Një predhë e shkrepur nga një armë zjarri ka përfunduar në dritaren e një shtëpie në Hajvali të Prishtinës, në një rast që për momentin mbetet i mbështjellë me pikëpyetje. Askush nga familjarët nuk ndodhej në shtëpi kur dyshohet se ka ndodhur incidenti dhe ende nuk dihet kush qëlloi, nga çfarë arme dhe nëse shtëpia ishte cak i qëllimshëm, raporton Sinjali.
Rasti është zbuluar vetëm pasi familja është kthyer në shtëpi. Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se M.H ka deklaruar para Policisë se familja ishte larguar nga shtëpia më 25 gusht dhe nuk ishte kthyer deri më 28 gusht. Me t’u kthyer, ajo ka vërejtur diçka të pazakontë në një prej dritareve. Roleta ishte dëmtuar, ndërsa në të ishte gjetur një predhë.
Siç mëson Sinjali, policia është njoftuar të premten, më 28 gusht, rreth orës dhe njësitë policore kanë dalë në rrugën “Minatori” në Hajvali. Nga ekzaminimi fillestar është konstatuar se dëmtimi dyshohet se është shkaktuar nga një predhë e shkrepur nga armë zjarri.
Në vendngjarje kanë dalë edhe hetuesit, të cilët e kanë sekuestruar predhën, ndërsa lloji i armës nga e cila është shkrepur ende nuk dihet. Por hetimet kanë nxjerrë edhe një detaj tjetër. F.H i intervistuar në cilësinë e dëshmitarit, ka deklaruar se një ditë më parë, më 27 gusht, rreth orës , kishte dëgjuar të shtëna me armë zjarri, ndonëse sipas tij ato vinin nga një distancë më e largët.
Në këtë fazë nuk është konstatuar nëse të shtënat që ka dëgjuar dëshmitari kanë lidhje me predhën e gjetur në dritaren e shtëpisë. Pikërisht kjo është një nga çështjet që pritet ta sqarojë hetimi: kur është qëlluar, prej nga ka ardhur predha dhe nëse bëhet fjalë për një goditje aksidentale apo për veprim të qëllimshëm.
Për rastin është njoftuar Prokurori kompetent dhe, me udhëzim të tij, është iniciuar procedura për veprën “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Deri më tani nuk është identifikuar personi që dyshohet se ka shtënë, ndërsa rasti mbetet nën hetime. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
