Janë të rralla institucionet mediatike që arrijnë të mbijetojnë dhe të ruajnë identitetin e tyre për më shumë se tri dekada, duke qëndruar pranë lexuesit në kohë sfidash, ndryshimesh dhe zhvillimesh të mëdha historike.
Gazeta “Bota sot”, përgjatë 31 viteve të saj, ka qenë shumë më tepër sesa një medium informimi; ajo ka qenë një zë i fuqishëm i fjalës së lirë, i çështjes kombëtare dhe i interesit publik. Që nga themelimi i saj, “Bota sot” ka ndjekur nga afër ngjarjet që kanë shënuar fatin e shqiptarëve, duke informuar, sensibilizuar dhe dokumentuar momente të rëndësishme të historisë sonë.
Në periudha të vështira, kur e vërteta shpesh sfidohej dhe fjala e lirë përballej me pengesa të shumta, gazeta mbeti një tribunë e hapur për mendimin e lirë dhe debatin demokratik. Për mijëra lexues brenda dhe jashtë trojeve shqiptare, “Bota sot” është bërë pjesë e përditshmërisë, një dritare nga e cila janë ndjekur zhvillimet politike, shoqërore, kulturore dhe kombëtare.
Kontributi i saj nuk matet vetëm me numrin e botimeve apo viteve të ekzistencës, por edhe me ndikimin që ka pasur në formësimin e opinionit publik dhe në mbrojtjen e vlerave demokratike. Në këtë përvjetor të 31-të, është një rast i veçantë për të reflektuar mbi rrugëtimin e gazetës, sfidat e kapërcyera dhe misionin që ajo vazhdon të mbajë në shërbim të informimit dhe së vërtetës.
Njëkohësisht, është edhe moment për të vlerësuar rolin që “Bota sot” ka luajtur në promovimin e lirisë së medias dhe në forcimin e gazetarisë profesionale në hapësirën shqiptare. Tahiraj: “Bota Sot” luajti një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në gazetarinë shqiptare Në lidhje me përvjetorin e Gazetës “Bota sot”, ka folur veprimtari dhe bashkëpunëtori i saj ndër vite, Saim Tahiraj.
Saim Tahiraj. Ai thotë se Gazeta “Bota Sot”, gjatë 31 viteve të veprimtarisë së saj, ka dhënë një kontribut të çmuar në gazetarinë shqiptare, duke u dalluar për profesionalizëm, guxim dhe informim të drejtë të publikut, prandaj meriton vlerësim dhe mirënjohje në këtë jubile të rëndësishëm.
“Në 31-vjetorin e themelimit dhe veprimtarisë së saj, gazeta “Bota Sot” dhe stafi i saj me të drejtë duhet të krenohen për kontributin e dhënë në gazetarinë kosovare. Në këtë ditë jubilare, nga zemra urojmë stafin, gazetarët, bashkëpunëtorët dhe lexuesit e saj besnikë. “Bota Sot” luajti një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në gazetarinë shqiptare.
Me guxim, profesionalizëm dhe përkushtim, ajo paraqiti realitetin objektiv të ngjarjeve dhe zhvillimeve shoqërore e politike, duke informuar opinionin drejt dhe me ko hë”, u shpreh ai.
Duke vazhduar më tej, veprimtari vlerëson se “Bota Sot” tregoi guxim të jashtëzakonshëm duke raportuar për vrasjet politike dhe krimin në Kosovë, pa u ndalur as përballë kërcënimeve dhe rreziqeve për jetën e gazetarëve të saj.
“Veçanërisht vlen të theksohet se shumë ngjarje të dhimbshme të periudhës së paraluftës, gjatë luftës dhe pas saj, të cilat rezultuan me vrasje politike të figurave madhore të LDK-së, si dhe të oficerëve të lartë ushtarakë e policorë të institucioneve të Republikës së Kosovës, “Bota Sot” i trajtoi me një guxim të pashoq, duke raportuar dhe informuar opinionin publik përmes shkrimeve të saj.
