Range Rover po përgatitet të prezantojë një model krejtësisht të ri, Range Rover GT, i cili do të jetë një ndryshim i madh për markën britanike. Bëhet fjalë për një grand tourer tërësisht elektrik, që kombinon luksin dhe komoditetin e Range Rover me aftësitë jashtë rruge.
Prototipi i prezantuar në fund të korrikut ka kaluar tashmë në fazën e fundit të testimeve në rrugë dhe modeli pritet të zbulohet zyrtarisht shumë shpejt. GT dallohet menjëherë nga Range Roverët tradicionalë. Ka një siluetë më të ulët dhe sportive, çati të pjerrët, dyer pa korniza dhe një profil që i ngjan më shumë një makine grand tourer sesa një SUV-je klasike.
Edhe kabina është radikalisht moderne. Land Rover ka reduktuar në minimum butonat dhe komandat fizike, duke vendosur një ekran të madh qendror dhe një panel të hollë dixhital përpara shoferit. Prototipi kishte konfigurim 2+2, me një konsolë qendrore mes sediljeve të pasme, por pritet që versioni i prodhimit të ofrohet edhe me një ulëse të pasme tradicionale.
Në aspektin teknik, Range Rover GT do të ndërtohet mbi platformën e re Electrified Modular Architecture (EMA) dhe do të jetë Range Rover-i i parë tërësisht elektrik. Sistemi pritet të jetë 800-volt dhe të mbështesë karikim të shpejtë deri në 350 kW. Modeli do të ketë të paktën dy motorë elektrikë dhe sistem me të gjitha rrotat aktive.
Land Rover pritet të ofrojë edhe bateri me kapacitet mbi 100 kWh. Pamjet e prototipit kanë treguar rreth 288 milje, ose afërsisht 463 kilometra autonomi me 80% bateri, që do të nënkuptonte rreth 360 milje, ose 580 kilometra, me karikim të plotë. Megjithatë, këto shifra nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
GT do të nisë si model elektrik, ndërsa më vonë pritet të marrë edhe një version hybrid, transmeton Telegrafi. Land Rover pritet të zbulojë më shumë detaje gjatë këtij viti, ndërsa shitjet mund të nisin në fillim të vitit të ardhshëm.
Sa i përket çmimit, ende nuk ka një shifër zyrtare, por duke u pozicionuar mes Range Rover Evoque dhe Range Rover-it të madh, GT mund të kushtojë dukshëm mbi 100 mijë dollarë në versionet e larta. Modeli do të prodhohet në Mbretërinë e Bashkuar, së bashku me modelet e tjera me motorë me djegie dhe hibride.
