Përdorimi i internetit për radikalizëm dhe financim të terrorizmit tashmë është një formë e re e cila po trajtohet nga autoritetet e sigurisë. Nga forma klasike tashmë grupet e dyshuara kanë nisur që platformat online dhe kriptovalutat t’i konsiderojnë mjete që mund të shfrytëzojnë për rekrutim, propagandë dhe transferim të fondeve larg mbikëqyrjes tradicionale financiare.
Një rast i tillë po hetohet edhe në Kosovë. Në fillim të këtij muaji, në një operacion të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, u arrestuan tre persona të dyshuar për përfshirje në një skemë që dyshohet se kishte për qëllim financimin e aktiviteteve terroriste përmes kriptovalutave.
Në kërkesën për caktimin e paraburgimit të prokurorit special Bekim Kodraliu, thuhet se dy nga të dyshuarit e grupit që u arrestua në fillim të qershorit, Spartak Dërmaku dhe Blerim Krasniqi kishin përdorur rrjetin social Telegram për të mbledhur fonde nga persona që ndodheshin në Gjermani.
Sipas dosjes, paratë prezantoheshin si donacione për qëllime humanitare, ndërsa më pas konvertoheshin në kriptovaluta dhe transferoheshin në adresa të lidhura me financimin e organizatës terroriste ISIS. Në mesin e të arrestuarve është edhe Arian Aliaj, i cili në vitin 2016 ishte dënuar me dy vjet e gjashtë muaj burgim pasi kishte marrë pjesë në luftimet në Siri.
Ai ishte arrestuar nga autoritetet turke gjatë kthimit nga Siria, përpara se të riatdhesohej në Kosovë. Në hetimin aktual, Aliaj nuk dyshohet për financim të terrorizmit. Sipas Prokurorisë Speciale, ai dyshohet për përfshirje në një skemë të mashtrimit me kriptovaluta dhe në një rast të detyrimit.
Asdren Bytyqi është avokat i Arian Aliajt dhe i njëjti për KALLXO.com ka thënë se prokuroria ka bazë vetëm për një vepër penale atë për armë e cila posedohej nga Aliaj e që kishte qëllimin e shitjes së saj.
“Ndaj klientit tim, parimisht janë supozime kryerja e veprave penale të krimit të organizuar dhe shpërlarjes së parave të cilat si vepra bazë kanë veprën e detyrimit dhe mashtrimit” – ka thënë avokati Bytyqi për klientin e tij dhe kërkesën e prokurorisë speciale. Sipas tij kërkesa e prokurorit Kodraliu është e paqartë dhe se nuk ka të dhëna të detajuara për klientin e tij.
“Fillimisht për çfarë vepre, prokuroria vetë fillimisht ka thënë që dyshojmë në kontrabandim tregtim me armë ose armëmbajtje pa leje e që në realitet është një armë personale një revole e cila i është nxënë klientit tim i cili e pranon përgjegjësinë penale.
Mirëpo fakti që i njëjti dyshohet se armën e tij ka tentuar që ta shesë ta heq domethënë mos të mbajë më armë pa leje prokuroria ka dashur që të ngarkojë pra t’ia ka ngarkojë padrejtësisht edhe fillimisht dyshimin për ta vendosur në paraburgim, se gjëja domethënë ka bërë kontrabandim me armë që nuk ka bazë sepse nuk ka vepër të kontrabandimit me armë” – thotë Bytyqi tutje.
Bytyqi tregon edhe se i gjithë rasti për klientin e tij ka nisur duke u bazuar në dëshminë e një personi pak kohë më parë. “Baza e dyshimit fillestar ndaj klientit tim lidhen me një rast që s’ka të bëjë me klientin tim fare.
Mirëpo që prokuroria unë mendoj që nuk ka informacione të plota, sepse prokurori mendoj që këto hetime janë bërë dy vjet e gjysmë prej policisë dhe prokurori vonë mendoj që ka marrë informacione të qartë gjithë kësaj pasqyre të gjë domethënë të përgjimeve, të fotografimeve, të incizimeve të cilat janë bërë ndaj këtyre të dyshuarve.
Aty ka të bëjë me një rast që ka të bëjë me ….., një shtetas i Maqedonisë që ka qenë bashkëpunëtor në biznes me klientin tim” – përfundon Bytyqi për klientin e tij. Në anën tjetër, përveç Aliajt, në këtë rast dyshohet për përfshirje edhe Spartak Dërmaku e Blerim Krasniqi.
