Kthimi i LDK-së në identitetin e saj, përmes profilizimit të së

0%

Rrëfimi i kryetarit Lumir Abdixhiku, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, por edhe rrjedhat përgjatë atij viti në LDK, ka qenë i sinqertë dhe bindës. “Tymi” i doli më , në Facebook-ët e disa eksponentëve të LDK-së. Dy kryetarët komunal shumë të suksesshëm, përkatësisht, Gazmend Muhaxheri dhe Imri Ahmeti, shpëtuan Pejën dhe Lipjanin, të kapura nga bandat e PDK-së dhe të AAK-së.

Andaj, respekti e mirënjohja për krye-komunarët në fjalë ka qenë meritore. Mendoj se nuk ishte mënyra e duhur e revanshimit ultimativ, duke kërkuar dorëheqjen hiç të zakonshme të kryetarit të LDK-së, nga titullarët e LDK-së, respektivisht, nënkryetar dhe sekretar shumëvjeçarë.

Edhe përgjigjja e kryetarit Lumir Abdixhikut, tejkalonte standardin e kreut të LDK-së, sepse qasja ishte e nxituar dhe hakmarrëse.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kuadrot e tjerë partiakë, si Avdullah Hoti dhe Hykmete Bajrami, si pjesë e klanit të Isa Mustafës, ishin të vrazhdët, shantazhues dhe kërcënues, në kërkesat e tyre të porositura, duke shpërfillur strukturat e partisë dhe abuzues të mandatit të tyre të deputetit. Por këta nuk janë të vetmit. Janë edhe të tjerë, si pjesë votuese të vendimeve fatale për Kosovën.

Ata morën guximin e amnistimit dhe të rehabilitimit të krimit dhe të kriminelëve! Kulmuan me bërjen president të njeriut të shantazhuar me dosje faktike penalizuese. Edhe pas pësimeve në vijimësi, duan zvarritjen pas PDK-së dhe të aleatëve të saj, persekutorë të LDK-së. Gjëma e LDK-së kulmoi kur PDK-ja ia katapultoi kryetarin monist në drejtimin e saj. Identiteti i LDK-së u vu në luhajë.

Normalitetin me humbje kryetari Abdixhiku e trashëgoi, nga lidershipi paraprak. Por, gjithsesi, edhe revanshistët e tanishëm ishin bërë pjesë e këtij normaliteti humbës. Sepse përfitonin personalisht, ndërkohë që LDK-ja zvarritej e përskeqej, nga zgjedhjet në zgjedhje, dhe gjithnjë humbëse.

Çështja e identitetit, e zvetënimit, deri në rrezik shuarje të tij, ka përçarë sot shtrukturat drejtuese të LDK-së. Disa duan ta harrojnë përgjakjen e LDK-së dhe të Kosovës! Në konspiracion me sundimtarët zullumqarë, të cilëve u shërbyen si patericë, për t`i mbajtur në pushtet, edhe pas faktimit të krimeve numerike, ata preferojnë aleancat me persekutorët!

Anatema që i bëhet Lidershipit për rrjedhojat, pa gjykuar shkaqet, është e padrejtë dhe tërësisht e gabuar. Rasti i Dr. Vjosa Osmanit, më , në Kuvendin e 8-të Zgjedhor të LDK-së, sfida përballë kryetarit Isa Mustafa, në garën për drejtim të partisë, ishte shansë ideale, për ta kthyer LDK-në në identitetin e saj.

Por ish-kryetari Mustafa, me klanin e tij, ishin në sulmin e egër kundër zërave identitarë, për ruajtjen e frymës rugoviane. Në atë Kuvend, në mënyrën më të poshtër, kriminale dhe rrugaçërore u godit dhe u përjashtua në pjesëmarrje në Kuvenbdin qendror LDK-ja e Mërgatës, respektivisht, delegatët e zgjedhur të saj.

Vjosë Osmani, me guximin qytetar dhe intelektual që e karakterizon, kërkoi debat të hapur për katandinë e LDK-së nga Isa Mustafa dhe klani i tij. Njëherësh, kërkoi garë ligjore dhe të ndershme, me votim të fshehtë. Kërkesat u refuzuan, u kundërshtuan harbutërisht, cinikisht e rrugaçërisht.

Nuk ishin Vjosë Osmani dhe Donikë Gërvalla ato që dëmtuan LDK-në, por ishte Isa Mustafa, me klanin e tij, i cili çmontonte rugovizmin, deri në nxjerrjen nga binarët identitare. Sepse hisedar në drejtimin e LDK-së, tashmë, ishte bërë edhe Hashim Thaçi!

Të pranosh koalicionin me PAN-in kriminal, me një majtizëm stalinist, deri në eliminimin fizik të kundërshtarëve politikë, duke refuzuar LVV heterogjene, është çmenduri. Kryetari Lumir Abdixhiku edhe mund të jepte dorëheqje, por, assesi, për faj të tij. Ai e mori LDK-në me identitet të lënduar. Për konkurrencë garuese u lakuan emra, kryesisht, pjesë e klanit të Mustafës!

