Një vjedhje e rëndë është raportuar në Vushtrri, ku persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë hyrë në një shtëpi dhe kanë vjedhur dy armë gjuetie dhe dhjetëra fishekë, raporton Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti ka ndodhur të enjten, më 27 gusht, në rrugën “Murat Rashica”, ndërsa pronari i shtëpisë është B.R. 32 vjeçar.
Sipas informacioneve të rastit, vjedhja dyshohet se është kryer në intervalin kohor –, derisa në shtëpi nuk ndodhej asnjë anëtar i familjes. Të dyshuarit besohet se e kanë shfrytëzuar pikërisht mungesën e familjarëve dhe kanë depërtuar brenda përmes një dritareje që kishte mbetur e hapur. Pasi kanë hyrë në shtëpi, cak i tyre janë bërë armët që ndodheshin në dhomën e pronarit.
Sipas burimeve të Sinjalit, janë vjedhur dy pushkë – një AKKAR ALTAY, kalibër 12GA, dhe një SILAH MONZA, kalibër .308 WIN, të cilat pronari ka deklaruar se i posedonte me lejet përkatëse. Bashkë me armët, hajnat dyshohet se kanë marrë edhe 82 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Pronari e ka vlerësuar në rreth 2 mijë euro vetëm vlerën e dy pushkëve të vjedhura, ndërsa para Policisë ka deklaruar se nuk dyshon te ndonjë person konkret. Pas raportimit, njësitë policore kanë kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit.
Në konsultim me Prokurorin është iniciuar rasti për “Vjedhje të rëndë”, ndërsa deri më tani nuk është identifikuar ndonjë i dyshuar. Hetimet për identifikimin e autorëve dhe gjetjen e armëve të vjedhura po vazhdojnë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
