Libri “Simfonia e udhëtimeve”

0%

Më së fundi, Poeti dhe Shkrimtari ADNAN MEHMETI vjen para lexuesve me librin “Simfonia e udhëtimeve”. Për librin ka shumë nominime nga autorë të ndryshëm, por unë zgjodha një metaforë nga POETI SPANJOLL, LORKA (1898–1936), që ka thënë: “Çdo libër është një oborr. Lum ai që di si ta mbjellë dhe me ato ‘lule’ ushqen shpirtin e vet”.

Kështu ndodh, faqe pas faqeje, në librin “Simfonia e udhëtimeve”. Autori “ushqen shpirtin e vet” dhe nuk kursehet që të na “ushqejë” dhe ne, lexuesit, me këtë nektar lulesh shumëngjyrëshe. Ky “oborr” (po të futemi nën lëkurën e LORKËS, sigurisht) nuk është dhe aq i vogël. I madh si vetë shpirti i autorit dhe “lulet” janë shumëngjyrëshe.

Udhëtimi është i gjatë: përshkon Amerikën, Kanadanë, Meksikën dhe kudo feksin përjetimet e autorit. Përshkruan çfarë i sheh syri, por, tej realitetit, shquhet njeriu i penës: në prozë dhe, kur ky realitet prek “pejzat e shpirtit”, shpërthen me vargje. Duke e parë me këtë sy, hyj në hamendësime dhe them: – Pse ndodh kështu?

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Dhe tak më vjen ndërmend thënia e NIÇES: “Kemi artin që të na shpëtojë nga realiteti”. Autori, në këto udhëtime, nuk është kronikan dhe aq. Në këto udhëtime ai është dhe historian, dhe arkeolog, dhe folklorist dhe, mbi të gjitha, POET që e shpirtëron mbresën nga një shtet në shtetin tjetër; nga një qytet në tjetrin; nga një ishull në tjetrin.

Po të përdorja pak një gjuhë nga matematika, mund të them: “Emëruesi i përbashkët i gjithë këtyre udhëtimeve është postulati: Asgjë njerëzore nuk është e huaj për mua”. Dhe, me të vërtetë, në këtë “Simfoni udhëtimesh” gjen histori si ato “vende e popuj”; gjen doke e rite që nga lashtësia e deri në ditët tona.

ADNAN MEHMETI nuk është vetëm udhëtar, por një studiues skrupuloz i historisë në vendet ku shkel. Si krijues serioz, ai në këtë libër ka bërë atë që ka thënë ZARA MHIC (1927–1990), Doktoresha e Filologjisë nga ESTONIA, që thotë: “Ja cila është detyra themelore e çdo njeriu të kulturuar: të mos lejoj që të zhduket ajo pjesë e historisë, dëshmitar i së cilës është dhe vetë ai”.

Po, që nga lashtësia, PINDARI ka thënë: “Prova e çdo njeriu qëndron në veprën e tij”. Dhe vepra që po citoj është si një dokument, ku shihet ashiqare: Poeti dhe Shkrimtari, ADNAN AHMETI. Nga perifrazimet drejt e tek libri. “Vatra e shkrimtarit nuk është shkolla, por njerëzimi”, – thotë EMERSON.

Dhe autori, aty mes njerëzve, e ngriti këtë “simfoni” ku i gjen që të gjitha dhe mungon vetëm muzika. Fillon me MISISIPIN, gati lumi më i madh në botë, që ka qenë, së pari, port për skllevërit nga Afrika, por dhe më shumë se kaq… Tani, tek autori, shpërthen poeti: “Për lumin e qeshur/ që u futet fushave, shtëpive e deri tek ‘gratë e përdala që qajnë për dashuritë e paputhura’”.

Në qytetin XHEKSON “takon” MARK TUEN, atë humorist aq të madh, që veç “TOM SOJERIT” e HEKËLBERRI FINIT ka lënë ca thënie shumë domethënëse dhe, ngaqë jam pak i dhënë pas tij, s’kam si lë pa përmendur: “Nga hidhërimi lind humori i madh” dhe tjetra: “Unë e di që librat e mirë janë verë, kurse të miat janë ujë.

Por shumica e njerëzve ujë pinë!!!” Në ÇIKAGO, në qytetin SULFUR: “Kujdes nga krokodilët”. Vendësit i pjekin në hell. Në TENESI “takon” këngëtarin famoz, ELVIS PRESLI dhe, veç tij, Doktor MARTIN LUTER KING, që, pasi “Shoh një ëndërr”, e pushkatuan në vitin 1968. Vetëm në vitin 1975, me dekret të Presidentit XHONSON, zezakët fituan barazinë me të bardhët (Ëndrra e DR. MARTIN LUTER KINGUT).

Në ARKANSAS, një takim me PRESIDENTIN e shquar, BILL KLINTON, që, saj tij, KOSOVA fitoi pavarësinë. Prekëse “prishja e protokollit” për t’i shprehur mirënjohjen që ngre lart sa PRESIDENTIN, aq dhe mirënjohësin që ka gjakun nga ato treva. Në atë mori udhëtimesh, autori në Boston evokon figurën e NOLIT, që “kurdisi” PRESIDENTIN UILLSON që një “zë” ta kishte për të mbrojtur SHQIPËRINË.

Diku flet për një PRESIDENT tjetër si KEVIN KOLLIXH, që në shtator të vitit 1928 ka ndihmuar MBRETIN ZOG për të ardhur në Fron. Në Teksas, sa flet për “litarin e kaubojsit”, tak dhe qëndron tek një shtëpi e vogël. Kjo shtëpi e vogël ka një histori të madhe. Në atë shtëpi të vogël, në vitin 1836, dyqind burra nga TEKSASI u vranë për liri.

Aty, i prekur në shpirt, shpërthen POETI: “Një shtëpi e vogël, E zhveshur nga mobiljet, Si një klithmë e madhe dëshmon…” Dhe histori të tjera vazhdojnë: Me poetin LONGFELLOW, “ai që lufton luftën e lufton”, sipas NOLIT, për poemën për “SKËNDERBEUN”. Poetin tjetër, EDGAR ALLAN POE, me “Korbin” e tij.

Në TEKSAS ka pasazhe nga takimi i parë i SHOQATËS SË SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË, ku autori u laurua me “Pena e Artë” për poezi.

Për të mos u larguar nga ky moment, është vendi për një kortezi për KALORSIN E POEZISË MBARËKOMBËTARE SHQIPTARE, GJEK MARINAJ (metafora është imja), që në vitin 2001 e krijoi këtë shoqatë dhe, po GJEK MARINAJ zgjodhi PRESIDENT të SHOQATËS ADNAN MEHMETIN dhe kryetarët e SHOQATËS, çdo dy vjet, me qarkullim.

Nuk munda ta mbyll këtë ese timen pa qëndruar në DETROIT apo Michigan, jo vetëm se ka një komunitet të madh shqiptarësh, por se atje është PJETËR JAKU me bashkëshorten ELINDA MARKU, që mbajnë gjallë një bërthamë të madhe krijuesish në prozë e poezi. “Simfonia” e Udhëtimit të ADNAN MEHMETIT vazhdon dhe me pasazhe të tjera, por unë “jam plak e jam zhgatërru/ rrugët e gjata s’janë për mu”.

I uroj autorit jo vetëm jetë të gjatë, por dhe krijimtari të mbarë!

Burimi: Bota Sot