Shpërndaje në: Policia e Kosovës ka njoftuar se manifestimet e mbajtura të dielën me rastin e Vidovdanit kanë përfunduar pa incidente të theksuara. Policia bëri të ditur se gjatë manifestimeve nuk është raportuar asnjë incident që ka ndikuar në mbarëvajtjen e tyre.
Megjithatë, 37 persona janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, pasi, sipas policisë, kanë provokuar pjesëmarrësit me thirrje provokuese që përmbanin elemente të nxitjes së urrejtjes, në kundërshtim me dispozitat ligjore. Po ashtu, një person është gjobitur për prishje të rendit dhe qetësisë publike.
Sipas Policisë së Kosovës, të gjitha veprimet janë zhvilluar në koordinim me organet e drejtësisë. Pas intervistimit, 37 personat janë proceduar në gjykatë dhe janë në pritje të vendimit gjyqësor. Bëhet e ditur se pas përfundimit të aktiviteteve në orët e pasdites, të gjithë pjesëmarrësit janë shpërndarë në mënyrë të qetë.
Sipas njoftimit, autoritetet policore kishin hartuar dhe zbatuar masa planifikuese, koordinuese, parandaluese dhe operativo-hetimore në të gjitha departamentet dhe rajonet policore, me qëllim që aktivitetet të zhvilloheshin të qeta dhe të sigurta.
