Nën parukën dhe gurët e çmuar, Partoni ishte gjeniu pas një vargu këngësh klasike, nga Jolene te I Will Always Love You që vazhdojnë të frymëzojnë artistët e rinj.
Nga: Alexis Petridis, kritik muzike / The Guardian (titulli: Dolly Parton’s peerless career turned country music cliches inside out ) Përkthimi: Telegrafi.com Në dhjetor të vitit 1977, Dolly Parton pranoi të intervistohej nga Barbara Walters e televizionit ABC, krejt në kundërshtim me këshillat e miqve të saj.
Waltersi nuk njihej për ndonjë dashuri apo njohje të thellë të muzikës kantri [country]. Njihej si një grua shumë e fortë, një gazetare e lindur në Boston dhe e arsimuar në [kolegjin] Sara-Lorenc e cila kishte luftuar kundër një seksizmi pothuajse të pabesueshëm për t’u bërë bashkëprezantuesja e parë femër e një programi amerikan lajmesh.
Një muaj para se të takohej me Partonin, ajo kishte intervistuar Anwar Sadatin dhe Menachem Beginin, ndërsa ata po përcaktonin kushtet e traktatit të paqes Egjipt-Izrael. Gjithë kjo ishte shumë larg botës së Partonit dhe intervista ka diçka prej një hulumtimi antropologjik.
Waltersi duket e tmerruar teksa Partoni ia tregon autobusin e turneut, koleksionin e parukave dhe veshjet e saj të skenës “që lahen me dorë dhe nuk rrudhen” (“Vërtet të pëlqen kjo?
Më duket si tmerr”), dhe qëndron pa shfaqur emocion ndërsa Partoni i këndon Coat of Many Colours : një akt mbresëlënës, duke pasur parasysh se rrëfimi i këngës për varfërinë rurale dhe urtësinë e thjeshtë popullore është ndër më prekësit, nga ata që të bëjnë të qash, dhe kjo vjen nga një artiste që nuk ka ngurruar kurrë t’i prekë telat e zemrës së publikut.
Ajo e pyet Partonin nëse njerëzit nga “andej nga vij unë” do ta quanin një hillbilli [fshatare]; e vështron veshjen e këngëtares me sy kritik dhe i thotë, “nuk ke pse të dukesh kështu”. Dhe, më famëkeqja nga të gjitha, ajo e pyet: “A të duket ndonjëherë se je një hajgare”? “Hajgarja është në kurriz të publikut”, përgjigjet Partoni, pa iu larguar asnjëherë buzëqeshja.
“E di saktësisht se çfarë po bëj dhe mund ta ndryshoj në çdo kohë … Jam e sigurt për veten. Jam e sigurt për talentin tim”.
Ishte një paraqitje televizive që të fliste shumë për mënyrën se si perceptohej Partoni nga publiku në vitet kur ajo kaloi me vrull nga fama në Neshvil në statusin e një superylli ndërkombëtar – në një epokë kur mund të ndizje televizorin britanik dhe të gjeje një dyshe kanadeze të quajtur MacLean and MacLean duke interpretuar një këngë tallëse të quajtur Dolly Parton’s Tits [ Gjinjtë e Dolli Partonit ] – dhe gjithashtu tregonte shumë për vetë Partonin, sidomos se, nën parukën dhe gurët e çmuar, ajo kishte shumë më tepër të përbashkëta me Waltersin nga sa mund të kishte menduar kushdo.
Sigurisht që ishte e sigurt për talentin e saj: në kohën kur u ul përballë Waltersit, ajo kishte shkruar tashmë një varg standardesh të pavdekshme të muzikës kantri: jo vetëm Coat of Many Colours , por edhe Jolene , My Tennessee Mountain Home , Down from Dover , I Will Always Love You , Little Bird , Kentucky Gambler , Love Is Like a Butterfly , The Bargain Store , The Seeker .
Sigurisht që e dinte saktësisht se çfarë po bënte me imazhin e saj të bazuar – siç nuk lodhej kurrë duke u thënë intervistuesve – te “lavirja e qytetit” në Pitman-Centër të Tenesisë.
Një grua, hiti i parë solo i së cilës quhej Dumb Blonde [ Biondja budallaqe ], ajo e përdorte imazhin e saj si për të tërhequr një lloj të caktuar adhuruesish të kantrit (“katundarë me flokë të prerë rrafsh sipër, që sjellin gra të veshura me funde të shkurtra ose pantallona të ngushta”, siç u shpreh me përçmim një gazetar në vitet ’70 të shekullit XX), ashtu edhe si një lloj mburoje e lehtë vezulluese.
Pas saj, ajo mund të ishte subversive në një mënyrë delikate. Vite përpara se kontroversa rreth këngës The Pill të Loretta Lynnit të vitit 1975 të nxirrte në pah çështjen e seksizmit të Neshvilit, Partoni shkruante këngë me një prirje qartazi feministe – mes tyre Just Because I’m a Woman dhe When Possession Gets Too Strong – edhe pse gjithmonë ngurronte ta përshkruante veten si të tillë.
