Në historinë politike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Ardita Sinani është gruaja e parë në historinë e Preshevës si kryetare e Komunës dhe përfaqëson një prej figurave femërore më të rëndësishme në historinë e Luginës. Kronologjia jetësore e Ardita Sinanit: – ka lindur në Preshevë.
Përfundon shkollimin fillor dhe të mesëm në Preshevë. 2003 – diplomohet në Prishtinë në profilin ekonomi–menaxhment–informatikë. Punon si profesoreshë e informatikës në Gjimnazin e Preshevës. Gjatë periudhës kur Riza Halimi ishte kryetar i Komunës së Preshevës, punon në kabinetin e tij. Kjo është një pikë e rëndësishme për analizën e formimit të saj politik.
Dhjetor 2015 – zgjidhet kryetare e Degës së PVD-së në Preshevë. 2016 – kandidon në zgjedhjet parlamentare të Serbisë në listën e PVD-së. – bëhet gruaja e parë kryetare e Komunës së Preshevës. 2017–2021 – vazhdon aktivitetin politik dhe institucional në PVD. – rikthehet në postin e kryetares së Komunës së Preshevës. 2022 – largohet nga posti i kryetares. 2022 – emërohet këshilltare e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për çështjet e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. – rikthehet në krye të Komunës së Preshevës dhe vazhdon të jetë kryetare.
Kjo kronologji tregon një karrierë interesante: nga profesoresha e informatikës → bashkëpunëtore e Riza Halimit → kuadër partiak i PVD-së → kryetare e parë grua e Preshevës → këshilltare politike e kryeministrit të Kosovës → rikthim në drejtimin e Komunës së Preshevës.
Rruga e saj politike nuk është e shkëputur nga historia e Partisë për Veprim Demokratik – PVD, dhe aktualisht është pjesë e saj, por as nuk mund të reduktohet vetëm në historinë e kësaj partie.
Ajo është pjesë e një brezi politik që u formua pas periudhës së Riza Halimit dhe që u përball me një realitet krejtësisht tjetër: me pasojat e konfliktit të vitit 2000–2001, me dobësimin ekonomik të Preshevës, me emigrimin e vazhdueshëm të të rinjve, me pasivizimin e adresave, me problemet e arsimit dhe dokumenteve, me mungesën e investimeve dhe me një sistem politik në të cilin shqiptarët vazhdojnë të kërkojnë përfaqësim real dhe barazi.
Ardita Sinani është aktive në PVD që nga viti 2005, ndërsa në vitin 2015 u zgjodh kryetare e Degës së PVD-së në Preshevë. Ajo ka qenë gjithashtu këshilltare në Kuvendin Komunal dhe anëtare e Këshillit Kombëtar Shqiptar. Ajo hyri në historinë politike lokale edhe si gruaja e parë që drejtoi Komunën e Preshevës.
Vetë Sinani e ka konsideruar këtë jo vetëm si arritje personale, por edhe si dëshmi të emancipimit politik të Preshevës dhe të rritjes së rolit të gruas në vendimmarrje.
Dhe pikërisht këtu duhet të fillojë një analizë serioze e Ardita Sinanit: jo me pyetjen se sa herë është zgjedhur, sa personalitete e kanë vizituar apo sa takime ka zhvilluar, por me pyetjen shumë më të vështirë: Çfarë ka ndryshuar realisht në Preshevë gjatë qëndrimit të saj në pushtet? Kjo është pyetja që duhet t’ia bëjë vetes çdo kryetar komune.
Sepse politika mund të prodhojë shumë fotografi, deklarata, takime, konferenca dhe vizita. Por qytetari e mat qeverisjen me ujin që rrjedh në rubinet, rrugën që ndërtohet, shkollën që përmirësohet, vendin e punës që krijohet, shërbimin publik që funksionon dhe investimin që mbetet. Në këtë pikë qëndron edhe paradoksi i Ardita Sinanit.
Ajo duket dukshëm më e fortë në përfaqësimin politik dhe diplomatik sesa në demonstrimin e një transformimi të madh dhe të matshëm të bazës ekonomike e infrastrukturore të Preshevës. Ky nuk është domosdoshmërisht dështim personal. Por realisht është një hendek ndërmjet kapitalit politik dhe rezultatit administrativ, i cili duhet analizuar pa emocione.
