Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën ka parandaluar një rast të dyshuar të kontrabandës me mallra në afërsi të brezit kufitar me Maqedoninë e Veriut.
Sipas njoftimit të datës , njësia e Task Forcës–Jugu ka vërejtur një furgon me ngjyrë të bardhë dhe me targa vendore duke hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës, nga drejtimi i fshatit Tanushë të Maqedonisë së Veriut, në drejtim të fshatit Mjak të Vitisë. Njësitet policore thuhet se kanë reaguar dhe kanë arritur ta ndalojnë automjetin në afërsi të brezit kufitar.
“Gjatë kontrollit të automjetit është konstatuar se në të transportoheshin sasi të konsiderueshme të mallrave”, – thuhet në njoftimin e Policisë. Në automjet janë gjetur 9 mijë e 525 copë çipsa, 700 copë pashteta me peshë nga 95 gramë dhe 750 copë gullash gjedhi me peshë nga 200 gramë. Sipas Policisë, drejtuesi i automjetit nuk posedonte dokumente për prejardhjen apo importimin e mallrave.
“Produktet kishin mbishkrime të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, – thuhet në njoftim. Vlera preliminare e mallrave të dyshuara si të kontrabanduara është mbi 5 mijë euro, pa përfshirë detyrimet dhe taksat doganore të shmangura. Policia ka bërë të ditur se mallrat dhe automjeti janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminalin doganor.
“Rasti, për procedim të mëtejmë, do të trajtohet nga njësitet kompetente të Doganës së Kosovës”, -thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
