Paz: Atmosfera në kombëtaren e Argjentinës na jep besim për të pasur sukses

0%

Talenti i ri i Argjentinës, Nico Paz, ka thënë se atmosfera brenda ekipit dhe mbështetja e lojtarëve me përvojë po luajnë rol të madh në zhvillimin e tij.

Ai ka folur për emocionet e paraqitjes së tij të parë si titullar në Kupën e Botës, në ndeshjen ku Argjentina fitoi 3:1 ndaj Jordanisë, duke regjistruar fitoren e pesëdhjetë në historinë e saj në Kupën e Botës, ndërsa Paz ishte një nga emrat që tërhoqi vëmendjen në këtë takim. Mesfushori i ri ka thënë se harmonia brenda skuadrës është një nga armët më të forta të kampionëve të botës.

“Është shumë e rëndësishme. Kur grupi shkon mirë jashtë fushës, kjo shihet edhe gjatë ndeshjeve. Të gjithë ndihmojmë njëri-tjetrin dhe japim këshilla. Për ne lojtarët e rinj kjo atmosferë është vendimtare, sepse na jep besimin për të treguar cilësitë tona. Kjo ndikon pozitivisht edhe në paraqitjet e ekipit”, ka deklaruar Paz.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Nëntëmbëdhjetë vjeçari ka falënderuar edhe tifozët argjentinas për mbështetjen e madhe që po i japin. “E vlerësoj shumë gjithë përkrahjen që po marr. Njerëzit më kanë pritur në mënyrën më të mirë të mundshme dhe kjo më ndihmon të luaj me qetësi e të tregoj futbollin tim. Mund t’i falënderoj vetëm për këtë mbështetje të jashtëzakonshme”, është shprehur ai.

Paz ka veçuar edhe ndikimin e futbollistëve me përvojë, si Lionel Messi dhe Nicolas Otamendi, të cilët i qëndrojnë pranë në çdo moment. “Mësoj shumë prej tyre çdo ditë. Para dhe pas çdo ndeshjeje më flasin, më japin këshilla dhe më thonë të jem vetvetja, të luaj pa frikë dhe me qetësi. E vlerësoj shumë këtë qasje, sepse po më ndihmon të rritem si futbollist”, ka thënë ai.

Argjentina tashmë ka siguruar kualifikimin në fazën me eliminim direkt, ndërsa Paz beson se skuadra duhet të ndryshojë mentalitetin për sfidat që e presin. “Tani nis një fazë krejtësisht tjetër. Mezi presim të rikthehemi në fushë, por fillimisht duhet të rikuperohemi fizikisht pas një ndeshje shumë të lodhshme.

Më pas do të përqendrohemi te kundërshtari i radhës”, ka thënë talenti argjentinas.

Burimi: Bota Sot