Zjarret në ndërtesa kolektive, shtëpi dhe objekte biznesi po bëhen gjithnjë e më të shpeshta në Kosovë, ndërsa raportet e institucioneve tregojnë se pjesa më e madhe e tyre lidhen me instalimet elektrike të pasigurta, mbingarkesën e rrjetit dhe kyçjet ilegale të energjisë elektrike.
Këto dhe të dhëna të tjera të mbledhura ndër vite, janë fokus i emisionit “Zjarret nga rryma” që po transmetohet sonte, më , në KallxoPërnime. Të dhënat e mbledhura nga zjarrfikësit dhe ekspertët e hetimit të zjarreve tregojnë se shumica e rasteve nuk janë pasojë e faktorëve natyrorë, por e ndërhyrjeve të paautorizuara në rrjetin elektrik dhe pakujdesisë së qytetarëve.
Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, tha se gjatë viteve të fundit është shënuar rritje e rasteve të zjarreve në ndërtesat kolektive. Sipas tij, hetimet kanë treguar se pothuajse të gjitha rastet lidhen me pakujdesinë dhe ndërhyrjet në instalimet elektrike.
“Pjesa dërrmuese e zjarreve në banesat kolektive janë shkaktuar nga pakujdesia dhe intervenimet në rrjetin elektrik. Në disa raste kemi pasur mbingarkesë të orëve kolektive, përdorim të pajisjeve me konsum të lartë të energjisë dhe dëme të konsiderueshme materiale”- tha Fushtica. Një problem të ngjashëm evidentojnë edhe zjarrfikësit në Drenas.
Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Drenas, Afrim Gjeli, tha se punimet joprofesionale në instalimet elektrike dhe ndërhyrjet nga persona të paautorizuar janë ndër faktorët kryesorë që çojnë në shpërthimin e zjarreve.
“Punimet joprofesionale, pajisjet e vjetruara elektrike dhe ndërhyrjet nga persona pa njohuri profesionale mund të shkaktojnë pasoja serioze dhe zjarr në objekte banimi apo biznesi”, deklaroi Gjeli. Sipas përfaqësuesve të KEDS-it, kyçjet ilegale paraqesin një nga rreziqet më serioze për sigurinë e objekteve dhe banorëve.
Avni Alidemaj nga KEDS tha se personat që kryejnë kyçje ilegale përdorin shpesh materiale të papërshtatshme dhe instalime të pasigurta, të cilat mund të mbingarkohen dhe të shkaktojnë zjarr. “Kyçjet ilegale kryhen nga persona të paautorizuar dhe me materiale joadekuate. Kjo rrit rrezikun për dëmtim të rrjetit, të objektit dhe për shkaktim të zjarrit”- tha Alidemaj.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që për çdo kyçje të re të ndjekin procedurat zyrtare dhe të kërkojnë zgjidhje teknike nga ekipet e autorizuara të KEDS-it. Një tjetër problem i evidentuar nga zjarrfikësit është banimi në ndërtesa që ende nuk kanë kaluar pranimin teknik.
Komandanti i Zjarrfikësve në Suharekë, Vehbi Krasniqi, tha se shumë objekte popullohen para se të certifikohen sistemet elektrike dhe ato kundër zjarrit. “Objektet nuk duhet të banohen pa pranim teknik. Mbingarkesa e rrjetit në këto ndërtesa shkakton djegie të orëve elektrike dhe dëme të konsiderueshme materiale”, tha Krasniqi.
Sipas tij, ndërhyrja e zjarrfikësve në raste të tilla shpesh varet nga ndërprerja paraprake e energjisë elektrike nga ekipet e KEDS-it. Përveç dëmeve materiale, zjarret në ndërtesa shumëkatëshe paraqesin rrezik të madh për jetën e banorëve.
Zjarrfikësi Malë Gashi nga Brigada e Prishtinës tha se kërcënimi kryesor nuk është vetëm zjarri, por edhe tymi i dendur që përhapet me shpejtësi nëpër ndërtesa. “Evakuimi i qytetarëve nga katet e larta është sfidë e madhe. Fatmirësisht nuk kemi pasur humbje jete në këto raste, por tymi mbetet rreziku kryesor për banorët”, tha Gashi.
Institucionet raportojnë se edhe shumica e zjarreve fushore dhe malore shkaktohen nga dora e njeriut. Sipas Fushticës, mbi 5 mijë intervenime të zjarrfikësve në kryeqytet gjatë vitit të kaluar lidhen kryesisht me zjarret fushore dhe malore. “99 për qind e zjarreve fushore dhe malore shkaktohen nga faktori njeri, qoftë nga pakujdesia apo me qëllim” – deklaroi ai.
Edhe komandantët e zjarrfikësve në Drenas dhe Suharekë theksuan se djegia e hamulloreve, hedhja e cigareve të pashuara dhe zjarret e lëna pas piknikëve janë ndër shkaktarët më të shpeshtë të këtyre incidenteve. Përballë numrit të madh të intervenimeve, zjarrfikësit në disa komuna po përballen edhe me mungesë të personelit.
Komandanti i Zjarrfikësve në Suharekë tha se kërkesat për punëtorë sezonal nuk janë realizuar, duke rrezikuar kapacitetet e reagimit gjatë sezonit veror. Ndërkohë, Komuna e Prishtinës ka bërë thirrje për angazhimin e zjarrfikësve vullnetarë, të cilët do të trajnohen për të ndihmuar ekipet profesionale në rastet emergjente.
Sipas institucioneve, parandalimi i zjarreve kërkon respektim të standardeve teknike, shmangie të kyçjeve ilegale të energjisë elektrike dhe rritje të kujdesit të qytetarëve, pasi shumica e rasteve vazhdojnë të lidhen me faktorin njeri.
