“Mjerimi i politikës”: Gashi i LDK-së reagon ndaj zhvillimeve për

0%

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, e konsideron mjerim të politikës kur bëhet e vështirë të gjenden njerëz me vizion, përvojë e autoritet publik që mund të marrin përgjegjësinë për drejtimin e shtetit.

Në një shkrim publik, Gashi ka shtruar një pyetje: “Çfarë tregon për politikën tonë fakti që, për të drejtuar shtetin, kërkojmë emra që nuk janë marrë me politikë, ose njerëz që prej vitesh kanë dështuar në politikën aktive?”. Ai ka shkruar se kjo është shenjë e krizës së politikës së sotme dhe e varfërimit të mënyrës se si po projektohet e ardhmja.

“Sepse shteti nuk drejtohet vetëm me reputacion, me emër apo me një biografi të mirë. Drejtimi i shtetit kërkon mendim politik, qëndrim, përvojë, vizion, aftësi për të marrë vendime dhe, mbi të gjitha, përgjegjësi publike. Politika duhet të prodhojë njerëz të tillë, jo të detyrohet t’i kërkojë jashtë saj.”- ka shkruar Gashi.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ish-shefi i grupit parlamentar të LDK-së ka thënë se duhet të ndërtohen figura që rriten përmes ideve, punës e përgjegjësisë. Ai ka shkruar se duhet të ndërtohen figura që dinë të mendojnë përtej një mandati, partie apo beteje të radhës. Deputeti i disa mandateve konsideron se politika e vërtetë nuk matet se kush arrin në pushtet por me çfarë njerëzish e standardesh lë pas.

“Sot kemi nevojë për një politikë që të mos jetojë vetëm nga emrat e së kaluarës dhe kalkulimet e së tashmes, por të investojë në njerëzit që mund ta udhëheqin Kosovën në dekadat që vijnë. Jo politikë e improvizimit. Jo politikë e zëvendësimit të ideve me emra.

Por politikë e vizionit, përgjegjësisë dhe lidershipit.”- shkroi Gashi, duke konsideruar se ndoshta ky është mësimi më i rëndësishëm se ‘kur politika nuk arrin të prodhojë liderët e së ardhmes, problemi nuk është vetëm te kandidatët por te vet politika’. “E kjo është përgjegjësi e të gjithëve që merremi me të.

Sepse Kosova ka nevojë jo vetëm për njerëz që duan ta drejtojnë shtetin, por për njerëz që kanë dëshmuar se dinë ta ndërtojnë atë.”- përfundoi shkrimin Gashi. Dy herë brenda 10 ditësh janë takuar Albin Kurti i LVV-së dhe Lumir Abdixhiku i LDK-së për të gjetur një president të ri për vendin.

Më u takuan për herë të fundit, me ç’rast pas takimit kanë thënë se kanë folur për emra por pa përmendur se kush janë kandidatët potencialë. Vendi kishte shkuar në zgjedhjet e 7 qershorit për shkak të mosarritjes së zgjedhjes së një presidenti të ri dhe sërish rrezikon të shkojë zgjedhje të reja në rast se nuk zgjedhet presidenti.

Ndonëse takimi i së mërkurës përfundoi pa një marrëveshje, të dy (Kurti dhe Abdixhiku) deklaruan para mediave se nuk mund të flasin për emrat që u përmendën në takim pasi që kandidatët potencialë për president nuk janë kontaktuar ende. Kurti i quajti negociatat “mjaftë të vështira” dhe se do të vazhdojnë të mbajnë takime me LDK-në.

“Nuk është çështje muajsh kur ne duhet të merremi vesh, është çështje javësh, e do të donim të ishte çështje ditësh. Komunikimi nuk ndërpritet, takimet do të vazhdojnë.” – deklaroi Kurti pas takimit. Abdixhiku në anën tjetër ka deklaruar se emrat e përmendur ishin në vijë me parimet e dakorduara për pozitën e presidentit.

“Nuk mund të diskutoj për emra konkret në këtë fazë, por do të takohemi sërish për të finalizuar dhe për të zgjedhur presidentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës. Po përpiqemi meqenëse jemi të interesuar t’i japim stabilitet Kosovës. Meqenëse e kuptojmë ndjesinë se në Kosovë ka shumë zëra për destabilitet e shumë pak zëra të arsyeshëm për stabilitet.

Duam të jem zë të arsyes për këtë stabilitet. LDK-ja është garancë institucionale, historike 37-vjeçare, që presidenti i Republikës është i denjë për postin që e ka dhe për këtë populli i Kosovës duhet të ndihet krenar.” – deklaroi Abdixhiku.

Ndërkohë, deputetët e PDK-së dhe AAK-së, çdo ditë dalin para Qeverisë duke kërkuar nga Albin Kurti që të kthehet në Kuvend dhe ta mundësojë konstituimin e këtij institucioni. Krahas kësaj, ata mblidhen në sallën e Kuvendit në çdo 48 orë, duke ia përkujtuar kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, se ndërperja e një seance të tillë nuk mund të zgjas më shumë se dy ditë.

Ndaj Deharit, deputetët e PDK-së, së fundmi kanë iniciuar edhe kallëzim penal për keqpërdorim të pozitës.

Burimi: Kallxo