NJË RRUGËTIM POLITIK I NDËRTUAR GRADUALISHT Ardita Sinani nuk është produkt i një karriere të menjëhershme. Ajo është formuar brenda strukturave politike të PVD-së dhe ka kaluar nëpër disa nivele të përfaqësimit lokal.
Sipas biografisë së publikuar nga Komuna e Preshevës, aktiviteti i saj politik fillon në vitin 2005 me zgjedhjen në Kryesinë e PVD-së; më pas ka qenë këshilltare komunale, anëtare e Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe, nga viti 2015, kryetare e Degës së PVD-së në Preshevë.
Në vitin 2017 ajo drejtoi për herë të parë Komunën e Preshevës, ndërsa më pas u rikthye në krye të komunës në periudhën 2021–2022 dhe sërish pas zgjedhjeve lokale të vitit 2024. Në vitin 2024 ajo fitoi zgjedhjet lokale dhe, pas marrëveshjes ndërmjet PVD-së, PDSH-së dhe Unionit Demokratik Shqiptar, u zgjodh kryetare e Komunës më me 24 vota në Kuvendin Komunal.
Kjo është një arritje e rëndësishme politike. Por ajo duhet parë edhe në kontekstin e një sistemi lokal ku koalicionet janë të domosdoshme dhe ku asnjë subjekt nuk mund të qeverisë i vetëm për një kohë të gjatë pa krijuar marrëdhënie funksionale me subjektet e tjera. Kjo e bën Sinanin jo vetëm kryetare të një partie, por edhe menaxhere të koalicionit politik.
Dhe ky është një test tjetër i rëndësishëm. ARDITA SINANI SI GRUA NË POLITIKË Ka një dimension të veçantë në karrierën e Ardita Sinanit që nuk duhet nënvlerësuar. Ajo është grua në një mjedis politik tradicionalisht të dominuar nga burrat. Të bëhesh kryetare e një komune shqiptare në Serbi nuk është vetëm një sukses individual. Është një sinjal për shoqërinë.
Është dëshmi se politika shqiptare në Preshevë mund të kalojë nga modeli tradicional i udhëheqjes mashkullore drejt një përfaqësimi më pluralist. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për gjeneratën e re. Nëse vajzat e Preshevës shohin një grua në krye të institucionit më të rëndësishëm lokal, kjo e zgjeron horizontin e tyre politik dhe shoqëror. Por edhe këtu duhet bërë një dallim.
Fakti që një grua është kryetare është sukses demokratik, por mënyra se si qeveris ajo është test institucional. Një shoqëri moderne nuk duhet ta vlerësojë një politikane vetëm sepse është grua.
Ajo duhet të vlerësohet me të njëjtat standarde me të cilat vlerësohen burrat: çfarë ka ndërtuar; çfarë ka reformuar; çfarë ka përmirësuar; çfarë investimesh ka sjellë; sa transparent është administrimi; sa është rritur ekonomia; sa janë përmirësuar shërbimet publike; dhe sa është zvogëluar emigrimi. Kjo nuk është diskriminim. Kjo është barazi e vërtetë!
PËRFAQËSIMI POLITIK – PIKA MË E FORTË E ARDITA SINANIT Nëse duhet të identifikojmë një dimension ku Ardita Sinani ka qenë veçanërisht aktive, ai është përfaqësimi politik. Ajo ka ndërtuar një rrjet të gjerë kontaktesh me Prishtinën, Tiranën, përfaqësues diplomatikë dhe figura të tjera politike. Kjo është një politikë e domosdoshme. Presheva ka nevojë për aleatë.
Ajo nuk mund t’i zgjidhë e vetme problemet e saj strukturore. Një komunë me kapacitete të kufizuara financiare duhet të kërkojë investime dhe partneritete jashtë saj. Në këtë drejtim, takimet e Sinanit me institucionet e Kosovës kanë qenë të rëndësishme.
Kryeministri Albin Kurti e priti atë në gusht 2024, duke shprehur gatishmëri për bashkëpunim institucional dhe mbështetje për programin e saj qeverisës. Po ashtu, gjatë vitit 2025 ajo zhvilloi kontakte me institucione dhe personalitete nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera.