Gazetarë dhe bashkëpunëtorë të guximshëm, pa fije frike, i denoncuan dhe i kritikuan ashpër veprimet e tilla kriminale. Edhe pse u kërcënuan me vdekje dhe disa prej tyre u ekzekutuan, ata asnjëherë nuk u ndalën, por vazhduan me guxim demaskimin e bandave kriminale. Kujtojmë kërcënimet që drejtoheshin kundër tyre me fjalët: “Jeta në Kosovë vlen vetëm 40 cent”, por as kjo nuk i zmbrapsi.
Nëse ekziston një çmim për guximin në publikimin e së vërtetës kur ajo kushtonte me jetë, ndër të parët që do ta meritonte do të ishte “Bota Sot”, së bashku me gazetarët dhe bashkëpunëtorët e saj”, thotë veprimtari.
Ndër të tjera, ai i është mirënjohës “Bota Sot” për hapësirën që i ka dhënë të vërtetës dhe mendimit kritik, duke e vlerësuar gazetën si një simbol të guximit dhe lirisë së shprehjes në gazetarinë e Kosovës. “Personalisht e falënderoj shumë gazetën “Bota Sot”, e cila ma mundësoi botimin e intervistave dhe shkrimeve të mia, të cilat asnjë gazetë tjetër nuk kishte guxim t’i publikonte.
Ishte e vetmja dritare nga e cila shpërndahej drita e së vërtetës. Falë guximit të stafit dhe bashkëpunëtorëve të saj, u thye frika dhe gazetaria e Kosovës fitoi më shumë liri të shprehjes dhe demokratizim. Edhe pse kjo u arrit me vuajtje, sakrifica dhe gjak, ajo mbetet një nga fitoret më të rëndësishme të fjalës së lirë në Kosovë.
Në këtë përvjetor kujtojmë me shumë respekt të gjithë ata gazetarë që u vranë vetëm pse shkruan të vërtetën dhe demaskuan krimin. Uroj që “Bota Sot” ta vazhdojë traditën e saj, duke demaskuar me guxim të gjitha veprimet negative të pushtetit dhe të kujtdo që shkel ligjet dhe vlerat demokratike të vendit tonë.
Ju jeni shembulli më i mirë se si duhet të jetë gazetaria e Kosovës”, përfundoi veprimtari Tahiraj për “Bota sot”. Ahmeti: Gazeta “Bota Sot” meriton të vlerësohet për kontributin e saj të rëndësishëm në periudha dhe rrethana të veçanta Ndërsa, njohësi për çështje politike Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim për “Bota sot”, vlerëson për kontributin e Gazetës në periudha të rëndësishme të demokratizimit dhe ndërtimit të një medieje objektive, duke promovuar lirinë e shprehjes dhe duke ruajtur pavarësinë editoriale përballë presioneve të ndryshme.
Hidajet Ahmeti “Gazeta “Bota Sot” meriton të vlerësohet për kontributin e saj të rëndësishëm në periudha dhe rrethana të veçanta, kur nevoja për demokratizim dhe për ndërtimin e standardeve të një medieje objektive ka qenë e domosdoshme.
Liria e shprehjes, si një nga shtyllat themelore të demokracisë, është promovuar vazhdimisht nga gazeta “Bota Sot”, e cila ka arritur të ruajë pavarësinë e saj editoriale duke u përballur me presione të natyrave të ndryshme” , shtoi analisti.
Mes tjerash, njohësi potencon se kontributi i “Bota Sot” ka ndikuar në emancipimin shoqëror, forcimin e demokracisë dhe rritjen e vetëdijes qytetare, duke promovuar vazhdimisht vlerat demokratike. “Ky kontribut i çmuar ka ndikuar dukshëm në emancipimin dhe progresin shoqëror, në forcimin e institucioneve demokratike, si dhe në ngritjen e vetëdijes kolektive të qytetarëve.
Përmes punës së saj të vazhdueshme, gazeta “Bota Sot” ka luajtur një rol të rëndësishëm në informimin e publikut dhe në promovimin e vlerave demokratike në shoqëri ”, përfundoi njohësi Ahmeti për “Bota sot”.
