Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se po merr pjesë në edicionin e 28-të të Simpoziumit SYMI në Greqi. Ky simpozium, këtë vit mbahet me temën: “Zemërimi i Akilit dhe paralajmërimi i Kasandrës – Fuqizimi i demokracisë dhe zbutja e pushtetit” (Achilles’ Wrath and Cassandra’s Warning – Empowering Democracy and Taming Power).
Kurti ka thënë se ka marrë pjesë në panelin “Demokracitë në vijën e parë të frontit – Ballkani, Ukrania dhe më shumë: Çfarë duhet të mësojnë demokracitë e vjetra të vetëkënaqura nga shoqëritë që ende luftojnë, çdo ditë, për hapësirë demokratike evropiane.
Ai njoftoi se në këtë panel ka thënë se Evropa fillon në shtëpi për secilin shtet dhe përfundon në vijat e frontit të luftës në Ukrainë, e po ashtu, se zgjerimi i BE-së dëshmon që periferia nuk është për “t’u grabitur”. “Në zhvillimet botërore realisht nuk kemi përplasje të jashtme të civilizimeve por sot jetojmë në kohërat e përplasjeve të brendshme të ndërgjegjes me reaksionin.
Autokratët duhen konsideruar si njerëz të lindur në shekullin e gabuar dhe se tendencat paramoderne për monarki merkantiliste nuk mund të triumfojnë mbi republikën demokratike.”- ka thënë Kurti se ka deklaruar në këtë panel.
I pari i Qeverisë në detyrë ka thënë se diplomatë të shquar, aktivistë progresistë, zyrtarë shtetesh e akademikë, drejtues të organizatave e studiove, diskutojnë në këtë simpozium sipas modelit “Chatham House Rule” për tema të ndryshme të aktualitetit gjeopolitik global.
“Nga paqja e siguria teksa forcohet multipolariteti dhe dobësohet multilateralizmi te sulmet e shtuara mbi demokracinë dhe të drejtat e njeriut, nga krizat e shumëfishta e luftërat e reja pa përfunduar të vjetrat te pritjet dhe efektet e inteligjencës artificiale.”- ka shkruar ai.
Simpoziumi Ndërkombëtar SYMI është themeluar nga ish-Kryeministri i Greqisë, George Papandreou dhe organizohet në baza vjetore. Edicioni i këtij viti titullohet “Hyni në të ardhmen – Prometheu i lirë: Fuqia e riimagjinuar për një Demos të Paqes, Barazisë dhe Qëndrueshmërisë”. Kurti në këtë simpozium kishte marrë pjesë edhe në vitet 2024 , 2023, e 2020.