Në prill 2025, për shembull, ajo u takua me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ku u diskutuan pika kufitare Llojan–Miratoc, mbështetja për studentët dhe zhvillimi ekonomik. Në shtator 2025 u takua me ministrin shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ku u diskutuan projektet dhe bashkëpunimi institucional.
Ndërsa në prill 2025, Sinani dhe përfaqësues të pushtetit lokal zhvilluan takim me ambasadoren e Norvegjisë, Kristin Melsom, ku u parashtruan kërkesa për ujësjellës, energji solare, kanalizim, modernizim të shkollave dhe mbështetje për të rinjtë e gratë. Këto kontakte janë të rëndësishme.
Por këtu shfaqet edhe pyetja kryesore e kësaj analize: A po shndërrohet diplomacia e takimeve në diplomaci të rezultateve? Sepse një takim me ambasadorin është mjet. Një projekt i financuar është rezultat. Një fotografi me ministër është komunikim. Një shkollë e ndërtuar është politikë publike. Një deklaratë për investime është premtim. Kurse një investim i përfunduar është bilanc.
Kjo është diferenca ndërmjet politikës së dukshmërisë dhe politikës së transformimit. PRESHEVA NUK KA NEVOJË VETËM PËR MË SHUMË VIZITA Ardita Sinani ka një avantazh politik që shumë kryetarë të komunave shqiptare nuk e kanë: aftësinë për të krijuar kontakte. Por kjo aftësi duhet të shndërrohet në instrument zhvillimi.
Nëse një kryetare takohet me dhjetë ambasadorë, pyetja nuk duhet të jetë vetëm: Me kë u takua? Pyetja duhet të jetë: Çfarë solli nga këto takime? Nëse zhvillon dhjetë takime me ministra: Sa marrëveshje u nënshkruan? Nëse viziton Kosovën: Sa projekte u financuan? Nëse viziton Shqipërinë: Sa investime u konkretizuan? Nëse takon diasporën: Sa biznese të diasporës u kthyen në Preshevë?
Kjo duhet të jetë logjika e re: Nga fotografia te projekti. Nga projekti te financimi. Nga financimi te realizimi. Nga realizimi te rezultati. Ky duhet të jetë zinxhiri i ri i qeverisjes së Preshevës.
INVESTIMET – TESTI MË I VËSHTIRË I QEVERISJES Në programin buxhetor për vitin 2025, administrata e Sinanit ka identifikuar si prioritete infrastrukturën, arsimin, shërbimet sociale, mbështetjen për nxënësit dhe studentët dhe zhvillimin ekonomik. Në mënyrë të veçantë janë përmendur ndërtimi i rrugëve, kanalizimi dhe rregullimi i shtretërve të lumenjve. Këto janë prioritete të drejta.
Por problemi i Preshevës është se lista e nevojave është shumë më e gjatë se kapaciteti financiar i komunës. Prandaj, kryetari i komunës duhet të ketë një hierarki të investimeve. Presheva nuk mund t’i bëjë të gjitha njëkohësisht. Duhet të zgjedhë. Dhe këtu kërkohet guxim politik.
Administrata e Sinanit, në lidhje me projektin e rrugës “Tefik Selimi”, ka theksuar nevojën për zgjidhjen e çështjeve pronësore, sistemin e ujërave atmosferike, ndriçimin publik dhe elementet urbane. Kjo tregon një vetëdije më moderne për projektimin e infrastrukturës. Por qytetari ka të drejtë të kërkojë më shumë: Kur do të përfundojë? Sa kushton? Kush e financon? Kush e kontrollon?
Këto janë pyetje të demokracisë moderne. SHKOLLA E MUZIKËS DHE MUZEU – NJË PROJEKT ME PESHË SIMBOLIKE Një prej projekteve më të rëndësishme të lidhura me administratën aktuale është financimi i paralajmëruar nga Qeveria e Kosovës për shkollën e muzikës dhe muzeun e Preshevës.
Në korrik 2025 u bë publike mbështetja prej 580 mijë eurosh për bashkëfinancimin e ndërtimit të Shkollës së Muzikës dhe Muzeut të Preshevës. Ky projekt ka rëndësi përtej vlerës financiare. Sepse zhvillimi nuk është vetëm rrugë, kanalizim, ujësjellës, etj. Zhvillimi është edhe identitet. Kultura është investim në kohezionin shoqëror.
