FSK bëhet me tre gjeneralë të rinj

0%

Forca e Sigurisë së Kosovës është bërë me tre gjeneralë të rinj. Kjo pasi të njëjtit janë dekretuar më nga ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu. Kolonelja Arife Halili u gradua në Gjeneral Brigade dhe Drejtor i Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në Ministrinë e Mbrojtjes.

Kolonel Astrit Haliti u gradua si Gjeneral Brigade në FSK dhe Shef i Stafit të Shtabit të Përgjithshëm në FSK. Kolonel Mehmet Lladrovci u gradua në Gjeneral Brigade dhe Komandant i Forcave Tokësore të FSK-së. Forca e Sigurisë së Kosovës deri para dekretimit të gjeneralëve të rinj ishte në mungesë të gjashtë gjeneralëve.

Krejt kjo pasi që nga viti 2021, tetë gjeneralë u larguan nga kjo forcë, me ç’rast dy dolën në pension para kohe dhe gjashtë në pensionim të rregullt. Pavarësisht disa gradimeve që janë bërë ndërkohë, gjashtë pozita mbetën të hapura e të cilat përmbushen nga Zëvendëskomandatët e Komandës me gradën Kolonel.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në muajin prill 2026, Ministria e Mbrojtjes në përgjigje me shkrim për KALLXO.com kishte thënë se Bordi vlerësues për emërime dhe gradime në gradën gjeneral që është formuar në fund të vitit 2025 ende nuk e kishte përfunduar procesin, pavarësisht se sipas një Rregulloreje të Ministrisë së Mbrojtjes ky bord do duhej të përfundonte punën brenda 20 ditësh.

“Për shkak të situatës juridike të Qeverisë në dorëheqje ky proces nuk ka përfunduar në vitin 2025”- thuhet në përgjigjet e kësaj Ministre, më . Sipas Rregullores Nr. 12/2023 të Ministrisë së Mbrojtjes për zhvillimin e karrierës së pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës fillimi i procedurave pёr gradimin e oficerëve të lartë nuk duhet të tejkalojë periudhën prej 90 ditëve.

“Bordi Vlerësues brenda 20 ditëve të punës vlerëson të gjithë kandidatët që kanë aplikuar dhe i plotësojnë kriteret për gradim dhe emërim sipas Shtojcës 12.”- thuhet në pikën 5 të nenit 20 të kësaj Rregulloreje. Kjo Rregullore, pas kalimit të afatit 20 ditor parasheh dy ditë punë si afat për ankesa dhe tri ditë për shqyrtimin e tyre.

Ky Bord është i detyruar që pastaj brenda 5 ditëve të punës të procedojë te Komandanti i FSK-së së paku dy kandidatë për pozitë. Pika 11 parasheh që Ministri në koordinim me Kryeministrin, brenda 15 ditësh i propozojnë Presidentit emrat, përveç për gradën Gjenerallejtnant.

“Gradimin nga Gjeneral Brigade në Gjeneral Major, realizohet sipas kritereve të parapara në këtë rregullore dhe rekomandohet nga KOMFSK-ja te Ministri i Mbrojtjes me arsyetimin përkatës për emërim dhe gradim.”- thuhet në pikën 13 të këtij neni.

Burimi: Kallxo