Dy klubet e Kategorisë së Parë marrin dritën jeshile nga qeveria botërore e futbollit dhe tashmë mund të federojnë përforcimet e afruara gjatë verës. Kastrioti mbetet i vetmi klub me bllokim aktiv. Flamurtari dhe Kukësi kanë zgjidhur problemin e bllokimit të merkatos të vendosur nga FIFA.
Gjatë ditës së djeshme, vetë qeveria botërore e futbollit ka konfirmuar heqjen e dy klubeve të Kategorisë së Parë nga “lista e zezë”. Ky është një lajm i rëndësishëm për të dyja skuadrat, të cilat tashmë, duke nisur nga dita e sotme, kanë mundësi të federojnë përforcimet e shumta të afruara gjatë merkatos së verës.
Heqja e bllokimit u jep qetësi edhe stafave teknike, pasi Flamurtari dhe Kukësi nuk do të përballen me problemet që hasën në fillim të sezonit klubet e Kategorisë Superiore, si Skënderbeu dhe Tirana, të cilat u gjendën përballë vështirësive për aktivizimin e afrimeve të reja.
Me zgjidhjen e çështjes së merkatos, trajneri i Flamurtarit, Oltijon Kërnaja, mund ta përgatisë me më shumë qetësi skuadrën për premierën e kampionatit, ku vlonjatët do të luajnë në transfertë ndaj Kavajës. E njëjta situatë është edhe për Kukësin dhe trajnerin Bledi Kadiu, i cili tashmë do të ketë në dispozicion të gjitha afrimet e kryera gjatë kësaj vere.
Për të dyja skuadrat, heqja e bllokimit është një zhvillim shumë i rëndësishëm, pasi u jep mundësinë të hedhin në fushë skuadrat e ndërtuara gjatë merkatos dhe të nisin kampionatin pa pengesa administrative. Kastrioti, i vetmi klub në telashe Pas Flamurtarit dhe Kukësit, tashmë në Kategorinë e Parë vetëm Kastrioti vijon të ketë probleme me bllokimin e merkatos.
Klubi krutan ka aktualisht tre çështje për të zgjidhur në FIFA, në mënyrë që të mund të federojë lojtarët e afruar gjatë merkatos së kësaj vere. Në këtë mënyrë, ndërsa Flamurtari dhe Kukësi kanë marrë dritën jeshile për të aktivizuar afrimet e tyre, Kastrioti duhet të vijojë punën për zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull pranë FIFA-s.
