Greqia po vijon programin e saj të modernizimit ushtarak, me një tjetër investim të rëndësishëm në fuqinë detare. Më 8 shtator, Athina dhe Roma pritet të firmosin në kryeqytetin italian marrëveshjen për blerjen nga Greqia të dy fregatave italiane FREMM të klasës “Bergamini”.
Në ceremoninë e nënshkrimit pritet të marrin pjesë ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, homologu italian Guido Crosetto dhe drejtues të marinave të të dy vendeve. Bëhet fjalë për dy anije që janë aktualisht pjesë e Marinës italiane: “Carlo Bergamini” (F-590) dhe “Virginio Fasan” (F-591).
Sipas planifikimit, e para pritet t’i dorëzohet Greqisë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2028, ndërsa e dyta në gjashtëmujorin e parë të vitit 2029. Marrëveshja do të përcaktojë kushtet ligjore, ekonomike dhe teknike të blerjes, mbështetjen pas dorëzimit dhe përfshirjen e industrisë greke në mirëmbajtjen dhe përshtatjen e sistemeve.
Parashikohet edhe mundësia që Athina të blejë fregata të tjera në të ardhmen. Shuma e marrëveshjes nuk është bërë publike nga Ministria greke e Mbrojtjes. Sipas vlerësimeve të specialistëve, dy anijet në konfigurimin e tyre aktual mund të kenë një vlerë rreth 467 milionë euro, por kjo shifër nuk është konfirmuar zyrtarisht.
“Carlo Bergamini” është anija e parë e programit italian FREMM dhe iu dorëzua Marinës italiane në vitin 2012. Ajo është e konfigurimit “General Purpose”. “Virginio Fasan”, e dorëzuar në vitin 2013, është e specializuar në luftën kundër nëndetëseve.
Të dyja fregatat janë rreth 144 metra të gjata, kanë zhvendosje rreth 6.700 tonë, shpejtësi deri në rreth 27 nyje dhe autonomi rreth 6.000 milje detare. Në armatimin e tyre përfshihen raketat kundërajrore Aster 15/30, raketat kundër anijeve Teseo dhe silurët MU90. Blerja e dy FREMM-ve është vetëm një pjesë e planit më të gjerë të Athinës për të modernizuar Forcat e Armatosura.
Në janar të këtij viti, në flotën greke u integrua “Kimon”, fregata e parë e re franceze FDI HN, e njohur si “Belharra”. Dy fregata të tjera, “Nearchos” dhe “Formion”, janë planifikuar për dorëzim gjatë vitit 2026, ndërsa në nëntor 2025 Greqia firmosi kontratën për fregatën e katërt, “Themistocles”.
Nëse programet vijojnë sipas planifikimit, Marina greke do të ketë katër fregata FDI të reja dhe të paktën dy FREMM italiane, ndërsa paralelisht do të vazhdojë modernizimi i fregatave ekzistuese MEKO. Modernizimi nuk kufizohet vetëm te marina.
Greqia ka investuar gjatë viteve të fundit edhe në aviacionin luftarak, me F-16 Viper, Rafale dhe F-35, ndërsa ka zgjeruar kapacitetet e trajnimit të pilotëve me avionët M-346. Në vitin 2021, Athina bleu 18 Rafale nga Franca, ndërsa më pas shtoi edhe gjashtë të tjerë, duke e çuar flotën në 24 avionë. I fundit mbërriti në Greqi në janar 2025.
Në vitin 2024, Greqia firmosi gjithashtu marrëveshjen me SHBA-në për 20 F-35A, me mundësi për 20 avionë të tjerë. Dorëzimi i avionëve të parë pritet të nisë në vitin 2028. Në fushën e helikopterëve, Marina greke ka shtatë MH-60R Seahawk, të dedikuar kryesisht për luftën kundër nëndetëseve dhe objektivave sipërfaqësore. Ushtria greke ndërkohë ka porositur 35 UH-60M Black Hawk.
Helikopterët e parë pritet të mbërrijnë gjatë gjysmës së parë të vitit 2027. Një pjesë e këtij modernizimi lidhet edhe me bashkëpunimin ushtarak me Izraelin. Marrëveshja e vitit 2021 për Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit Ajror në Kalamata përfshin 10 avionë M-346, simulatorë dhe sisteme trajnimi.
Programi ka një vlerë të raportuar rreth 1.65 miliardë dollarë dhe është parashikuar të zgjasë rreth 20 vjet. Ankaraja ndjek nga afër lëvizjet e Athinës Zgjerimi i kapaciteteve ushtarake greke zhvillohet në një mjedis të ndjeshëm në Egje dhe Mesdheun Lindor, ku marrëdhëniet mes Greqisë dhe Turqisë mbeten të ndërlikuara.
Në një përgjigje zyrtare të Ministrisë turke të Mbrojtjes, të datës , Ankaraja shprehet se po ndjek nga afër programet e armatimit dhe bashkëpunimin ushtarak të Greqisë në Egje dhe Mesdheun Lindor.
Dokumenti, i nënshkruar nga ministri turk i Mbrojtjes, Yaşar Güler, i kushton vëmendje edhe afrimit ushtarak mes Greqisë dhe Izraelit, përfshirë bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes, stërvitjet dhe teknologjinë.
Ankaraja e lidh gjithashtu qëndrimin e saj me çështjen e Qipros dhe thotë se do të marrë masat e nevojshme për zhvillimet që mund të paraqiten në terren, duke përfshirë kriza dhe tensione. Megjithatë, dokumenti turk nuk parashikon një konflikt të afërt dhe nuk identifikon Greqinë apo Izraelin si kundërshtarë konkretë në një skenar lufte.
Me blerjen e dy FREMM-ve italiane, së bashku me fregatat FDI, avionët Rafale e F-35 dhe programet për helikopterët e rinj, Greqia po ndërton gradualisht një forcë ushtarake me kapacitete më të mëdha në det dhe ajër.
