Një reagim i vogël në momentin e duhur mund ta ndryshojë krejt rrjedhën e debatit – psikologët tregojnë çfarë funksionon dhe çfarë vetëm e përkeqëson situatën Adoleshenca shoqërohet me ndryshime të mëdha fizike, shoqërore dhe emocionale, të cilat jo gjithmonë janë të lehta për t’u përballuar.
Konfliktet me prindërit, miqtë apo edhe përplasjet e brendshme emocionale janë të zakonshme në këtë periudhë. Psikologu Joseph Laino shpjegon se shumë prej këtyre situatave janë krejtësisht normale, por prindërit mund t’i ndihmojnë adoleshentët të zhvillojnë mënyra më të shëndetshme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Pse lindin konfliktet?
Adoleshentët kërkojnë gjithnjë e më shumë pavarësi, ndërsa mendimi i bashkëmoshatarëve bëhet shumë i rëndësishëm. Ndonjëherë mund të mos duan të bëjnë atë që kërkon grupi, por e kanë të vështirë të thonë “jo”. Konfliktet me familjen gjithashtu shtohen shpesh pikërisht për shkak të dëshirës për më shumë liri.
Psikologu Christopher Lynch paralajmëron se edhe bullizmi mund të ketë pasoja serioze fizike dhe emocionale. Aftësia për të komunikuar dhe për të kërkuar ndihmë nuk e bën viktimën përgjegjëse për dhunën, por mund të ndihmojë që problemi të raportohet dhe trajtohet më herët. Në këtë moshë zhvillohet edhe të menduarit abstrakt dhe identiteti personal.
Të rinjtë krijojnë pikëpamjet e tyre për çështje sociale, politike e kulturore, ndërsa njëkohësisht përpiqen të kuptojnë emocionet e tyre, transmeton Telegrafi. Mos e detyroni të flasë kur është i zemëruar Kur tensioni rritet, ndonjëherë zgjidhja më e mirë është një pushim.
Nëse adoleshenti dëshiron të shkojë për disa minuta në dhomën e tij, lejojeni, por bëjani të qartë se jeni të gatshëm të bisedoni kur të qetësohet. Psikologët rekomandojnë përdorimin e të ashtuquajturave “mesazhe në vetën e parë”. Në vend të: “Ti më zemëron kur…”, është më mirë të thuhet: “Unë ndihem i/e shqetësuar kur…”.
Kjo e zvogëlon ndjesinë e akuzës dhe krijon më shumë hapësirë për dialog. Po aq e rëndësishme është ta dëgjoni adoleshentin pa e ndërprerë dhe pa e gjykuar. Në vend që t’i tregoni menjëherë çfarë duhet të bëjë, mund ta pyesni: “Çfarë mendon se mund të ndodhë nëse vepron kështu?” ose: “A dëshiron ta dëgjosh mendimin tim?”. Nëse nuk dëshiron këshillë në atë moment, respektojeni.
Mësojeni të dallojë sinjalet e trupit Adoleshenti duhet të mësojë të kuptojë kur po humb kontrollin emocional. Djersitja, rrahjet e shpejta të zemrës, skuqja e fytyrës apo ndjenja e presionit në gjoks, kokë ose bark mund të jenë sinjale se është koha për ta ndërprerë përkohësisht debatin.
Më pas mund të përdorë një aktivitet që e qetëson: të dëgjojë muzikë, të ecë, të lexojë, të vizatojë, të bëjë ushtrime, të shkruajë apo thjesht të qëndrojë pak vetëm. “Nuk ekziston një mënyrë që funksionon për të gjithë. Secili duhet të gjejë atë që i përshtatet”, thekson Laino.
Kur duhet ndërprerë debati Nëse të dyja palët janë të zemëruara, vazhdimi i diskutimit zakonisht vetëm sa e përkeqëson situatën. Largimi për disa minuta, frymëmarrja e thellë apo një aktivitet qetësues mund të ndihmojnë që biseda të vazhdojë më vonë në mënyrë më konstruktive. Adoleshentëve mund t’u ndihmojë edhe të përgatiten paraprakisht për një bisedë të vështirë.
Mund të ushtrojnë atë që duan të thonë para pasqyrës, me një mik apo edhe duke u incizuar në telefon për të vëzhguar tonin dhe gjuhën e trupit. Një teknikë e thjeshtë është edhe frymëmarrja e ngadaltë: të marrë frymë thellë përmes hundës, duke e ngritur barkun, dhe më pas ta nxjerrë ngadalë përmes gojës.
Qëllimi nuk është që adoleshenti të mos zemërohet kurrë, por të mësojë ta njohë emocionin para se ai ta marrë kontrollin e bisedës .