Prokuroria pretendon se në shtator të vitit 2024 janë transferuar 62 mijë e 625 dollarë në një adresë të identifikuar, adresë kjo e lidhur me aktivitete të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Hetimet kanë identifikuar edhe një transaksion tjetër prej 10 mijë dollarësh, të realizuar në qershor të vitit 2023, si dhe 12 transfere të tjera, me vlerë të përgjithshme prej 152 mijë e 720 dollarësh. Sipas Prokurorisë, vlera e aseteve që posedonin të dyshuarit arrinte në disa qindra mijëra euro.
Hetimi që çoi në arrestimin e Aliajt, Dërmakut e Krasniqit, kishte nisur më shumë se dy vjet më parë dhe ishte zhvilluar me mbështetjen e mekanizmave ndërkombëtarë. Sipas dosjes, rasti u zbulua pasi një person raportoi në Polici se ishte mashtruar gjatë blerjes së kriptovalutave.
Prokuroria pretendon se në shtator të vitit 2023, pasi viktima kishte ardhur në Kosovë, ai ishte takuar me Spartak Dërmakun, Arian Aliajn, Blerim Krasniqin dhe një person tjetër. Disa ditë pas takimit të parë, sipas Prokurorisë, viktima ishte marrë me forcë, ishte sulmuar fizikisht dhe ishte kërcënuar që të paguante një milion euro.
Në dosje thuhet se të dyshuarit e kishin kërcënuar me vrasje nëse nuk ua dorëzonte shumën e kërkuar. Denoncimi i këtij rasti, sipas hetuesve, zbuloi një skemë më të gjerë që përfshinte mashtrim, kriptovaluta dhe transfere ndërkombëtare të parave.
Prokuroria Speciale pretendon se Arian Aliaj dhe Spartak Dërmaku, përmes një biznesi të kriptovalutave në Prishtinë dhe skemave të tjera që përfshinin mashtrimin e shtetasve evropianë, kishin përfituar shuma që arrinin në qindra mijëra euro. Sipas dyshimeve, këto mjete më pas konvertoheshin në kriptoasete dhe transferoheshin në llogari të dedikuara për pastrim parash.
Në mesin e të arrestuarve është edhe Spartak Dërmaku. Sipas Prokurorisë Speciale, ai dyshohet se ishte pjesë e një skeme që përdorte kriptovalutat për të financuar aktivitete terroriste.
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se Dërmaku kishte përdorur llogari të ndryshme bankare, përfshirë edhe një llogari në emër të nënës së tij, për të mbledhur fonde dhe donacione përmes grupeve të mbyllura në aplikacionin Telegram. Sipas dyshimeve, mjetet e grumbulluara konvertoheshin në kriptovaluta dhe më pas transferoheshin në adresa të lidhura me financimin e organizatës terroriste ISIS.
Prokuroria pretendon se këto veprime Dërmaku i kishte kryer në bashkëpunim me Blerim Krasniqin, i cili po ashtu është arrestuar në këtë rast.
Në kërkesën për paraburgim, prokurori Bekim Kodraliu thekson se të dyshuarit “në bashkëkryerje dhe me qëllim të realizimit të të ardhurave nga aktiviteti kriminal, kanë ofruar fonde organizatave me qëllim të financimit apo kontributit për kryerjen e veprave terroriste”.
Sipas Prokurorisë, transferet ishin realizuar përmes kriptovalutave në adresa të ndryshme, përfshirë edhe llogari fiktive. Adresat për pranimin e donacioneve shpërndaheshin në grupe në Telegram që synonin audiencën gjermanfolëse, me qëllim mbledhjen e fondeve për organizatën terroriste.
Hetimet e Policisë së Kosovës, të zhvilluara në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë të sigurisë, kanë identifikuar një sërë transaksionesh të realizuara gjatë vitit 2024. Sipas dosjes së Prokurorisë, një pjesë e këtyre mjeteve ishte transferuar në një adresë të koduar me emrin “Pëshpërimat e të Harruarve”.
Avokati i Dërmakut, Ilir Rama thotë se qëndrimet e prokurorisë nuk qëndrojnë dhe se klienti i tij është deklaruar se kriptovalutat nuk i ka përdorur për veprime të kundërligjshme.
“Nga sa kam parë unë dhe sipas kërkesës së prokurorisë, përmenden tre persona të cilët unë nuk i njoh, po ashtu edhe i mbrojturi im nuk ka qenë pjesë e ndonjë veprimtarie kriminale të ndërlidhshme me personat e tjerë.