Ajo kishte gjithashtu një prirje për këngë që mund t’u shkaktonin dridhje zemre yjeve më konservatorë të Neshvilit. Down from Dover ishte jashtëzakonisht e bukur, por dukej se ziente nga një zemërim empatik për protagonisten e saj – një nënë e pamartuar dhe e përjashtuar nga shoqëria – dhe përfundonte me përshkrimin e saj teksa lindte një foshnjë të vdekur.
Partneri i saj në duet, Porter Wagoner, u tmerrua aq shumë saqë e nxiti të mos e publikonte: ajo e publikoi dhe kënga u ndalua menjëherë nga radiot e muzikës kantri. Dhe, pas imazhit të saj, ajo mund të ishte një model i vetëvendosjes së zgjuar dhe të çeliktë. Nëse establishmenti i muzikës kantri kishte prirjen ta shihte me përçmim (kantautori Tom T.
Hall vuri në dukje dikur se ai dhe Kris Kristofferson ishin të vetmit dy njerëz në Neshvil “që mund ta përshkruanin Dolly Partonin pa përdorur duart”), ajo ishte shumë e vetëdijshme për vlerën e vet.
Wagoneri, atëherë më i famshëm, po i bënte një nder në vitin 1967 kur e mori si partnere të tij në duet, por Partoni bënte pjesën më të madhe të punës së rëndë kur bëhej fjalë për shkrimin e këngëve të dyshes dhe u largua kur u bë e qartë se suksesi i saj po fillonte ta tejkalonte të tijin – gjë që nxiti edhe një padi prej tre milionë dollarësh gjatë këtij procesi.
Për më tepër, siç dihet, ajo i refuzoi propozimet e Elvis Presleyt për të incizuar këngën zemërthyese që ajo shkroi për ndarjen e dyshes, I Will Always Love You , kur menaxheri i Presleyt bëri të ditur se donte, në këmbim, një pjesë të honorarëve nga kënga. Ajo kishte qartazi ambicie artistike dhe komerciale, shumë më të mëdha nga sa i njiheshin.
E para u dëshmua me My Tennessee Mountain Home të vitit 1973, një album konceptual autobiografik i shkruar tërësisht prej saj, ku kujtimet paraqiteshin shumë më pak sentimentalisht nga sa mund të prisje: “Asnjë shumë parash nuk mund të më paguante që të kthehesha dhe ta jetoja përsëri”, këndonte në In the Good Old Days (When Times Were Bad) , për fëmijërinë e saj të varfër në fshat.
Renditet ndër gjërat më të mira që ajo ka publikuar ndonjëherë. Guximi i saj u bë i dukshëm rreth kohës së intervistës me Waltersin, kur Partoni synoi të depërtonte në rrymën kryesore të muzikës pop, duke shpërfillur frikën se kjo do ta largonte publikun që kishte tashmë.
Ajo pati një varg hitesh të mëdha pop: Here You Come Again e vitit 1977, shkruar nga Mann dhe Weill, arriti në vendin e tretë në [top-listën] Hot 100, një klasifikim në të cilin Jolene , në mënyrë të pabesueshme, kishte arritur kulmin vetëm në vendin e 60-të; tre vjet më vonë 9 to 5 arriti në vendin e parë.
Ajo gjithashtu u shndërrua në aktore dhe provoi diskon pa humbur thelbin e saj kantri. Gjatë përpjekjes së saj për sukses në trendin kryesor, kishte po aq gjasa të provonte një version blugres [bluegrass] të Help! nga Beatles, ose një version të Deportee (Plane Wreck at Los Gatos) nga Woody Guthrie, ose t’i sillte botës Me and Little Andy , një këngë e cila kudo tjetër përveç Neshvilit do të konsiderohej paksa e tepërt – pasi një fëmijë dhe një qenush e pësojnë në strofën e fundit – sa ç’kishte gjasa të publikonte diskon tërheqëse dhe tejet ekstravagante, Potential New Boyfriend .
Ajo vërtet e dinte saktësisht se çfarë po bënte. Në njëfarë kuptimi, periudha e saj si yll i muzikës pop që depërtoi te publiku i gjerë zgjati relativisht pak. Pati edhe një hit tjetër të madh me të papërsëritshmin Islands in the Stream të vitit 1983, një duet me Kenny Rogersin – të shkruar nga Bee Gees – por, ajo periudhë kishte marrë fund në kohën e [albumit] Rainbow të vitit 1987.
Dukej se Partoni kishte arritur kufirin e saj në përpjekjet për t’iu përshtatur një publiku të gjerë – teksa interpretonte me mundim materialin e shkruar me porosi për albumin, ajo tingëllonte e mërzitur për vdekje, veçanërisht kur krahasohej me Trio -n e shkëlqyer të po atij viti, një bashkëpunim me Emmylou Harrisin dhe Linda Ronstadtin”.
