Një tjetër grabitje është regjistruar në orët e para të mëngjesit në Prishtinë, vetëm pak minuta pas rastit të raportuar në marketin “Maxi24”, raporton Sinjali. Këtë herë cak ishte një pikë e derivateve IP, në rrugën “Hamëz Jashari”, ku një person ende i paidentifikuar dyshohet se ka grabitur rreth 430 euro të pazarit ditor.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti është raportuar rreth orës , ndërsa në pompë në atë moment po punonte G.I. (1995). Sipas deklaratës së tij, në pikën e derivateve është paraqitur një person rreth 25-vjeçar, me flokë të prera shkurt, i veshur me trenerka ngjyrë hiri dhe atlete po të së njëjtës ngjyrë, me pjesë të bardha. Por një detaj i sjelljes së të dyshuarit ka ngritur alarmin.
Gjatë grabitjes ai dyshohet se e ka mbajtur dorën e djathtë prapa shpinës, pa ekspozuar ndonjë armë apo mjet tjetër të dyshuar. Në këto rrethana, i dyshuari ka arritur të marrë rreth 430 euro, që sipas punëtorit përbënin pazarin ditor të pikës së derivateve. Pas grabitjes, ai është larguar nga vendi i ngjarjes përmes rrugës “Rrustem Statovci”, në drejtim të rrugës “Agim Ramadani”.
Në vendngjarje kanë intervenuar njësitë policore, ndërsa në rast janë përfshirë hetuesit, Krim-Teknika dhe Hetimet Rajonale. Për rastin është konsultuar edhe Prokurori i Departamentit për Krime të Rënda, me udhëzim të të cilit është iniciuar procedura për veprën penale “Grabitja”. Identiteti i të dyshuarit ende nuk dihet. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