Prokuroria speciale pretendon se klienti im ka pasur një rol të caktuar në këto veprime, por unë mendoj se një gjë e tillë nuk ka mundur të jetë dhe për më tepër, asnjë veprim apo qëllim klienti im nuk ka pasur të kryejë ndonjë vepër penale apo të përfshihet në ndonjë organizim të tillë”- thotë Rama për KALLXO.com. Rama shpjegon edhe pretendimet e prokurorisë speciale.
“Klienti im pretendohet se ka financuar dhe ka fshehur llogari të ndryshme. Janë bërë thjesht transfere në gjerë/llogari të dyshimta, gjë që nuk ka mundësi të jetë se klienti im ka qenë i përfshirë në këtë rast. Klienti im faktikisht nuk është deklaruar, ka shkuar në heshtje.
Por gjatë bisedës me të, i njëjti thotë se ka punuar me kriptovaluta, por nuk ka pasur ndonjë gjë që ka qenë e paligjshme. Nga ana e klientit qëllimi ka qenë i ligjshëm, dhe nuk ka pasur qëllime apo njohuri për ndonjë aktivitet të kundërligjshëm”- vazhdon avokati për klientin e tij. Rama përmend faktin se klienti i tij nuk ka financuar terrorizmin.
“Edhe njëherë po e ripotencoj se klienti im nuk ka financuar asnjëherë terrorizëm dhe nuk ka pasur dijeni që ndonjë transfer apo transaksion i mundshëm të ketë qenë i lidhur me aktivitete të tilla.
Çdo përdorim i kriptovalutave nga ana e klientit tim ka qenë për qëllim të ligjshëm dhe nuk ka pasur qëllim apo njohuri për ndonjë aktivitet të kundërligjshëm”- përfundoi avokati i Spartak Dërmakut.
Avokati i Blerim Krasniqit, nuk ka pranuar të flasë në lidhje me rastin për KALLXO.com, ndërsa në seancën e cila është mbajtur për caktimin e masës së sigurisëi njëjti kishte pretenduar se klienti i tij nuk ka ndonjë veprim konkret që dyshohet se ka kryer e që është përshkruar në kërkesën e Prokurorisë Speciale.
“Blerim Krasniqit askund në asnjë rast të vetëm nuk keni me mujtë me i gjetë ndonjë veprim konkret të tij në drejtim të veprave penale, pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal, detyrim, narkotikë, armë, të gjitha veprimet e tij lidhur me punën e tij lidhur me transaksionet e kriptovalutave edhe sikur kjo të kishte qenë e vërtetë ashtu si përshkruan, cila është lidhja e punës së Blerim Krasniqit me organizatat që mbledhin fonde e që janë organizata të dyshimta që financojnë ISIS e të tjerë, a është ky pjesëmarrës në njërën nga këto organizata a ka kontakt me ata persona të këtyre organizatave, a ka shku fiikisht me u taku me ata persona dhe a ka biseduar me çështje të terrorizmit me ata persona, asnjëra nga këto nuk qëndrojnë andaj edhe nuk na jepen provat jo se ka diçka aty që fshihet, unë po dyshoj që raporti i FBI dhe Liteshtajnit ka lidhshmëri me diçka tjetër dhe kurrkund nuk përmendet Blerimi, po dyshoj se nuk kam pa”- është një pjesë e deklarimit të Florent Latifaj në seancë ndaj klientit të tij.
Prokuroria Speciale, Policia e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë po hetojnë një rrjet të dyshuar që, sipas autoriteteve, kishte përdorur kriptovalutat për të mbledhur dhe transferuar fonde për financimin e terrorizmit. Hetimet kanë identifikuar transfere me vlerë prej qindra mijëra eurosh.
Ky konsiderohet një nga rastet e para në Kosovë ku dyshohet se kriptovalutat janë përdorur për financimin e terrorizmit. Ekspertët e sigurisë vlerësojnë se grupet terroriste kanë nisur të shfrytëzojnë gjithnjë e më shumë teknologjitë digjitale për të fshehur gjurmët financiare.
Përmes konvertimit të parave në kriptovaluta, fondet mund të transferohen më lehtë drejt individëve ose organizatave të lidhura me terrorizmin. Pikërisht për këtë arsye, hetimet mbi kriptoasetet nuk trajtohen më vetëm si raste të krimit financiar, por edhe si çështje që prekin drejtpërdrejt sigurinë kombëtare.
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, tani avokat, Reshat Maliqi në një intervistë për KallxoPernime, tregon për të kaluarën dhe financimin që është bërë në formën klasike. “Në të kaluarën mjetet financiare që i kanë financuar strukturat paralele në Kosovë.