Por edhe këtu duhet ruajtur një parim i rëndësishëm: projektet e mëdha publike nuk duhet të bëhen pronë politike e asnjë administrate. Opozita ka pretenduar se projekti ishte ideuar dhe projektuar në një mandat të mëparshëm. Nëse kjo është e dokumentuar, merita duhet t’i jepet secilit që ka kontribuar.
Projekti publik nuk ka ngjyrë partie: nëse e ka nisur njëri dhe e përfundon tjetri, të dy duhet të vlerësohen. Kjo është kultura e vërtetë institucionale**.** UJËSJELLËSI SI NJË SFIDË! Një nga çështjet më serioze të Preshevës është furnizimi me ujë.
Në takimin me ambasadoren norvegjeze, administrata lokale ka kërkuar mbështetje për fazën e dytë të ujësjellësit, energjinë solare për stacionet e pompimit dhe trajtimin e ujërave të ndotura. Kjo tregon se problemi është i njohur dhe se kërkohen partnerë ndërkombëtarë.
Por një episod i vitit 2025 e bëri problemin edhe më të dukshëm: sipas raportimeve mediatike, ndërmarrja publike “Moravica” iu drejtua diasporës për ndihmë financiare për hapjen e puseve dhe pajisjet e furnizimit me ujë. Këtu duhet bërë një dallim i rëndësishëm. Ndihma e diasporës është traditë dhe pasuri e Preshevës. Por diaspora nuk mund të bëhet zëvendësim i politikës publike.
Ajo duhet të jetë partner zhvillimi dhe jo “arkë emergjence” e komunës. Kjo është një vijë që duhet ruajtur. PROBLEMI I FINANCAVE DHE MENAXHIMIT Një kryetar komune nuk gjykohet vetëm nga projektet që dëshiron të realizojë, por sidomos gjykohet edhe nga mënyra se si administron paratë publike.
Në vitin 2025 u raportuan debate lidhur me situatën financiare të komunës dhe menaxhimin e disa kontratave. Një prej rasteve të debatueshme ishte kontrata për ndriçimin LED, për të cilën u raportua se administrata Sinani kishte vendosur ndërprerjen e njëanshme të kontratës dhe se mund të lindnin pasoja juridike e financiare.
Këto janë pretendime të raportuara nga media lokale dhe nuk duhet të trajtohen si fakte të gjykuara pa një vendim përfundimtar të organeve kompetente. Po ashtu, ka pasur akuza publike nga opozita lidhur me vështirësi financiare dhe paga të administratës.
Pastaj, lidhur me realizimin e punimeve sipas tenderëve publikë, ku ka vërejtje dhe pakënaqësi të qytetarëve, si p.sh. për dështimet e shëmtuara të investimeve në trotuaret e Preshevës, dështimet e investimeve në Zonën Industriale, që kanë filluar para dy dekadave dhe janë shpenzuar mjete të mëdha financiare dhe dyshohet për afera marramendëse të korrupsionit, kurse gjendja dëshpëruese e tanishme është dëshmi e keqpërdorimeve të mëdha, etj.
Këto pretendime duhet studiuar se a janë reale apo kundërshtime politike dhe duhet të dallohen nga faktet e verifikuara dokumentarisht dhe në vendin e ngjarjes. Por vetë ekzistenca e këtyre debateve është e mjaftueshme për të nxjerrë një përfundim: Komuna e Preshevës ka nevojë për një kulturë shumë më të fortë të transparencës, kontrollit dhe përgjegjësisë financiare!
Çdo kontratë e madhe e tenderëve publikë duhet të jetë e kuptueshme dhe transparente për publikun. Çdo projekt duhet të ketë: vlerën; burimin e financimit; afatin; kompaninë realizuese; statusin; përqindjen e realizimit; dhe rezultatin. Nëse kjo bëhet rregullisht, kritika politike humbet shumë nga fuqia e saj. Sepse dokumenti është më i fortë se propaganda.
ARDITA SINANI DHE “POLITIKA E VIZITAVE” Këtu ndodhet ndoshta pika më interesante për analizën e profilit të saj politik. Sinani ka ndërtuar një stil politik që mund të quhet diplomacia lokale e jashtme. Ajo udhëton, pret delegacione, takohet me ambasadorë, ministra, kryetarë komunash dhe personalitete politike. Kjo është një forcë.
