtë dhe zgjedh kuadrin e gjatë si mjet rrëfimi. “Sovrani ka një qasje komplet tjetër. Është më trimëror në përzgjedhjen e kuadrove më të gjata, më domethënëse. Është një kinematografi që nuk e kemi më, e kemi humbur. Ka dalë nga suazat që jemi mësuar t’i shohim me montazha të shpejta.

Të them të drejtën edhe vetë kam harruar se si luhet në atë formë, në atë zhanër, kështu që po i kthehemi fillimit, shkollës, kinematografisë që jemi mësuar ta shohim në vitet ’70, ’80”, ka thënë ai.

“Për sa t’ketë det” është filmi i parë artistik me metrazh të gjatë i Sovran Nrecajt dhe projekti i dytë që ai realizon me producenten Aurela Kadriu, pas dokumentarit të shkurtër “Fran and Verka”, i cili pati premierën në Festivalin e Filmit në Sarajevë. Filmi prodhohet nga “Can and Cam” në partneritet me “Degjenerata” dhe me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Pos aktorëve Ilire Vinca, Alban Ukaj, Yzeir Meha në role kryesore, në film luajnë edhe Refet Abazi, Melihate Qena, Molikë Maxhuni, Valdrin Osmani, Ernest Malazogu, Shpëtim Selmani, Kushtrim Qerimi, Blend Sadiku, Ermal Sadiku dhe Ideal Nrecaj në role të tjera.

Drejtor i fotografisë është Murat Emkuzhev, drejtore arti Leonora Mehmeti-Hoxha, ndërsa skenat ilustrohen me muzikë nga kompozitorët Anda Kryeziu dhe Justin Robinson Steëart. Në fund të skenës, e heshtur është fjala “cut”(prerje), zhargon i gjuhës kinematografike për ndalimin e xhirimit. Derisa kamera është ndalur, foshnja ka qenë ende duke fjetur.

Skena të tilla filmi janë si pikë oqeani krahasuar me gjithë procesin, rezultati i të cilit pritet të dëshmohet nga viti i ardhshëm.

Burimi: Koha