Ne shumë i kemi takuar në kufij, bagazhin plot thasë me para që kanë ardhë, gjëra se po financohen me ato mjete strukturat paralele që kanë funksionuar dhe të cilat i ka financuar pushteti i Serbisë. Mirëpo nuk dihet saktësisht se ku kanë shkuar ato mjet dhe për çfarë qëllimi. Atëherë janë arsyetuar se ato i financojnë arsimtarët, shëndetësinë apo persona të tjerë.
Mirëpo në të njëjtën kohë a janë vërtetuar edhe shumë organizata humanitare që kanë funksionuar në Kosovë, selinë e tyre e ka pas jashtë territorit të Kosovës.”- shpjegon ish- drejtori i policisë. Sipas Maliqit, veprimtaria e ISIS e kaluar në luftën hibride, përdoret për qëllime të ndryshme.
“Ne duhet të bëjmë përpjekje thash përmes drejtorisë financiare që të shohim se nga po vijnë mjetet, nga po shkojnë mjetet dhe të kemi informata të mjaftueshme lidhur me këto kriptovaluta ku janë, ku po i vendosin.
Në disa aksione janë gjetur një numër i madh i kriptovalutave të vendosura edhe nëpër shtëpi të zbrazura që tani në Kosovë.” – thotë Maliqi deri sa shton edhe se organet e rendit duhet të fokusohen më shumë në hetimin e këtyre monedhave dixhitale dhe pronësinë e tyre. Reshat Maliqi thotë edhe se me avancimin e teknologjisë edhe grupet kriminale avancojnë në përdorimin e tyre.
“Tash çdo ditë e më tepër kriminelët heqin dorë prej formave klasike të kryerjes krimit sepse jenë të vetëdijshëm që përmes formave të tilla kanë lënë gjurmë që është lehtë e indetifikueshme dhe të arrestohen. Ata e tani ata po përdorin të arriturat shkencorem përmes pajisjeve dixhitale, kriptovalutave, të kryjnë vepra, sepse ato nuk dëshmojnë ndonjë identitet” – thotë ai.
“Normalisht se këto mjete tani shfrytëzohen për qëllime politike, qëllime fetare apo qëllime çfarëdo qofshin, atëherë për ndryshimin e politikës së një shteti apo rrëzimin e ndonjë qeverie apo ndryshimin e kauzës shtetërore dhe qëllime të tjera”- shpjegon tutje Maliqi. Përgjatë intervistës, Maliqi thotë edhe se grupet ekstremiste për të arritur qëllimin e tyre nuk anashkalojnë as fëmijët.
“Për terroristët me rëndësi është arritja e qëllimit përfundimtar, te ata nuk ka pardon dhe nuk përjashtohen as fëmijët, as vajzat, as personat e moshuar, kushdo qoftë që mund atyre t’ju shërben për arritjen e qëllimit përfundimtar, ata e përdorin.
Po them nuk ka pardon dhe për qëllime të tilla jemi i bindur që fëmijët t’i mashtrojnë dhe t’i rekrutojnë që edhe tash fëmija të jenë pjesë e aktiviteteve të tilla në të ardhmen”- shton Maliqi. Në fund ai thotë se forma dixhitale e financimit të terrorizmit është me e rrezikshme sepse është e padukshme. “Është shumë vështirë me ardhë deri te informacioni.
Këto janë forma të fshehta të financimit, rekrutimit e trajnimeve dhe këto forma janë shumë më të rrezikshme”- përfundon ai. Ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës dhe njohës i fushës për luftimin e terrorizmit, Burim Ramadani thotë se forma e re e financimit të terrorizmit përmes kriptovalutave tashmë e identifikuar në Kosovë në vendet e tjera ka nisur në vitin 2019.
“Kryesisht ka nisur nga viti 2019 me hov të madh nga rrjeti i Hamasit. Ata kanë arritur t’u shtinë në kokë njerëzve se kjo është një formë e sigurt dhe e pagjurmueshme për financimin e terrorizmit, përhapjen e urrejtjes dhe të narrativave armiqësore ndaj shteteve perëndimore.
E vërteta është e kundërt, nuk ka krim perfekt dhe asgjë nuk është e pagjurmueshme, thjesht kërkon kohë” – thotë Ramadani. Sipas tij, ideologjitë ekstremiste dhe të dhunshme nuk kanë përfunduar dhe ato mbeten sfida afatgjata edhe pse niveli i angazhimit mund të jetë më i vogël se një dekadë më parë.
