Serbët festojnë Vidovdanin duke provokuar, ndalohen disa prej tyre

0%

Nga: Ardit Kika Shpërndaje në: Pavarësisht se nisi më e qetë sesa vitin e kaluar, tubimi i serbëve në Gazimestan për festimet e Vidovdanit është përmbyllur me disa të arrestuar. Arrestimin e tyre, Lista Serbe e ka cilësuar si përpjekje për frikësim.

E Kisha Ortodokse Serbe ua ka kujtuar serbëve se “do të jenë të mallkuar përjetë nëse e harrojnë Kosovës” Edhe shënimi i sivjetmë i festës së Vidovdanit është përcjellë me disa të arrestuar. Serbët e ndaluar të dielën në Gazimestan, dyshohet se kanë provokuar duke kënduar këngë nacionaliste kundër shtetit të Kosovës.

Para se të niste ceremonia, Policia e Kosovës pas kontrollit të secilit prej pelegrinëve, ua ka shpërndarë nga një letër me disa pika që nuk duhet të shkelën, e që kryesisht kishin të bënin me nxitjen e urrejtjes.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në ceremoninë qendrore, këtë vit nuk ka pasur tentativa për të hyrë me veshje që përmbajnë mesazhe që nxisin urrejtjen ndaj shqiptarëve, por megjithatë, Policia ka njoftuar se ka pasur brohoritje “Kosova është Serbi” e po ashtu edhe këngë kushtuar Kosovës dhe Vidovdanit.

Lista Serbe në reagimin e saj për ndalimin e disa serbëve, ka thënë se pjesëtarë të komunitetit serb janë shoqëruar në polici, “pa arsye”. Kjo parti veprimin e policisë e ka cilësuar si përpjekje për frikësim. Peshkopi i Kishës Ortodokse Serbe, Ilarion, u ka bërë thirrje serbëve që të mos heqin dorë nga Kosova, përndryshe sipas tij, do të jenë të mallkuar në shekujt e ardhshëm.

“Sepse mbretëria qiellore e përkthyer në gjuhën tonë i bie Patriarkana e Pejës. Kjo është mbretëria, banorë të së cilës dëshirojmë ta meritojmë dhe të ngrihemi denjësisht për të. Për këtë, vëllezër e motra çdo ditë e zgjedhim sepse është thirrje dhe mallkim, është ditë aktuale, çdo ditë kush nuk shkon në luftën për Kosovë: Mos pastë kurrë fëmijë dhe i mallkuar qoftë përjetë”, ka thënë ai.

Ilarion u ka thënë pelegrinëve serbë se duhet të jetojnë në lumturi edhe me shqiptarët, por pa hequr dorë nga besa e tyre për Kosovën.

“Natyrisht, asgjë s’mund të na rrëmbehet me dhunë dhe për këtë arsye, kur dikush do që të na rrëmbejë diçka me dhunë, kur do që të na e ndalë zotimin tonë, kur na e ndalojnë fjalën, ne e ruajmë dinjitetin dhe vazhdojmë të ekzistojmë madje edhe në vend të tmerrshëm. Faleminderit që vini e shkoni dhe përhapni mesazhin e paqes.

Të gjithëve flituni mirë dhe të gjithëve duajani të mirën, edhe fqinjëve tanë që jetojnë me ne, u dëshirojmë të mira dhe që në lumturinë ta trashëgojmë bashkë me ta. I tillë është besimi i krishterë, që të gjithëve t’ua dëshirojmë të mirat, por që të vërtetën dhe dinjitetin të mos e japim apo ta shesim lirë”, ka thënë ai.

E ngjashme ka qenë edhe fryma e meshimit në Manastirin e Graçanicës, ku Mitropoliti i Kishës Ortodokse Serbe i Malit të Zi u ka bërë thirrjes serbëve ortodoksë për të kultivuar dashurinë për Kosovën, vendet e saj të shenjta, dhe siç la thënë ai “veçanërisht për popullin e kryqëzuar të Kosovës”.

Për Vidovdan zakonisht mblidhen serbë nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit çdo 28 qershor për ta përkujtuar betejën kundër ushtrisë osmane në Kosovë në vitin 1389. Vidovdani është gjithashtu festë fetare, ndërsa Kisha Ortodokse Serbe tradicionalisht mban një shërbesë përkujtimore për ushtarët e rënë në atë që njihet si “Beteja e Kosovës”.

Gazimestani në Kosovë njihet gjithashtu për fjalimin që presidenti i atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq, e ka mbajtur në vitin 1989. Ai fjalim shpesh vlerësohet si hyrje në konfliktet e armatosura që pasuan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.

Burimi: Koha