Ëndrra e Holandës për një Kupë Bote duhet të presë, “Tulipanët”

0%

Maroku ka shkruar një tjetër faqe të rëndësishme në historinë e futbollit të tij, duke siguruar kualifikimin për në fazën e 1/8-ave të Botërorit 2026. Afrikanët triumfuan 3-2 me penallti ndaj Holandës, pasi 120 minutat në “Estadio Monterrey” u mbyllën në barazim 1-1. Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe shumë duele fizike, ndërsa rastet më të mira në pjesën e parë i takuan Marokut.

Bart Verbruggen bëri dy pritje spektakolare, fillimisht ndaj Neil El Aynaoui dhe më pas devijoi mbi traversë një goditje të fuqishme të Achraf Hakimit. Në anën tjetër, Yassine Bounou u tregua vendimtar duke ndalur përpjekjet e Holandës, ndërsa pjesa e parë u mbyll pa gola. Edhe pas pushimit, Maroku ishte më kërcënues.

Hakimi goditi traversën, Brahim Diaz dhe shokët krijuan raste të mira, por nuk arritën të gjenin rrugën e rrjetës, pavarësisht dominimit të kundërshtarit në zotërimin e topit. Megjithatë, në minutën e 72-të Holanda kaloi në avantazh. Pas një aksioni të ndërtuar nga Wout Weghorst dhe Crysencio Summerville, Cody Gakpo shënoi me një goditje të ulët për 1-0.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kur dukej se “Tulipanët” po siguronin kualifikimin, Maroku reagoi në minutat shtesë. Një krosim i Chemsdine Talbit u shfrytëzua nga Issa Diop, i cili barazoi shifrat në 1-1 dhe e dërgoi sfidën në kohën shtesë. Në shtesë, Verbruggen realizoi një nga pritjet më të bukura të turneut duke ndalur nga fare pranë Soufiane Rahimin, ndërsa asnjëra skuadër nuk arriti të shënonte golin e fitores.

Nga pika e bardhë, drama vazhdoi. Neil El Aynaoui gaboi penalltinë e parë për Marokun, por Justin Kluivert goditi shtyllën për Holandën. Më pas Verbruggen preku penalltinë e Rahimit, por topi kaloi vijën fatale. Quinten Timber humbi një tjetër penallti për holandezët, ndërsa edhe Hakimi goditi shtyllën.

Në fund, Maroku u tregua më i saktë dhe fitoi serinë e penalltive 3-2, duke siguruar një vend mes 16 skuadrave më të mira të Botërorit 2026, ndërsa Holanda do të duhet të presë sërish për një Botëror. Rezultati: Holanda 1-1 Marok (2-3 P) Gakpo 72’ / Diop 90+1’

Burimi: Bota Sot