“Mundësia e krijimit të celulave të reja ekziston ende, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë Ballkanin dhe botën. Për Kosovën, është e domosdoshme që të ketë një program qeveritar dhe shoqëror funksional në vazhdimësi.
Institucionet duhet të ri-forcojnë angazhimin e tyre inteligjent, pasi ngritja e fondeve për terrorizëm në hapësirën virtuale është një dimension i ri që kërkon rritjen e kapaciteteve të shtetit”- shton tutje Ramadani. Sipas Ramadanit, financimi i terrorizmit nuk bëhet drejtpërdrejt, por përdoret mashtrimi si formë. “Janë dy dimensione përmes të cilave i bindin njerëzit.
Dimensioni i parë është ideologjia e ekstremizmit të dhunshëm, ku ka njerëz që duan ta bëjnë këtë. Dimensioni i dytë është mashtrimi. Pjesë e madhe e njerëzve që kanë financuar terrorizmin në botë me kriptovaluta kanë qenë të mashtruar, pa e ditur qëllimin që synon përhapjen e narratives armiqësore dhe urrejtjes” – tregon ai.
Sipas Ramadanit në vitin 2025, ka pasur një bashkëpunim mes celulave të Al-Kaidës dhe Hamasit përmes një platforme për të mbledhur rreth 200,000 dollarë. “Po ashtu kemi rastin e Federatës Ruse, që për t’i ikur sanksioneve perëndimore ka mbledhur dhjetëra miliona dollarë për të financuar aktivitete destabilizuese” – thotë Ramadani.
Sipas Ramadanit, përveç grupeve të dyshuara me ideologji ekstremiste në bazë religjioze, forma e financimit të terrorizmit përmes kriptovalutave mund të bëhet lehtë dhe nga grupet e ekstremit të djathtë. “Rreziku është instrument i njëjtë për të gjitha ideologjitë ekstremiste, qofshin ato fetare apo të ekstremit të djathtë.
Kosova ka domosdoshmëri për investime enorme në mbrojtjen kibernetike, por fatkeqësisht, Agjencia për Sigurinë Kibernetike ende nuk është funksionalizuar plotësisht, edhe pse ligji është miratuar që në vitin 2023.
Rreziku në veriun e Kosovës nga ekstremi i djathtë është absolutisht i ndërlidhur me platformën ruse për destabilizimin e Ballkanit, që përdor të njëjtat forma me bindjen e rreme se janë të pagjurmueshme”- përfundon Ramadani. Në Kosovë tashmë Ligji për Kripto-asetet është në fuqi që nga viti 2024.
Banka Qendrore e Kosovës në shtator të vitit të kaluar pati edhe kornizën e parë rregullative për ofrimin e shërbimeve për këmbimin e kriptoaseteve.
Drejtori i Departamentit të mbikëqyrjes së tregjeve, institucioneve financiare, institucioneve të pagesave e parasë elektronike, në Bankën Qendrore të Kosovës, Sokol Shasivari thotë se rregulloret dhe ligji parasheh saktësisht se kush mund të regjistroj kripto-asetet në Kosovë.
“Në kuadër të Ligjit, mirëpo edhe të rregullores janë shumë qartë të specifikuara kërkesat që çdo bordi të drejtuesit të këtyre ndërmarrjeve, por edhe ndërmarrjeve të tjera financiare ose operatorë po i quajmë të kriptoaseteve duhet të i përshtaten. Është shume e qartë korniza ligjore se kush mund të jetë pronarë i operatorëve të shërbimeve të kripto-asteve”- thotë Shasivari.
Shasivari tregon edhe rolin që ka Banka Qendrore e Kosovës në rregullimin e kripto-aseteve. “Banka Qendrore sipas ligjit për kripto-aseteve dhe rregulloreve të tjera që I kemi në draftim e sipër, ka rol licencues dhe mbikëqyrës pra ka rol edhe për të heq licencën.
Në kuadër të saj ka edhe divizionin kundër shpërlarjes së parave dhe terrorizmit por autoriteti kompetent është Njësia për Inteligjencë Financiare, në të gjitha proceset kemi pasur bashkëpunim të madh e të mirë me NJIF”- thotë Shasivari. Sipas tij aktualisht BQK nuk ka informacione se sa mjete futen apo nxirren nga Kosova përmes kriptovalutave.
KALLXO.com përmes artikujve, analizave por edhe përmes emisioneve të shumta ka raportuar për rrezikun që ekziston nga grupet e dyshuara të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.
