Komuna e Deçanit nuk e ka numrin minimal të auditorëve të brendshëm që kërkohet me ligj, ndërsa një pjesë e njësive komunale nuk kanë hartuar fare plane veprimi për zbatimin e rekomandimeve të auditimit, duke bërë që shumë gjetje të mbeten pa u adresuar.
Kjo është një nga gjetjet e Raportit të Auditimit për Komunën e Deçanit, ku Zyra Kombëtare e Auditimit vlerëson se mungesa e stafit dhe moszbatimi i rekomandimeve po e dobësojnë funksionimin e kontrollit të brendshëm. Sipas raportit, Rregullorja për Auditimin e Brendshëm parasheh që institucionet me buxhet mbi shtatë milionë euro duhet të kenë së paku tre auditorë të brendshëm.
Megjithatë, në Komunën e Deçanit Njësia e Auditimit të Brendshëm përbëhet vetëm nga drejtori dhe një auditor. Auditimi ka konstatuar gjithashtu se, ndonëse gjatë vitit 2025 janë realizuar gjashtë auditime të brendshme, tri njësi të audituara nuk kanë hartuar plane veprimi për zbatimin e rekomandimeve të dhëna nga auditorët.
Si pasojë, sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, shumica e rekomandimeve nuk janë adresuar në mënyrën e duhur nga menaxhmenti komunal. Raporti thekson se kjo situatë lidhet me mungesën e buxhetit për plotësimin e numrit të nevojshëm të auditorëve, por edhe me neglizhencën dhe mungesën e përgjegjësisë së drejtorive përkatëse në zbatimin e rekomandimeve.
Auditorët vlerësojnë se numri i pamjaftueshëm i auditorëve dhe mungesa e planeve të veprimit zvogëlojnë efektivitetin e auditimit të brendshëm, duke bërë që dobësitë e identifikuara të mos trajtohen në kohë dhe menaxhmenti të mos përfitojë plotësisht nga rekomandimet për përmirësimin e proceseve dhe kontrollit të brendshëm.
Për këtë arsye, Zyra Kombëtare e Auditimit i ka rekomanduar kryetarit të Komunës së Deçanit që të sigurojë buxhet për plotësimin e strukturës së Njësisë së Auditimit të Brendshëm me numrin minimal të auditorëve të kërkuar me ligj.
Po ashtu, është kërkuar që njësitë e audituara të hartojnë dhe zbatojnë plane konkrete të veprimit për adresimin e rekomandimeve të auditimit, me qëllim forcimin e llogaridhënies dhe kontrollit të brendshëm në nivel të drejtorive. Menaxhmenti i komunës është pajtuar me këtë rekomandim.
Sa i përket gjendjes financiare, raporti tregon se Komuna e Deçanit kishte një buxhet final prej 15.08 milionë eurosh gjatë vitit 2025, nga të cilat janë shpenzuar mbi 15 milionë euro, ose 99.5 % e buxhetit. Auditimi ka evidentuar gjithashtu mangësi në regjistrimin e pasurisë komunale.
Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, Komuna e Deçanit nuk i kishte regjistruar plotësisht pasuritë jofinanciare kapitale në regjistrat përkatës. Në sistem mungonte regjistrimi i investimeve kapitale të vitit 2025 në vlerë prej 64,785 euro, ndërsa për një pjesë të pasurive nuk ishte aplikuar zhvlerësimi vjetor, duke ndikuar në pasqyrimin jo të saktë të vlerës së pasurisë komunale.
Auditorët vlerësojnë se mungesa e regjistrimit të plotë të pasurisë kufizon aftësinë e menaxhmentit për të pasur një pasqyrë të saktë mbi asetet që zotëron komuna dhe cenon transparencën e raportimit financiar.
Për këtë arsye, është rekomanduar forcimi i kontrollit të brendshëm dhe koordinimi ndërmjet zyrtarëve të pasurisë dhe departamentit të financave, në mënyrë që të gjitha asetet komunale të identifikohen, regjistrohen dhe zhvlerësohen sipas kërkesave ligjore. Auditorët kanë gjetur se Komuna e Deçanit nuk e ka përmbushur obligimin ligjor për verifikimin e të paktën 20% të pronave çdo vit.
Nga 15,594 prona të evidentuara, gjatë vitit 2025 komuna ka kryer vetëm 128 verifikime, ose rreth 1% të numrit të përgjithshëm të pronave. Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, mosverifikimi i pronave mund të rezultojë me të dhëna jo të plota për gjendjen reale të pronave dhe, rrjedhimisht, me vlerësim jo të saktë të të hyrave nga tatimi në pronë.
Për këtë arsye, auditorët kanë rekomanduar që komuna të shtojë kontrollet në terren dhe të sigurojë zbatimin e kërkesave ligjore për verifikimin e pronave. Raporti ka theksuar shtatë rekomandime, një nga ta është i ri, dy pjesërisht të përsëritur dhe katër të përsëritur nga raportet e kaluara. Raportin e plotë për komunen e Deçanit mund ta lexoni këtu.
