Afati i aplikimeve për subvencionet e fermerëve në kuadër të Skemës Kombëtare të Bujqësisë është shtyrë me 10 ditë. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovë, Armend Muja.
Ministri Salla tha se vendimi për shtyrjen e afatit është marrë për shkak të numrit të lartë të aplikimeve të regjistruara gjatë ditëve të fundit. Nga 26 qershori që ishte afati i fundit për aplikime, afati i ri do të jetë deri më 6 Korrik. “Këto ditë kemi pasur një rritje të ndjeshme të numrit të aplikimeve.
Për t’u dhënë mundësi sa më shumë fermerëve të bëhen pjesë e Skemës Kombëtare, kemi vendosur ta shtyjmë afatin edhe me 10 ditë” , deklaroi ai. Sipas ministrit, deri më tani kanë aplikuar rreth 40 mijë fermerë, ndërsa interesi është shtrirë pothuajse në të gjitha 12 masat mbështetëse të skemës.
Ministri Salla theksoi se sektori i blegtorisë ka shënuar një interes të veçantë për aplikime, i nxitur edhe nga rritja e vlerës së mbështetjes për krerët e bagëtive. “Blegtoria ka pasur një interes të shtuar për aplikime, duke përfituar nga rritja e vlerës për krerë. Siç e theksova, ditët e fundit numri i aplikimeve ka qenë maksimal.
Me këtë shtyrje synojmë t’u japim mundësi edhe atyre fermerëve që nuk kanë arritur të aplikojnë brenda afatit fillestar” , u shpreh ministri. Fondi në dispozicion nëpërmjet Skemës Kombëtare të Bujqësisë për vitin 2026 është në vlerën e 2.5 mld lekëve. Për 2026 skema kombëtare pati një sërë ndryshimesh.
Krahasuar me vitin 2025 u rritën vlera e mbështetjes për blegtorinë dhe u përgjysmuan pragjet për numrin e kafshëve në fermë për përfitim të subvencioneve. Mbështetja për lopët: nga 10 mijë lekë për krerë që ishte më parë arrin në 12 mijë lekë për krerë.
Mbështetja për koshere bletësh: nga 10 mijë lekë që ishte më parë arrin në 20 mijë lekë Mbështetja për bagëti të imëta: nga 1,200 lekë arrin në 1,500 lekë. Për herë të parë, përfshihet mbështetja për dosët në sektorin e derrave. Mbështetja do të jetë 7 mijë lekë për dosë në një fermë me jo më pak se 5 dosa.
Pragjet e reja, u përcaktuan , si: Ferma me jo më pak se 5 lopë nga jo më pak se 10 lopë që ishte më pare. Ferma me 50 krerë të imëta nga 100 krerë që ishte në skemën e mëparshme. Rritësit e bletëve me jo më pak se 25 koshere nga jo më pak se 50 koshere që ishte më parë.
Por nga ana tjetër në skemën e re Kombëtaret për mbështetjen në Bujqësi u hoq skema e dhënies së naftës pa akcizë për fermerët, një vendimmarrje që u prit me shqetësim nga fermerët, të cilët protestuan kundër heqjes së saj.
