Legjenda e karatesë shqiptare, Enver Idrizi, ka uruar 31-vjetorin e gazetës kombëtare “Bota sot”, duke vlerësuar lart rolin dhe kontributin e saj ndër vite. Idrizi, i cili në vitet e 90-ta ngriti lart emrin e shqiptarëve në botë, tha se “Bota sot” ka qenë një nga zërat më të fuqishëm të informimit të kombit shqiptar në periudhat më të vështira. “Është gazeta më e mirë që ekziston.
Është gazeta më e mirë në botë. Një gazetë që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në vitet më të vështira, kur shqiptarët përballeshin me terr informativ, duke informuar me guxim dhe profesionalizëm për zhvillimet politike, kulturore, sportive dhe shoqërore që përjetonte Kosova”, ka thënë Idrizi.
Ai theksoi se gazeta ka qenë frymëzim për breza të tërë lexuesish dhe ka luajtur rol të rëndësishëm në pasqyrimin e ngjarjeve me interes kombëtar. “Gazeta ka qenë dhe mbetet frymëzim ndër vite. Ka qenë një zë i fuqishëm i sportit në përgjithësi, me gazetarin Kemajl Goca. Në faqet e saj shtjellohen tema të shumta dhe raportohen ngjarje të ndryshme.
Po ashtu, i kushtohet rëndësi e veçantë arritjeve të sportistëve shqiptarë kudo që jetojnë e veprojnë, duke dokumentuar edhe historinë e tyre të lavdishme”, u shpreh ai. Në fund, legjenda botërore e karatesë uroi që “Bota sot” të vazhdojë misionin e saj edhe për shumë dekada të tjera. “Uroj që gazeta të festojë edhe mbi 100 vjet të tjera me suksese ”, përfundoi Idrizi.
