Më 30 gusht shënohet Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur. Në Kosovë, edhe 27 vjet pas përfundimit të luftës, fati i qindra personave ende nuk është zbardhur. Në Kalludër, gërmimet e fundit kanë rezultuar me gjetjen e mbetjeve mortore, ndërsa autoritetet kanë nisur procedurat për identifikimin e tyre.
Në mesin e familjeve që presin përgjigje prej vitesh është edhe ajo e doktor Adem Ademit. Motra e tij, Lutfie Ademi-Vokshi, thotë se prej 27 vjetësh vazhdon të kërkojë informacion për fatin e vëllait. “Sot kam marrë këtë foto dhe këtë lule me vnu në vendin ku ka qëndruar vëllau im 27 vite. Edhe do ta lë sot këtu, që të qëndrojë edhe ma gjatë sesa vëllau jem që ka qëndru këtu.
Dhimbja dhe emocionet e familjes janë diçka tjetër, mirëpo me rastin se si na mungon vëllau, nëse e marrim arsyen që na mungon vëllau, unë mburrna me vëllain që e kam pasë” , tha Lutfie Ademi Vokshi, familjare. Pas gjetjes së mbetjeve mortore, hapi i radhës është përcaktimi i identitetit të personave.
Mostrat janë dërguar në Hagë, ku do të bëhet krahasimi i ADN-së me mostrat e gjakut të dhënë nga familjarët ndër vite. “Mostrat që tash janë dërgua qe dy-tri ditë të trupave që janë gjetë në këtë lokacion do të dërgohen në Hagë, në laboratorin e Komisionit për Persona të Zhdukur dhe kështu bëhet krahasimi i mostrave me gjakun që e keni dhënë tash e 20 e ca viteve dhe tek pastaj del identifikimi i saktë” , tha Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti.
Nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur thonë se, pavarësisht rrethanave, gjetjet e tilla janë të rëndësishme për familjet që presin përgjigje prej më shumë se dy dekadash.
“Pavarësisht në rrethanat në të cilat jemi, gjithsesi bashkëndjejmë me familjarët, por 27 vite pas luftës, këto janë, siç tha ministri Hoti janë lajme ngushëlluese”, tha Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit. Gjatë gërmimeve në 3 lokacione në Zubin Potok, janë gjetur mbetjet mortore të 23 trupave, , raporton RTK.