Por mund të bëhet edhe dobësi nëse takimi bëhet qëllim në vetvete. Presheva nuk ka nevojë vetëm për shumë miq. Ka nevojë për partnerë të institucionalizuar. Një kryetar komune duhet të ndërtojë marrëdhënie afatgjata, jo vetëm vizita reciproke. Për shembull: Norvegji – Preshevë: ujësjellës, energji, ujëra të zeza. Kosovë – Preshevë: arsim, kulturë, shëndetësi, studentë, infrastrukturë.
Shqipëri – Preshevë: kulturë, arsim, ekonomi, turizëm, administratë. Maqedoni e Veriut – Preshevë: Llojan–Miratoc, tregti, arsim, ekonomi. Diaspora – Preshevë: investime dhe ndërmarrësi. Kjo do të ishte diplomaci e dobishme dhe jo vetëm: “U takuam dhe diskutuam!” Por: “U takuam, nënshkruam, financuam dhe realizuam!” Kjo është ajo që duhet të kërkojë Presheva!
KAPITALI POLITIK I SAJ NUK DUHET TË SHPËRDORET Sinani ka një kapital politik të rëndësishëm. Ajo ka kontakte në Prishtinë. Ka kontakte në Tiranë. Ka kontakte në rajon. Ka krijuar komunikim me përfaqësues diplomatikë. Ka qenë këshilltare e kryeministrit të Kosovës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Kjo përvojë është një avantazh i madh.
Por kapitali politik është si kapitali financiar: nëse nuk investohet, humbet! Nëse një kryetare ka akses te personalitete të nivelit të lartë, ajo duhet ta përdorë këtë akses për projekte konkrete. Nëse ka marrëdhënie me diplomatë, duhet të krijojë programe. Nëse ka marrëdhënie me qeveritë shqiptare, duhet të sigurojë bashkëfinancime.
Nëse ka kontakte me diasporën, duhet të krijojë një Fond Zhvillimor të Preshevës me standarde transparente. Nëse ka kontakte me institucionet amerikane dhe evropiane, duhet t’u paraqesë një Plan Strategjik të Preshevës 2030. Këtu do të fillonte një fazë e re e politikës së saj.
PRESHEVA KA NEVOJË PËR NJË “PLAN MARSHALL” LOKAL Një nga idetë që duhet të hidhet seriozisht në debatin publik është krijimi i një Programi Strategjik të Zhvillimit të Preshevës 2030. Ky program nuk duhet të jetë i PVD-së. As i Ardita Sinanit dhe Ragmi Mustafës. As i opozitës. Duhet të jetë i Preshevës! Ai duhet të përfshijë pesë shtylla: 1.
INFRASTRUKTURA: Ujë, kanalizim, rrugë, ndriçim, energji, internet dhe transport. 2. ARSIMI: Shkolla, universitete, bursa, njohje diplomash, laboratorë dhe arsim profesional. 3. EKONOMIA: Zona industriale, diaspora, bujqësi, përpunim ushqimor, ndërmarrësi dhe investime të huaja. 4. KULTURA: Muzeu, shkolla e muzikës, trashëgimia kulturore, biblioteka dhe institucionet kulturore. 5.
DEMOGRAFIA: Program për kthimin e të rinjve, strehim, mbështetje për familjet dhe vende pune. Nëse një program i tillë do të ndërtohej me mbështetjen e Kosovës, Shqipërisë, diasporës, Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të tjerë, Presheva do të kishte për herë të parë një dokument zhvillimor që mund t’u paraqitej partnerëve ndërkombëtarë si projekt strategjik, jo si listë kërkesash.
Për publikun amerikan, Presheva duhet të prezantohet ndryshe. Jo vetëm si “çështje shqiptare”. Por si çështje e demokracisë, stabilitetit, të drejtave të minoriteteve, zhvillimit ekonomik dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Kjo është shumë më e kuptueshme për politikën amerikane. Prandaj Ardita Sinani duhet të ndërtojë një diplomaci të posaçme amerikane të Preshevës.
Jo vetëm takime, por dokumente, të dhëna, harta, statistika, projekte, raporte, lista të investimeve, indikatorë demografikë, analiza të tregut të punës, të dhëna për arsimin, të dhëna për pasivizimin e adresave, etj.
