U arratis 4 herë nga qelitë e Italisë dhe Belgjikës! Në kërkim nga

0%

Policia Kombëtare spanjolle ka arrestuar në Tarragona të Katalonjës shqiptarin Taulant Toma, 42 vjeç, i kërkuar nga drejtësia italiane dhe i njohur për katër arratisje nga burgjet në Itali dhe Belgjikë. Arrestimi është kryer të dielën, më 23 gusht, ndërsa autoritetet spanjolle e bënë publik lajmin më vonë. Gjatë ndërhyrjes, Toma ka bërë rezistencë të fortë, sipas burimeve hetimore.

Shqiptari ishte arratisur nga katër institucione penitenciare, tre në Itali dhe një në Belgjikë. Arratisja e fundit ndodhi më nga burgu i sigurisë së lartë në Opera, pranë Milanos. Sipas hetimeve, Toma kishte prerë shufrat e qelisë në katin e tretë dhe ishte larguar duke zbritur në oborr me çarçafë të lidhur.

Për të kaluar murin rrethues, rreth gjashtë metra të lartë, ai kishte ndërtuar një shkallë artizanale duke bashkuar bishta fshesash me shirit ngjitës. Më pas, për të kapërcyer rrethimin, kishte përdorur një grep hekuri të siguruar brenda burgut.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Arratisja kishte ngritur një hetim edhe ndaj një 25-vjeçari, shokut të tij të qelisë, i dyshuar se e kishte ndihmuar ose kishte shërbyer si “roje” gjatë operacionit. Por kjo nuk ishte hera e parë që Toma arrinte të largohej nga një burg. Arratisjen e parë e kreu në vitin 2009, nga burgu i Ternit, në Umbria. Pas disa muajsh në arrati, u lokalizua dhe u arrestua në Pavia.

Në vitin 2013, ai u arratis për herë të dytë, këtë radhë nga një burg i sigurisë së lartë në Parma. Pas arratisjes u largua drejt Belgjikës, ku u arrestua nga autoritetet. Por edhe në Belgjikë historia u përsërit. Toma u arratis nga një burg në rajonin flamand, përpara se të kapej dhe të ekstradohej drejt Italisë.

Katër arratisjet i kanë dhënë shqiptarit nofkën “magjistari i arratisjeve”, ndërsa mediat italiane e kanë krahasuar rekordin e tij edhe me atë të Felice Maniero. Toma duhet të vuajë ende 22 vite burgim dhe, sipas të dhënave të bëra publike, pritet të përfundojë dënimin në vitin 2048.

Tashmë, pas arrestimit në Tarragona, ai përballet me një tjetër procedurë që lidhet me ekstradimin dhe kthimin drejt Italisë.

Burimi: Bota Sot