“Revolucioni i flamingove”: Në ditën e 29-të të protestës vazhdojnë thirrjet për dorëheqjen e Ramës

0%

Protestuesit u grumbulluan në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, për të 29-tën ditë. Nga aty, ata nisën marshimin drejt Kryeministrisë. Një prej nismëtarëve të kësaj proteste, Arben Kola, u bëri thirrje qytetarëve duke thënë: “Mes nesh ka patronazhistë që duan të nxisin dhunë. Mos bini pre e provokimeve. Mos përdorni bilbila se shqetësoni gratë me fëmijë”.

Gjatë fjalës së tyre në protestë, ata i bënë thirrje Kryeministrit duke thënë: “Të gënjen mendja nëse mendon se po përçahemi”, raporton TCH. Edhe në protestën e sotme nuk mungon prania e fëmijëve të mitur të cilët prindërit e tyre kanë vendosur t’i marrin me vete në marshim. Disa prej të miturve shihen me qeleshe dhe rroba me motive shqiptare.

Marshimi po zhvillohet nën mbikëqyrjen e forcave të policisë, ndërsa siç raporton Euronews.al protestuesit vijojnë të përsërisin kërkesat e tyre, me thirrjet për largimin e kryeministrit Edi Rama.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Pak ditë më parë, organizatorët bënë publike kërkesat e tyre kryesore, mes të cilave përfshihen dorëheqja e kryeministrit dhe e qeverisë, si dhe krijimi i një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.

Protestat popullore, të cilat shpërthyen pas dhunës së ushtruar nga rojet private të sigurisë ndaj protestuesve në kantierin e resortit në Zvërnec në 30 maj, janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër establishmentit politik në Shqipëri, e vetëquajtur “Revolucioni i Flamingove”.

Protestuesit kërkojnë anulimin e projekteve të mbështetura nga qeveria si investime strategjike në zona të mbrojtura mjedisore, si dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzojnë për një qeverisje të korruptuar, të shoqëruar nga një sërë skandalesh.

Në mënyrë të ngjashme, ata mbajnë përgjegjës edhe kreun e opozitës, Sali Berisha, i cili po gjykohet nga SPAK për akuza korrupsioni dhe pastrimi parash. “Rama n’burg, Berisha n’burg” është kthyer në sloganin kryesor të protestës. Zona ku kanë nisur punimet është pjesë e një peizazhi të mbrojtur me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ajo konsiderohet një nga habitatet më të rëndësishme në Shqipëri për zogjtë e ujit dhe ata migratorë, përfshirë flamingot. Punimet lidhen me planet e shpallura më herët nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump. Në mars të vitit 2024, Kushner deklaroi se synon të ndërtojë hotele dhe qindra vila në zonën e Zvërnecit.

Burimi: Kallxo