SUKSESET E ARDITA SINANIT Një analizë e drejtë duhet të njohë sukseset: Së pari – përfaqësimi politik: ajo ka arritur të ruajë një pozitë të rëndësishme të PVD-së në politikën lokale. Pastaj përfaqësimi i gruas: ajo ka krijuar një precedent të rëndësishëm për pjesëmarrjen e grave në politikën shqiptare lokale.
Rrjeti ndërinstitucional: ka krijuar kontakte të rëndësishme me Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe përfaqësues diplomatikë. Rasti i financimit prej 580 mijë eurosh për shkollën e muzikës dhe muzeun tregon se marrëdhëniet politike mund të prodhojnë edhe mbështetje konkrete.
Artikulimi i çështjes shqiptare – Sinani ka ngritur publikisht probleme si pasivizimi i adresave, diskriminimi institucional, arsimi dhe mungesa e investimeve. Hapja ndërkombëtare – takimi me ambasadoren e Norvegjisë dhe paraqitja e projekteve konkrete është shembull i një qasjeje që mund të zhvillohet më tej. Këto nuk janë pak. Por nuk janë as të mjaftueshme!
KU QËNDROJNË DOBËSITË E ARDITËS? Dobësitë duhet të formulohen me kujdes. Jo si sulm personal. Por si pyetje për performancën publike: 1. Hendeku ndërmjet politikës dhe investimit: Kjo është dobësia kryesore. Presheva ka nevojë për shumë më tepër investime kapitale sesa është parë deri më tani.
Mungesa e investimeve vërehet kudo: fasadat e disa objekteve shkollore janë në gjendje të mjerë, si p.sh. në Shkollën Fillore Qendrore “Profesor Ibrahim Kelmendi”, si dhe gjendja katastrofale brenda, që realisht paraqet rrezik për shëndetin e nxënësve dhe arsimtarëve, etj. 2.
Varësia nga projektet e jashtme: një pjesë e rëndësishme e zhvillimit mbështetet te Kosova, Shqipëria, diaspora dhe partnerët ndërkombëtarë. Kjo është e kuptueshme, por duhet të shoqërohet me rritje të kapacitetit fiskal lokal. 3. Menaxhimi financiar: debatet e vitit 2025 mbi kontratat dhe gjendjen financiare tregojnë se transparenca dhe menaxhimi duhet të forcohen. 4.
Komunikimi politik: kryetari duhet të komunikojë më shumë me rezultate sesa me deklarata. 5. Mungesa e një vizioni të madh zhvillimor: Presheva ka nevojë për një projekt 2030 ose 2035, jo vetëm për projekte të veçuara. 6. Rreziku i personalizimit: kur një kryetar shfaqet shumë shpesh si fytyra e çdo aktiviteti, ekziston rreziku që institucioni të identifikohet me individin.
Kjo duhet shmangur. Komuna duhet të jetë më e madhe se kryetarja. SUKSESI POLITIK NUK DUHET TË NGATËRROHET ME SUKSESIN QEVERISËS Kjo është ndoshta teza më e rëndësishme e gjithë analizës. Ardita Sinani mund të jetë politikisht e suksesshme dhe administrativisht vetëm pjesërisht e suksesshme. Këto dy gjëra nuk janë të njëjta. Ajo mund të ketë shumë takime dhe pak projekte.
Mund të ketë shumë kontakte dhe pak investime. Mund të ketë ndikim politik dhe kapacitet të kufizuar administrativ. Mund të jetë e fortë në diplomaci dhe më pak e fortë në menaxhim. Kjo nuk është kontradiktë. Është realiteti i shumë politikanëve modernë. Por pikërisht këtu duhet të bëhet kalimi: Nga politikane e kontaktit në kryetare të rezultateve.
Ky duhet të jetë kapitulli i ardhshëm i karrierës së Ardita Sinanit. PYETJET QË PRESHEVA REALISHT DUHET T’IA BËJË ARDITA SINANIT: Jo sa personalitete ke takuar? Por, sa projekte janë realizuar? Jo: sa herë ke shkuar në Prishtinë? Por sa investime kanë ardhur nga Prishtina? Jo sa herë ke qenë në Prishtinë dhe Tiranë? Por çfarë ka përfituar Presheva nga këto kontakte?