Sidoqoftë, dështimi komercial i Rainbow -it nuk kishte rëndësi. Ndoshta ngaqë ajo nuk ia kishte kthyer kurrë vërtet shpinën muzikës kantri – Tennessee Homesick Blues i vitit 1984 hapej me tingullin e Partonit duke jodluar – Neshvili e mirëpriti rikthimin e saj të plotë në këtë zhanër me White Limozeen të vitit 1989, ku producent ishte Ricky Skaggs.
Edhe pse ajo nuk pati më kurrë një hit tjetër në US Hot 100, fama e gjerë që kishte krijuar në fund të viteve ‘70 dhe në fillim të viteve ‘80 të shekullit XX nuk u zbeh kurrë gjatë pjesës tjetër të jetës së saj.
Në mënyrë domethënëse, ndërsa promovonte këngën më të spikatur të White Limozeen , jashtëzakonisht të kapshme dhe tejet gazmore, Why’d You Come in Here Lookin’ Like That? , ajo prezantoi [programin humoristik] Saturday Night Live : do të kalonte një dekadë përpara se një tjetër yll kantri ta bënte këtë.
Në të vërtetë, albumet e mëvonshme të Partonit ishin me cilësi dukshëm të pabarabartë, të paktën derisa ajo iu kthye gjërave më themelore: The Grass Is Blue i vitit 1999, fitues i një [çmimi] Gremi [Grammy], hapi një seri prej tri albumesh fantastike të përqendruara te blugresi, muzika folk apalaçiane dhe kantri-gospeli – muzika me të cilën ajo kishte “qenë e rrethuar duke u rritur”.
Pas kësaj, ajo që publikonte ishte me ulje-ngritje: tmerre të konceptuara keq – si përmbledhja e këngëve patriotike e vitit 2003, pas 11 Shtatorit [2001], For God and Country – gjendeshin përkrah albumeve aq të mira si Blue Smoke i vitit 2014, por zëri i saj tingëllonte madhështor pavarësisht materialit.
Ajo ishte ende shumë e aftë të shkruante këngë fantastike – por, asgjë që mund të linte në hije materialit më të mirë të saj të viteve ’70 të shekullit XX. Në të vërtetë, kjo nuk kishte rëndësi, sepse materiali më i mirë i saj i viteve ‘70 të shekullit XX prej kohësh kishte nisur të bënte një jetë më vete jashtë muzikës kantri.
Versioni i Whitney Houstonit i I Will Always Love You u bë singli më i shitur i të gjitha kohërave nga një artiste femër. Sipas numërimit të fundit, Jolene është interpretuar në versione të reja për gati 90 herë: mund ta dëgjoje të interpretuar si alt-rok të zhurmshëm nga White Stripes, si sint-pop nga Strawberry Switchblade ose si një kolonë post-klab zanore nga One Dove.
Ndërkohë, në shekullin XXI, u bë e dukshme përmasa e plotë e ndikimit të Partonit në muzikën pop. Yjet më të rinj u vunë në radhë për t’i bërë homazhe të një lloji apo një tjetri. Taylor Swift, e cila di një a dy gjëra për kalimin nga kantri në pop, e quajti atë “një forcë evolucioni dhe transformimi në industrinë tonë”.
Partoni bashkëshkroi Rainbowland në albumin Younger Now të vitit 2017 të famulleshës së saj Miley Cyrus dhe nuk duhej ta analizoje shumë thellë punën e Sabrina Carpenterit për ta dalluar ndikimin.
Fakti që hiti i madh i Carpenterit i vitit 2024, Please Please Please , tingëllonte si diçka që mund ta kishte shkruar Partoni, me sa duket nuk i shpëtoi as vetë Partonit: ajo u shfaq duke kënduar në duet me Carpenterin në një version të rimiksuar të këngës, ku sharjet ishin hequr me elegancë Siç do të nxitonin të vinin në dukje adhuruesit e [këngëtareve të kantrit] Tammy Wynette ose Patsy Cline, Partoni sigurisht nuk ishte ylli i parë femër i muzikës kantri që depërtoi në klasifikimet e popit, por megjithatë ajo dukej si kumbara e pop-kantrit që ka pushtuar klasifikimet vitet e fundit dhe që një listë këngësh në Spotify e karakterizonte si Neon Cowgirl [ kauboje neoni ] (Partoni ishte bindshëm artistja më e vjetër e përfshirë në atë listë, përkrah Swiftit, Carpenterit, Chappell Roanit, Keshas e të tjerave).
Kur Beyoncé bëri një kapërcim muzikor drejt kantrit me Cowboy Carter , në njëfarë mënyre dukej e pashmangshme që Partoni të përfshihej, dhe kështu ndodhi: ajo bëri një hyrje të folur për versionin e ri të Jolene nga Beyoncé. Në fakt, nga mesi i viteve ’20 të shekullit XXI, ajo dukej po aq e pranishme në muzikën pop sa kishte qenë në fund të viteve ’70 të shekullit XX.
Ndryshimi ishte se askush nuk do ta kishte pyetur nëse ishte hajgare. Asaj pyetjeje i ishte dhënë prej kohësh një përgjigje që i kishte bindur të gjithë.
