Të paktën 50 persona janë plagosur në Noáin, në veri të Spanjës, pasi fishekzjarrët shpërthyen mes turmës gjatë nisjes së festimeve për Shën Michaelin, shenjti mbrojtës i qytetit. Ngjarja ndodhi rreth mesditës në komunitetin e Navarrës, pranë Pamplonës. Sipas autoriteteve, një fishekzjarr u lëshua nga ballkoni i bashkisë për të shënuar nisjen e festimeve.
Por situata doli jashtë kontrollit pasi shkëndijat nga fishekzjarri i parë dyshohet se ndezën fishekzjarre të tjera, të cilat shpërthyen në drejtim të turmës së mbledhur në shesh. Tre persona u dërguan në spital me djegie. Bëhet fjalë për tre burra, 41, 53 dhe 54 vjeç, të cilët morën trajtim mjekësor.
Ndërkohë, 47 persona të tjerë morën ndihmën e parë në qendrën lokale shëndetësore, kryesisht për djegie dhe dhimbje në veshë. Pamjet e incidentit, të transmetuara nga televizionet spanjolle, tregojnë momentet e panikut. Pjesëmarrësit, të veshur me të bardha dhe me shamitë e kuqe tradicionale, shihen duke vrapuar për t’u larguar nga sheshi, ndërsa fishekzjarrët shpërthejnë në mes të turmës.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e incidentit dhe mënyrën se si fishekzjarrët përfunduan duke shpërthyer pranë qytetarëve.