Jo sa ambasadorë kanë ardhur në Preshevë? Por cili projekt është financuar prej tyre? Jo sa fjalime ke mbajtur? Por sa të rinj kanë gjetur punë? Këto janë pyetjet e qytetarit të shekullit XXI. Kjo është sfida më e madhe. Presheva nuk rrezikohet vetëm nga mungesa e asfaltit. Rrezikohet nga zbrazja demografike. Nëse të rinjtë largohen, mund të kemi rrugë të mira në një qytet që po zbrazet.
Mund të kemi ndërtesa të bukura në një shoqëri që po plaket. Mund të kemi muze të bukur, por gjithnjë e më pak njerëz që ta vizitojnë. Prandaj çdo politikë duhet të ketë një pyetje: A po e bën këtë projekt Preshevën më të banueshme për të rinjtë? Nëse përgjigjja është po, projekti ka kuptim. Nëse jo, duhet rishikuar. Menaxhimi do të thotë që administrata funksionon.
Transformimi do të thotë se qyteti ndryshon. Kjo do të ishte trashëgimia politike që do ta tejkalonte një mandat. Nëse duhet të japim një vlerësim të përmbledhur të figurës politike të Ardita Sinanit, duhet të jemi të drejtë: Si politikane: aktive, e artikuluar dhe me kapacitet të mirë për komunikim politik.
Si kryetare e Degës së PVD-së në Preshevë: me një rol të konsoliduar dhe me ndikim të dukshëm në politikën lokale. Si përfaqësuese e çështjes shqiptare: aktive dhe e pranishme në diskursin publik. Si diplomate lokale: kjo është një prej pikave të saj më të forta. Si ndërtuese e rrjetit ndërkombëtar: ka bërë hapa të rëndësishëm.
Si menaxhere e zhvillimit komunal: bilanci është më kompleks dhe kërkon rezultate më të mëdha, më të matshme dhe më të dukshme. Në investime: ka projekte dhe iniciativa të rëndësishme, por hendeku ndërmjet nevojave të Preshevës dhe rezultateve të realizuara mbetet i madh. Në menaxhimin institucional: duhet më shumë transparencë, planifikim afatgjatë dhe matje publike të rezultateve.
Në aspektin njerëzor: ajo ka krijuar një profil të fortë publik, por duhet të tregojë se di të ndërtojë institucione që funksionojnë edhe përtej figurës së kryetares. Ky është standardi i një politikaneje moderne. Ardita Sinani ka arritur diçka që nuk është e vogël. Ajo është bërë një prej grave më të rëndësishme të politikës shqiptare në Luginën e Preshevës.
Ka qenë dhe aktualisht është kryetare e komunës dhe udhëheq Degën e PVD-së në Preshevë. Ka qenë këshilltare politike në Prishtinë. Ka krijuar kontakte me Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe diplomacinë ndërkombëtare. Ka artikuluar çështjet e shqiptarëve. Ka sjellë mbështetje për projekte. Ka hapur dyer.
Por tani duhet të bëjë diçka më të vështirë: Të tregojë se sa prej këtyre dyerve mund t’i kthejë në rrugë konkrete për zhvillimin e Preshevës? Sepse Presheva nuk mund të jetojë vetëm nga politika: Ajo duhet të jetojë nga zhvillimi. Nuk mund të jetojë vetëm nga takimet: duhet të jetojë nga investimet.
Nuk mund të jetojë vetëm nga deklaratat për të drejtat, duhet të ketë institucione funksionale. Nuk mund të mbështetet vetëm te diaspora. Duhet të krijojë ekonomi lokale. Nuk mund të presë vetëm nga Prishtina dhe Tirana. Duhet të krijojë kapacitet për të tërhequr Evropën dhe Amerikën. Dhe këtu është mundësia historike e Ardita Sinanit. Ajo tashmë ka ndërtuar një pjesë të kapitalit politik.
Tani duhet ta shndërrojë atë në kapital zhvillimor. Nëse arrin të sigurojë ujësjellësin, kanalizimin, infrastrukturën moderne, investimet private, zhvillimin e arsimit, funksionalizimin e muzeut dhe shkollës së muzikës, mbështetjen e të rinjve dhe krijimin e një klime të re ekonomike, atëherë historia do ta kujtojë jo vetëm si një grua që u bë kryetare e Preshevës, por si një politikane që ndryshoi Preshevën.