Por do të ishte papërgjegjësi e kryetari Abdixhiku, nëse do të pranonte ta kontrabandonte LDK-në, tek ata që kishin goxha do lidhje specifike me PAN-in. Një Kuvend i ngutshëm, qoftë edhe me votëbesim të fshehtë u bë. Edhe pse strukturat partiake të LDK-së ishin dhe janë me shumësi të përzgjedhura nga Lidershipi i kaluar.

Shto këtu edhe sabotimin dhe intrigimin e sinkronizuar, për shkarkimin e kryetari të ligjshëm, megjithatë u konfirmua legjimiteti për vazhdimin në drejtimin e LDK-së. Rikthimi me kërkesën për përsëritjen e zgjedhjeve partiake, nga individë dhe grupe, qofshin edhe disa kryesi të degëve, nuk është as ligjor dhe aq më pak njerëzor. LDK-ja ka struktura, ka rregullore, madje edhe afate.

Ajo nuk guxon t`u nënshtrohet individëve dhe grupeve të interesit. Një afat kohor, tashmë, është caktuar në Kuvendin e fundit, më saktë, afatet kohore 4 (katër) vjeçare janë të njohura, ndërsa Kuvendet e jashtëzakonshme, nuk e ndryshojnë datimin klasik. Edhe “yryshlinjtë” aktual duhet të mësohen me pritjen e afatit zgjedhor.

Puçet partiake “alla hashimçe”, me revole në dorë dhe kërcënimin makabër, “ta vras djalin e hasretit”, siç bëri në vitin 1997, me shkarkimin e dhunshëm të Kryesisë të Vjetër të LPK-së, për ta zëvendësuar me një Kryesi skajshëm të dyshimtë, madje për shumëçka, nuk guxojnë të kopjohen nga LDK-ja.

Shprehim keqardhje për zotërinjtë Gazin dhe Imriun, të cilët janë dëshmuar me përkushtimin e tyre ndër vite, në drejtimin e komunave të tyre, ndërsa nga ca të tjerë, të cilët herpashere kërkojnë zgjedhje, nuk mund dhe nuk duhet të merren seriozisht.

LDK-ja, përmes kryetarit Lumir Abdixhikut dhe reformatores të ndryshimit të domosdoshëm, Vjosë Osmani, shpalli bashkimin dhe profilizimin e të djathtës të Kosovës. Dhe, kjo duhet të jetë krye-kauzë e LDK-së, për t`u kthyer në identitetin e saj tradicional.

Kemi dëgjuar zëra përçmues, për këtë nismë fisnike, nga nostalgjikë të aleancës me PAN-in, por duhet mbajtur shënime, për t`i denoncuar me fakte se nuk kanë asnjë lidhje me të djathtën. Si të tillë, ata/ato duhet të shkojnë atje ku u flenë mendja dhe zemra. Megjithatë, pengesat, destruktiviteti i tyre duhet demaskuar dhe tejkaluar.

Shprehjet çmobiliziese, demoralizuese dhe thellësisht armiqësore ndaj LDK-së, siç janë: “LDK-ja vdiq me Rugovën”, “LDK-ja vazhdon të jetë bisht i PDK-së” dhe të tjera, janë qëllim këqija. Prandaj, djathtizmi i lëndëzuar me veprime e parime, i jep fund agonisë dhe hutisë aktuale. Rugovistët e vërtetë duhet t`i gëzojë kthimi i Dr. Vjosë Osmanit në shtëpinë e saj – LDK-e.

Nga afro 123 mijë vota që ka marrë LDK-ja, për Vjosën kanë votuar afro 93 mijë votues. Dhe, kjo dëshmon se shumica absolute e anëtarësisë e kanë mirëpritur dhe aprovuar kthimin e Vjosë Osmanin në partinë e saj, të cilës i ka shërbyer me devotshmëri përtej dy dekadave. Kjo është dëshmi domethënëse e vetëfolëse se ajo ka qenë dhe mbetet pjesë mendore dhe shpirtërore të LDK-së.

Thirrjet e binomit Lumir Abdixhikut dhe të Vjosë Osmanit, për bashkimin e strukturave, anëtarësisë, elektoratit të LDK-së dhe popullit, rreth të djathtës të Kosovës, janë e vetmja shansë, që partia ta tejkalojë përçarjen subjektive dhe artificiale, individuale apo grupore. LDK-ja ka forca dhe mundësi reale, për t`u ringritur të bashkuar me sinqeritet dhe jo me bërrylime.

Debati i shpenguar, që nga baza deri në qendër, si dhe votimi i fshehtë demokratik, për të gjitha nivelet e strukturave partiake, do të jenë përcaktuese për të gjitha organet drejtuese të LDK-së, në të ardhmen.

Burimi: Bota Sot