Chelsea ka siguruar shërbimet e Emiliano Martínezit, pasi ka arritur marrëveshje me Aston Villan për transferimin e portierit argjentinas. Sipas raportimeve të Matt Law të “The Telegraph”, marrëveshja është mbyllur për rreth 8.7 milionë euro dhe do të jetë transferim i përhershëm.
Lajmi është konfirmuar edhe nga eksperti i merkatos, Fabrizio Romano, i cili ka përdorur formulën e tij të famshme “Here we go!”. Kështu, Martínez pritet të largohet nga Aston Villa për të nisur një kapitull të ri në karrierën e tij te Chelsea. Portieri argjentinas pritet të marrë menjëherë vendin e titullarit në “Stamford Bridge”.
Londinezët kanë vendosur të ndërhyjnë në këtë repart pas paraqitjes së Robert Sánchez në ndeshjen hapëse të Premier League ndaj Fulhamit. Martínez është një prej portierëve më të spikatur të kampionatit anglez në vitet e fundit. Ai ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe me Kombëtaren e Argjentinës, me të cilën u shpall kampion bote.
Transferimi te Chelsea përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm për 33-vjeçarin në karrierën e tij. Tashmë pritet vetëm formalizimi i marrëveshjes dhe përfundimi i procedurave të transferimit. Nëse gjithçka shkon sipas planit, Martínez do të jetë pjesë e Chelseat si lojtar i përhershëm. Një lëvizje e bujshme në merkato që mund të ndryshojë menjëherë hierarkinë në portën e klubit londinez.
