Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, ka përmendur mundësinë e ekzistencës së një varri masiv në zonën e Pasuljanske Livade në Serbi, duke iu referuar informacioneve që, sipas saj, i janë paraqitur në të kaluarën.
Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Kandiq ka bërë të ditur se kjo çështje ka qenë pjesë e një takimi që ajo kishte zhvilluar në vitin 2008 me ministrin e atëhershëm të Mbrojtjes së Serbisë, Dragan Shutanovac.
Sipas saj, në atë takim ajo e kishte informuar për një deklaratë të marrë nga një person që pretendonte se kishte qenë shofer i një kamioni frigoriferik, me të cilin, sipas pretendimeve, ishin transportuar trupa nga Kosova drejt bazës ushtarake Pasuljanske Livade. Kandiq ka thënë se personi në fjalë kishte kërkuar para në këmbim të informacioneve shtesë, por më pas nuk ishte kontaktuar më.
Ajo shton se pas këtij informacioni kishte njoftuar menjëherë ministrin Shutanovac, por sipas saj, as ai nuk kishte dhënë ndonjë përgjigje apo nuk ishte rikthyer me informacione shtesë.
Pasuljanske Livade njihet si një nga bazat kryesore ushtarake në Serbi dhe ka qenë objekt diskutimesh publike edhe në lidhje me përdorimin e saj në trajnime ushtarake në periudha të ndryshme, shkruan Telegrafi.
Lidhur me ketë deklaratë KALLXO.com ka provuar të marrë një koment nga kryetari i Komisionit Qeveritar Për të Pagjeturit, Kushtrim Garën, por deri në publikimin e shkrimit nuk është arritur të kontaktohet. Në maj të vitit 2023 Kosova dhe Serbia në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, kishin miratuar një Deklaratë të përbashkët për Personat e Pagjetur.
Deklarata parashikonte, ndër të tjera, edhe themelimin e një Komisionit të përbashkët ndërmjet të dyja shteteve, për bashkërendimin e veprimeve për kërkimet për të pagjeturit. Por që nga ajo kohë Komisioni ende nuk është formuar, megjithëse në dhjetor të vitit 2024 kishte dakordim nga të dyja palët, për zbatimin e plotë të Deklaratës së miratuar në maj 2023.
Në një përgjigje për BIRN, Komisioni Qeveritar i Serbisë për Personat e Pagjetur nuk kishte dhënë informata se sa aktivitete ishin ndërmarrë gjatë vitit 2024 dhe 2025, për çështjen e të pagjeturve. Ata patën thënë se janë pajtuar me palën kosovare që të vazhdojnë gërmimet në lokacionet si Batajnicë, Kozhle, Kozharevë, Peruçac, Surdulicë, Jalovishte, Shtavall dhe Petrovo Sello.
Për këto lokacione ata nuk dhënë një datë se kur mund të fillojnë gërmimet. “Praktika e kaluar ka treguar se datat e sakta të fillimit të aktiviteteve të inspektimit të vendit ndikohen nga shumë faktorë që nuk mund të parashikohen gjithmonë.
Siç dihet mirë, bashkëpunimi midis Beogradit dhe Prishtinës zhvillohet përmes mekanizmit të Grupit Punues për Personat e Zhdukur, puna e të cilëve u pamundësua përkohësisht. Të gjitha aktivitetet që do të kryhen gjatë viteve 2025 dhe 2026 do të jenë transparente dhe të arritshme për publikun” – patën thënë nga Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur i Serbisë.
BIRN Kosova ka realizuar një seri dokumentarësh me rrëfimet për të zhdukurit. Dokumentari “Shpalosja e së Vërtetës” është shfaqur në tetë komuna të Kosovës, duke sjellë dëshmi, rrëfime dhe të dhëna për personat e zhdukur gjatë luftës. Shfaqja e parë u mbajt në Drenas , 145 persona nga Drenasi, Skenderaj dhe Vushtrria vazhdojnë të jenë të zhdukur.
Më pas dokumentari u prezantua në Mitrovicë , ku u bë e ditur se rreth 100 persona nga rajoni i Mitrovicës ende figurojnë të zhdukur. Në Prizren, u theksua se, sipas të dhënave të prezantuara, rreth 1 mijë e 560 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur pas luftës në Kosovë, ndërsa rreth 280 prej tyre janë nga rajoni i Prizrenit, Suharekës, Dragashit dhe Mamushës.
Dokumentari u shfaq edhe në Pejë, ku u prezantuan dëshmi për mizoritë e kryera gjatë luftës në zonën e Dukagjinit, ku viktimat civile u torturuan, u vranë dhe trupat e tyre u zhdukën për të fshehur gjurmët e krimeve. Sipas të dhënave të paraqitura, rreth 400 persona nga Peja, Klina, Istogu dhe Deçani vazhdojnë ende të jenë të zhdukur.
Në Gjilan , u bë e ditur se rreth 50 persona nga Gjilani, Kamenica, Ranillugu, Parteshi dhe Vitia vazhdojnë të figurojnë në listën e personave të zhdukur. Ndërkaq, në Ferizaj, u theksua se rreth 80 persona nga Ferizaj, Kaçaniku, Shtimja, Hani i Elezit dhe Shtërpca vazhdojnë të jenë të zhdukur edhe më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës.
Së fundmi një dokumentar i tillë është shfaqur edhe në kryeqytet. E pranishme në lansimin e dokumentarit ishte edhe Presidentja në detyrë e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila tha se përmbyllja e projektit “Na mungojnë” nuk nënkupton fundin e rrëfimeve dhe kërkimit të familjeve për të vërtetën mbi fatin e më të dashurve të tyre të zhdukur me dhunë gjatë luftës.
Fundi i luftës nuk solli lajme të mira për shumë familje. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar kishte regjistruar në atëkohë 6 mijë e 500 persona të zhdukur. Në ditët e para të kthimit, varrezat masive dhe zonat e krimeve do shfaqeshin anë e mbanë vendit. Në mbi 2000 lokacione u gjetën trupa të të vrarëve. Kërkimi është një proces që vazhdon edhe pas 27 vitesh.
Vrasjet dhe zhdukjet masive të trupave krijuan traumë të përjetshme për viktimat. Nga viti 1998 e tutje civilë të pafajshëm u burgosën në një proces të gjerë të arrestimeve, në të cilat, rreth 2 mijë njerëz u arrestuan dhe mbaheshin në burgje të ndryshme në Serbi, deri kah fundi i vitit 2002.
Lajmet se disa nga të zhdukurit qëndronin në burgje, u shndërruan në një shpresë për familjarët, ndërsa kjo situatë u shfrytëzua maksimalisht nga mashtruesit, të cilët zhvatën mijëra euro nga familjet e të zhdukurve, duke iu premtuar rrejshëm se do i gjenin familjarët të gjallë në burgje.
