Familjarë të të zhdukurve vizitojnë vendin ku u gjetën eshtrat e 23

0%

Pas katër javësh gërmime në Kalludër dhe Jabukë, janë identifikuar tri varreza masive ku dyshohet se janë varrosur 23 persona të zhdukur gjatë luftës, të njohur si “Grupi i Intelektualëve”. Mbetjet e të paktën 10 personave janë dërguar për analiza të ADN-së në Hagë.

Në Kalludër të Zubin-Potokut është identifikuar lokacioni i parë i një varri masiv, ku janë gjetur mbetjet mortore të të paktën 13 personave, të cilët dyshohet se janë zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Familjarët e tyre, të cilët për vite me radhë janë zgjuar me mendimin se kur do t’i gjejnë dhe varrosin eshtrat e më të dashurve të tyre, të premten kanë vendosur lule te varri masiv në Kalludër. Sadete Ujkani-Gërxhaliu, e cila nuk mund t’i mbante lotët për vëllezërit e saj, tha se ndonëse humbja e tyre është një mërzi e rëndë, ajo ndihet e lehtësuar që u është gjetur varri.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Është një lehtësim, falënderojmë institucionet, falënderojmë Policinë e Kosovës, ju falënderojmë juve. Së paku e kemi një lehtësim që t’ua gjejmë varrin, që të shkojmë dhe t’i vendosim lulet. Është një mërzi e rëndë, kështu qenka shkruar për ne”- tha ajo.

Flaka Fazlija, vajza e doktorit Fahri Fazlija, theksoi se ende janë duke e procesuar lajmin, pasi, siç tha ajo, bashkë me familjen e saj kanë qenë në pritje për një periudhë të gjatë. “Akoma takimi po duket abstrakt, po presim.

Mund të them se njëkohësisht e kemi përjetuar dhimbjen edhe tash jemi në pritje të procedurave të tjera, por njëkohësisht është respekt për këta të cilët i kemi humbur, të cilëve u është gjetur trupi dhe do t’iu jepet një vend ku do të vendosen në tokën e tyre”- tha Fazlija.

Prokurorja e rastit, Florije Shamolli, tha se për të arritur te rezultati final duhet pasur durim, derisa të kryhen analizat e ADN-së. “Do të ishte mirë që sot ata të ishin gjallë, mirëpo një pjesë e plagëve për familjarët ndoshta do të jetë edhe kjo një lehtësim për ta.

Mirëpo një gjë duhet ta dimë: dyshimet, të gjitha provat të cilat ne i kemi na dërgojnë tek zhdukja e 23 intelektualëve apo të quajtur doktorët”- theksoi Shamolli. Ndërsa Andin Hoti, ministër në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, tha se populli serb vazhdon të ketë të njëjtën mendësi, siç e quan ai, duke mos pranuar fajin dhe krimet e kryera.

“Ende kemi punë shumë, sepse fatkeqësisht kemi punë me një shtet që ka mendësi kriminale. Nuk është që e ka pasur në vitet ’90 vetëm, por e ka edhe sot. Shteti serb, ju siç e dini edhe sot, mos me shku më larg se sot, po tentojnë të varrosin me nderime të larta shtetërore kryekriminelin serb që ka bërë krime në Bosnje Hercegovina, Mlladiq.

Kjo nënkupton që ata ende sot e kanë një mendësi të tillë kriminale”- theksoi Hoti. Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Agron Limani, u shpreh falënderues që të paktën tani është një varr ku familjarët mund t’i përkujtojnë më të dashurit e tyre.

“Ne si popull kemi pasur atë fatkeqësinë që përveç të afërmit tanë na janë privuar nga e drejta për të jetuar, për fat të keq ata janë privuar edhe nga e drejta për të pasur një varr. Pra një vend ku familjarët do t’i përkujtonin.

Një gjë pozitive është për familjarët e këtyre 23 personave që tash e tutje megjithatë kjo pjesa e dytë e pamundësisë së përkujtimit do të eliminohet”- u shpreh kryesuesi. Hetuesi policor, Florim Elshani, tregoi se si u gjetën eshtrat e 23 personave në fshatin Kalludër të Zubin-Potokut, duke bërë të ditur se hetimet më intensive për këtë rast kanë nisur nga viti 2024.

“Derisa kemi arritur me datën 27 në specifikimin e saktë të vendvarrezës së parë. Deri në ato momente ne nuk kemi ditur se çka saktë me çka kemi të bëjmë apo se çfarë kemi, por me të filluar punimet është konstatuar se hapësira dhe kushtet e varrezës nuk mund me qenë të përshtatshme për një grup kaq të madh.

Kjo ka zgjuar kureshtjen te ne dhe kemi intensifikuar veprimet hetimore me ç’rast kemi lokalizuar edhe varrezën e dytë. Pas një intervali kohor prej dy-tri ditësh edhe varrezën e tretë masive”- tha Elshani. Valon Hyseni nga Instituti i Mjekësisë Ligjore tha para mediave se disa mbetje kockore janë dërguar në laboratorin e ADN-së në Hagë.

“Deri tash mund t’ju konfirmoj që kemi çuar të paktën 10 mbetje kockore pra, në laboratorin e ADN-së në Hagë dhe shpresojmë që shumë shpejt do të kemi edhe rezultatet e para dhe tek atëherë mund të flasim se për kë bëhet fjalë”- theksoi Hyseni.

Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur bëri të ditur se në varrezën e vizituar të premten janë gjetur mbetjet mortore të të paktën 13 personave, të cilat, sipas tij, janë me origjinë njerëzore. Vizita u zhvillua me rastin e shënimit të 30 Gushtit – Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë.

Procesi i gërmimeve në dy fshatrat e Zubin-Potokut ka nisur më dhe ka zgjatur katër javë. Lidhur me këtë rast janë duke u hetuar tre persona nën dyshimin për “Krime lufte kundër popullsisë civile”, të cilët ndodhen nën masën e paraburgimit. Aktualisht, në Kosovë konsiderohen të zhdukur rreth 1 mijë e 560 persona nga lufta e fundit.

Burimi: Kallxo