Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit financiar për Komunën e Mamushës për vitin 2025. Auditori ka evidentuar në këtë komunë tri raste të pagesave në vlerë prej 161 mijë e 987 euro, me vendime përmbarimore, të cilat ishin paguar nga kategoritë e pagave dhe mëditjeve.
Në fakt, shpenzimet kishin të bënin me shtesat mujore për punonjësit në arsim dhe në fusha tjera, në bazë të kualifikimit të tyre. “Vlera 67,827€ janë paguar nga kategoria e mallra dhe shërbime, vlera prej 66,981€ është paguar nga kategoria subvencione dhe transfere dhe vlera 27,179 është paguar gabimisht nga kategoria investime kapitale.”- thuhet në raportin e auditimit për këtë komunë.
Kjo sipas ZKA-së ka ndodhur për shkak të mosplanifikimit të duhur të buxhetit për detyrimet e mundshme të kategorisë përkatëse ekonomike. Pagesat për këto shpenzime nga buxheti i kategorive ekonomike joadekuate, ZKA thotë se pamundësojnë raportimin e drejtë dhe të saktë të informacionit financiar të shpenzimeve.
“Kryetari duhet të sigurojë se shpenzimet të përfshihen në planifikimet buxhetore, duke mundësuar regjistrimin dhe pagesën nga buxheti i kategorive dhe kodeve ekonomike përkatëse dhe në përputhje me planin kontabël të thesarit, për të mundësuar raportimin e drejtë të tyre në PVF.”- ka rekomanduar ZKA.
Në këtë komunë është gjetur po ashtu se për shkak të moskomunikimit të ndërsjellë mes zyrtarëve përgjegjës, gjatë vitit 2025 nuk ishte arritur të regjistrohej e gjithë pasuria në vlerë nën 1 mijë euro në sistemin e-pasuria.
“Megjithatë komuna ka bërë regjistrimin e pasurisë jokapitale në një regjistër të brendshëm për menaxhimin e pasurisë jokapitale dhe pasuritë regjistrohen në këtë regjistër.”- ka thënë ZKA. Në këtë raport tregohet se nga tri rekomandime për këtë komunë, një është i ri kurse dy të tjerë janë të përsëritur. Raportin e plotë të auditimit për Komunën e Mamushës mund t’a qasni në këtë vegëz .