Nëse jo, atëherë rreziku është që bilanci i saj të mbetet më shumë në fushën e përfaqësimit dhe komunikimit politik sesa në atë të transformimit institucional e ekonomik. Ky është dallimi ndërmjet një karriere politike dhe një trashëgimie politike. MESAZHI PËR ARDITA SINANIN Ardita Sinani nuk ka nevojë për më shumë fotografi politike. Ajo ka nevojë për më shumë projekte të përfunduara.
Nuk ka nevojë vetëm për më shumë vizita. Ka nevojë për më shumë marrëveshje të zbatuara. Nuk ka nevojë vetëm për më shumë mbështetje politike. Ka nevojë për më shumë investime në Preshevë. Nuk ka nevojë vetëm për më shumë deklarata. Ka nevojë për më shumë rezultate të matshme. Dhe mbi të gjitha: Presheva nuk ka nevojë vetëm për një kryetare që e përfaqëson mirë.
Ka nevojë për një kryetare që e ndryshon mirë. Ky është testi i vërtetë. Dhe ky test nuk bëhet në Prishtinë. Nuk bëhet në Tiranë. Nuk bëhet në një ambasadë. Nuk bëhet në një konferencë.
Bëhet në Preshevë: në rrugët e saj, në shkollat e saj, në ndërmarrjet e saj, në ujësjellësin e saj, në buxhetin e saj, në punësimin e të rinjve, në kthimin e diasporës, në numrin e familjeve që vendosin të mos largohen. Sepse në fund të fundit, politikën e mirë nuk e dëshmon numri i vizitave që bën një kryetar, por numri i problemeve që arrin t’i zgjidhë.
Dhe ky duhet të jetë kapitulli i ardhshëm i Ardita Sinanit: Nga vizitat – te investimet. Nga kontaktet – te projektet. Nga projektet – te rezultatet. Nga përfaqësimi – te transformimi. Nga politika e ditës – te strategjia e zhvillimit. Nga Presheva që kërkon ndihmë – te Presheva që tërheq investime. Kjo do të ishte jo vetëm një sukses individual i Ardita Sinanit.
Do të ishte sukses i Preshevës, i Luginës së Preshevës dhe i shqiptarëve në këtë hapësirë strategjike të Ballkanit Perëndimor. Dhe pikërisht për këtë arsye, Ardita Sinani duhet ta shfrytëzojë dritaren politike që ka sot të hapur Lugina e Preshevës në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Evropë dhe në hapësirat euroatlantike.
Sepse koha e politikës së mbijetesës duhet të zëvendësohet me politikën e zhvillimit. Presheva nuk kërkon mëshirë – kërkon partneritet. Nuk kërkon vetëm vizita – kërkon investime. Nuk kërkon vetëm fjalë – kërkon rezultate.
Dhe ky është mesazhi më i rëndësishëm që duhet t’i përcjellë një kryetareje të Preshevës sot, por edhe gjithë klasës politike të Luginës: Mos e matni suksesin me sa larg keni udhëtuar për ta përfaqësuar Preshevën. Mateni me sa shumë keni sjellë në Preshevë.
Përfundim Ardita Sinani ka ndërtuar një profil të fortë përfaqësues dhe diplomatik, por përballë saj qëndron ende sfida e shndërrimit të këtij kapitali në zhvillim të qëndrueshëm komunal.
Dokumentet dhe raportimet publike tregojnë për prioritete konkrete në ujësjellës, kanalizim, infrastrukturë, arsim, kulturë dhe zhvillim ekonomik, si dhe për disa mbështetje të siguruara nga partnerë të jashtëm. Prandaj, bilanci i saj nuk duhet të jetë as një portret glorifikues dhe as një aktakuzë politike.
Duhet të jetë një vlerësim kritik i një politikaneje që ka ende kohë dhe mundësi për ta kthyer kapitalin e saj politik në një trashëgimi konkrete zhvillimore. Nëse e arrin këtë, Ardita Sinani nuk do të mbetet vetëm një kapitull në historinë politike të PVD-së dhe Komunës së Preshevës. Ajo mund të bëhet pjesë e historisë së transformimit të Luginës së Preshevës.
