Arta Bilalli-Zendeli nga BDI sot në koferencë për shtyp tha se skandali në Spitalin Psikiatrik “Bardovci” po thellohet. Ajo theksoi se kompania “Indigo Inc” DOOEL Shkup, e lidhur me kushëririn e drejtorit Isa Avdullai, ka fituar plot pesë tenderë nga spitali pasi ai mori drejtimin e institucionit.
“Faktet janë të qarta: tenderi i parë, i nënshkruar më , vetëm tre muaj pasi Avdullai u emërua ushtrues detyre drejtor, mban madje edhe vetë nënshkrimin e drejtorit. Kontrata ishte me vlerë deri në 600 mijë denarë.
Më pas, “Indigo Inc” ka fituar edhe katër tenderë të tjerë, përfshirë tenderin e këtij viti për sisteme IT dhe licenca, me vlerë deri në 2,59 milionë denarë, rreth 42 mijë euro”. “Pronari i kompanisë, Besim Avdullai, është kushëri i drejtorit Isa Avdullai- lidhje familjare të cilën vetë drejtori e ka pranuar.
Edhe fakti që pronari ka ndryshuar funksionin drejtues në kompani pak para tenderit të parë nuk e zhduk lidhjen midis tyre. BDI kërkon hetim të plotë nga Antikorrupsioni, Byroja për Prokurime Publike dhe institucionet kompetente për të pesë procedurat: kriteret, ofertat, pjesëmarrësit dhe mënyrën e përzgjedhjes”, tha Bilalli-Zendeli.
Ajo theksoi se nuk mjafton deklarata se procedura është “ligjore” apo se drejtori nuk ka qenë pjesë e komisionit të përzgjedhjes. “Kur një kompani e lidhur familjarisht me drejtuesin e një institucioni publik fiton pesë tenderë nga i njëjti institucion, transparenca dhe kontrolli i plotë i procedurave janë detyrim, jo zgjedhje. VLEN-i nuk mund të fshihet pas fjalës “ligjore”.
Ligjshmëria duhet të argumentohet me dokumente”. “Paratë publike nuk janë pronë familjare. “Bardovci” nuk mund të kthehet në biznes familjar të VLEN-it. BDI kërkon transparencë të plotë, hetim institucional dhe përgjegjësi.
Qytetarët kanë të drejtë ta dinë: si është e mundur që kompania e kushëririt të drejtorit të fitojë pesë tenderë në institucionin që ai drejton?”, tha zëdhënësja e BDI-së.
