Mungesa e konsultimeve mes partive ngre shqetësime për krizë të re politike

0%

Nga: Rrezon Gashi Shpërndaje në: Ndonëse rezultati përfundimtar i zgjedhjeve është shpallur, nuk ka asnjë lëvizje nga partitë politike lidhur me konsultimet për formimin e institucioneve të reja. Sipas analistit politik, Adrian Zeqiri, ky është tregues se qëndrimet e parazgjedhjeve për presidentin nuk kanë ndryshuar.

E ambasadori i Suedisë ka bërë thirrje për unitet kombëtar Procesi zgjedhor i është afruar përmbylljes, pasi të dielën gjatë ditës nuk pati asnjë ankesë lidhur me rezultatet përfundimtare të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shtunën.

Nëse asnjë nga palët nuk i drejtohet Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, deri të hënën në mesditë, KQZ-së i hapet rruga për certifikimin e rezultateve. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka paralajmëruar nisjen e negociatave me partitë politike sapo të përmbyllet procesi zgjedhor.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas analistit politik, Adrian Zeqiri, mosnisja e takimeve e konsultimeve mes subjekteve deri tash, është tregues se nuk kanë ndryshuar qëndrimet sa i përket çështjes së presidentit, me ato që i kishin para zgjedhjeve.

“Në këtë jogatishmëri të partive politike që të kyçen në një proces të dialogimit për çështjet e hapura të ndërtimit të institucioneve, është më shumë që nuk kanë ndryshuar, së paku jo në deklarimet publike, qëndrimet e partive politike të cilat tanimë janë të njohura që ishin të njohura edhe para zgjedhjeve dhe si rezultat i këtyre qëndrimeve patëm zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka thënë Zeqiri.

Zgjedhjet e 7 qershorit ishin të dytat të jashtëzakonshme radhazi, dhe u mbajtën 6 muaj pas atyre të 28 dhjetorit. Legjislatura X u shpërnda pasi deputetët dështuan të zgjedhin presidentin. Sipas Zeqirit, qëndrimet e para 7 qershorit e çuan vendin në zgjedhje. Ai thotë se sërish mund të ketë krizë institucionale.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk ka nevojë për koalicion qeverisës dhe kjo ndoshta e bënë më të vështirë marrëveshjen me ndonjë parti politike, sepse marrëveshja do të përfshinte vetëm çështjen e presidentit dhe jo të bashkëqeverisjes. Kështu që unë parashoh një situatë të krizës, vazhdim të krizës institucionale me këto qëndrime të cilat veç i dimë”, ka thënë ai.

E, ambasadori i Suedisë, Jonas Westerlund, ka thënë se në kryeqytet evropiane situata në Kosovë po përcillet me shqetësim. Sipas tij, një krizë e re politike duhet shmangur. Westerlund ka thënë se mungesa e bashkëpunimit në mes të partive politike është shndërruar në dukuri në të gjitha shtetet e Evropës, por sipas tij, politikanët në Kosovë duhet të tregojnë vetëdije më të lartë.

“Kosova, si një komb i ri, është më e cenueshme se shtetet e tjera. Mendoj se është e rëndësishme që të gjitha partitë politike të përpiqen të kenë një lloj uniteti kombëtar dhe të formojnë një qeveri.

Nuk do të specifikoj ndonjë aktor politik që është fajtor këtu, mendoj se të gjithë duhet të bashkohen dhe të krijojnë një lloj uniteti kombëtar për këtë çështje”, ka thënë ambasadori suedez. Gjatë javës përfaqësues të Vetëvendosjes kanë thënë se zgjidhja për presidentin është një emër jopartiak dhe konsensual, qëndrim që kanë mbajtur edhe para zgjedhjeve.

Partia Demokratike pati insistuar që president të zgjidhet kandidati që e propozojnë vetë. E në Lidhjen Demokratike në zgjedhje garuan me Vjosa Osmanin si kandidate. Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka deklaruar se partia që drejton nuk kërkon poste në këmbim të votave për presidentin, por zotim që të plotësohen 6 kërkesa që ai i ka quajtur strategjike për zhvillimin e vendit.

Burimi: Koha