Data , e shtunë, zë një vend të veçantë në kujtesën time dhe në historinë e rezistencës institucionale të shqiptarëve të Kosovës.
Ishin vetëm pesë ditë pas shpalljes së Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 dhe vetëm dy ditë pas vendimit të autoriteteve të Serbisë për ta shpërbërë me dhunë Kuvendin dhe organet dhe institucionet e Kosovës: Abrogimi i Kuvendit të Kosovës; Mbyllja e dhunëshme e Radio-Televizionit të Prishtinës (RTP); Mbyllja e Ndërmarrjes “Rilindja”; Mbyllja e gazetës ditore “Rilindja” dhe të gjitha revistave dhe botimeve, etj.
Regjimi fashist i Millosheviqit kishte filluar të vendoste kontroll të plotë policor mbi institucionet krahinore, duke e zëvendësuar rendin kushtetues me administrimin e forcës së policisë së Serbisë. Asokohe, në administratën krahinore dhe asaj të Kuvendit të Kosovës punohej edhe një e shtunë në muaj, zakonisht e shtuna e parë e muajit. Sipas orarit zyrtar, puna fillonte në orën -.
Si zakonisht, unë u paraqita rreth orës në vendin tim të punës në Bashkësinë Punonjëse të Kuvendit të Kosovës. Në hyrje të ndërtesës qëndronte policia serbe, e vendosur aty pas ndërhyrjes së dhunshme të 5 korrikut. Njëri nga policët më kërkoi legjitimacionin e punës, e kontrolloi dhe më lejoi të hyja në zyrë. Për një çast krijohej përshtypja se puna do të zhvillohej normalisht.
Mirëpo, pas rreth gjysmë ore, në zyrë hyri një polic tjetër serb. Me një ton urdhërues dhe pa asnjë shpjegim juridik, më urdhëroi ta liroja menjëherë zyrën dhe të largohesha nga ndërtesa, me arsyetimin se ishte ditë feste. Në të vërtetë, bëhej fjalë për festën shtetërore të Serbisë, të cilën ne, pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut, nuk e konsideronim më festën tonë.
Për ne, rendi kushtetues kishte ndryshuar. Legjitimiteti politik dhe juridik i institucioneve të Kosovës nuk buronte më nga Serbia, por nga vullneti i shprehur i delegatëve të Kuvendit të Kosovës. Së bashku me shumë kolegë u detyruam ta lironim ndërtesën. Para Kuvendit pamë një skenë domethënëse: dhjetëra punonjës të administratës as që ishin lejuar të hynin në objekt.
Përballë tyre qëndronte një kordon prej rreth njëzet deri në tridhjetë policësh serbë. Disa ishin të pajisur me armë automatike, helmeta dhe mjete të tjera speciale. Përmes megafonit urdhëronin vazhdimisht që të shpërndaheshim, duke përsëritur se “sot nuk punohet, sepse është festë”. Askush nuk lëvizi nga vendi Qëndronim të vendosur, të qetë dhe dinjitozë.
Nuk ishte një protestë e dhunshme, por një akt i qartë mospranimi të pushtetit që kishte shkelur Kushtetutën, kishte suprimuar institucionet demokratike të Kosovës dhe kërkonte të impononte edhe simbolet e festat e veta shtetërore. Si kryetar i Pleqësisë së Bashkësisë Punonjëse të Kuvendit të Kosovës, unë së bashku me kolegët e tjerë, qëndronim në rreshtin e parë.
Prania jonë aty nuk kishte karakter konfrontues; ajo shprehte bindjen se administrata e Kuvendit kishte detyrim moral dhe institucional ta mbronte dinjitetin e institucionit ku shërbente. Pas një kohe në vendngjarje erdhi akademiku Zekerija Cana, i angazhuar në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.
Duke mos qenë i informuar plotësisht për zhvillimet e atij mëngjesi, ai na sugjeroi që t’i formulonim kërkesat tona me shkrim dhe të shpërndaheshim në mënyrë paqësore. Ne, megjithatë, mendonim ndryshe.
Qëndrimi ynë para Kuvendit ishte vetë mesazhi Nuk protestonim për një çështje të zakonshme pune, por shprehnim refuzimin tonë ndaj uzurpimit të institucioneve të Kosovës dhe ndaj imponimit të autoritetit të Serbisë mbi to. Vetë prania jonë e heshtur para ndërtesës ishte një deklaratë politike dhe morale!
Në retrospektivë, 7 korriku 1990 nuk ishte thjesht një ditë kur punonjësit u penguan të hynin në vendet e tyre të punës. Ishte një ditë e rëndësishme e rezistencës civile dhe institucionale. Ajo dëshmoi se administrata shqiptare e Kuvendit të Kosovës nuk e pranoi në heshtje dhunën shtetërore, por reagoi me dinjitet, disiplinë dhe përgjegjësi qytetare.
Përfundim Historia e rezistencës së Kosovës nuk është ndërtuar vetëm mbi vendimet e mëdha politike dhe aktet kushtetuese. Ajo është ndërtuar edhe mbi qëndresën e përditshme të punonjësve të institucioneve, të cilët, edhe në rrethana të jashtëzakonshme, mbrojtën ligjshmërinë, dinjitetin institucional dhe të drejtën e popullit të Kosovës për vetëvendosje.
Edhe sot, pas më shumë se tri dekadash, kujtimi i 7 korrikut 1990 mbetet një dëshmi se liria dhe shtetësia nuk u ndërtuan vetëm në sallat e kuvendeve apo në tribunat politike, por edhe në oborret e institucioneve, përballë kordoneve policore, ku qytetarë të paarmatosur mbrojtën me dinjitet parimet e demokracisë dhe të drejtës.
