Përshëndetja me tre gishta të ngritur, pra me gishtin e madh, gishtin tregues dhe gishtin e mesëm të dorës së djathtë, përbën sot një nga simbolet më të dallueshme të shovinizmit serb dhe një nga gjestet më të ngarkuara politikisht në hapësirën e Ballkanit, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për ta paraqitur atë vetëm si simbol fetar, ortodoks apo si një “përshëndetje tradicionale serbe”; në narrativën serbe pretendohet se tre gishtat kanë ekzistuar prej shumë kohësh dhe se lidhen me “Trininë e Shenjtë”, me mënyrën ortodokse të kryqëzimit, me betimin dhe me traditën historike serbe, ndërsa në disa interpretime të periudhës së Rilindjes Kombëtare Serbe tre gishtat janë lidhur edhe me idenë e shtrirjes së Serbisë në tri drejtime, në jug, në perëndim dhe në veri, duke e bërë këtë gjest jo thjesht një shenjë fetare, por edhe një simbol të ambicieve territoriale dhe të projektit politik serb.
Nga ana tjetër, kroatët kanë theksuar se gjesti me tre gishta nuk mund të pretendohet si shpikje ekskluzive serbe, pasi forma të ngjashme të ngritjes së tre gishtave janë dokumentuar edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore në ceremonitë e betimit të Rojeve të Brendshme Kroate dhe të strukturave të Shtetit të Pavarur të Kroacisë, përfshirë edhe ustashët, ndërsa përdorime të ngjashme janë dokumentuar edhe te formacione të tjera fashiste evropiane; për këtë arsye, ekziston një rivalitet i drejtpërdrejtë mbi prejardhjen dhe pronësinë simbolike të këtij gjesti, ku serbët pretendojnë se e kanë përdorur shumë kohë përpara Luftës së Dytë Botërore dhe se rrënjët e tij janë në traditën ortodokse dhe historinë serbe, ndërsa kroatët kundërshtojnë ekskluzivitetin serb duke nxjerrë në pah përdorimin e tij edhe nga strukturat fashiste kroate.
Megjithatë, pavarësisht këtij debati historik mbi prejardhjen, ajo që është e pakontestueshme është se në fund të shekullit XX, tre gishtat u shndërruan në një simbol politik të identifikueshëm me serbët, veçanërisht pas vitit 1991, kur Vuk Drašković dhe Lëvizja Serbe për Ripërtëritje e popullarizuan këtë gjest gjatë demonstratave të 9 marsit në Beograd dhe e shndërruan atë në një shenjë të fuqishme të mobilizimit politik serb; prej atëherë, sidomos gjatë luftërave të shpërbërjes së Jugosllavisë, tre gishtat u përhapën në mënyrë masive në mesin e strukturave politike, forcave të armatosura serbe, tifozëve dhe pjesëve të tjera të shoqërisë serbe, duke marrë një ngarkesë të fortë etnike, politike dhe territoriale dhe duke u bërë një shenjë dalluese e identitetit serb.
Për shqiptarët e Kosovës, boshnjakët dhe kroatët, ky gjest nuk mund të shkëputet nga konteksti i luftërave, i pretendimeve territoriale dhe i politikës shoviniste serbe të viteve 90-ta, sepse tre gishtat u shfaqën pikërisht në një periudhë kur politika dhe forcat e armatosura serbe po promovonin projekte territoriale që synonin zgjerimin e hapësirës së kontrolluar nga Serbia dhe mohimin e të drejtave kombëtare e politike të popujve të tjerë; prandaj, në kontekstin bashkëkohor, ngritja e tre gishtave nga shovinistët serbë nuk duhet të relativizohet duke u paraqitur automatikisht si një gjest fetar, sepse në përdorimin e saj politik ajo është bërë shenjë e identitetit serb dhe e një ideologjie që e sheh hapësirën përreth Serbisë përmes pretendimeve historike, etnike dhe territoriale.
Simbolika e tre gishtave, e lidhur në interpretimet shoviniste me shtrirjen e Serbisë në jug, në perëndim dhe në veri, përputhet me një mënyrë të të menduarit politik ku territori i popujve fqinjë trajtohet si hapësirë e pretenduar serbe dhe ku identitetet shqiptare, kroate, boshnjake dhe të popujve të tjerë të Ballkanit paraqiten si pengesë për realizimin e këtij projekti; në këtë kuptim, tre gishtat nuk janë më thjesht tre gishta të ngritur, por një shenjë politike që, në kontekstin e shovinizmit serb, mbart mesazhin e fuqisë, dominimit, përkatësisë etnike dhe pretendimit territorial.
Kjo është veçanërisht problematike dhe e pa pranueshmë kur përdoret në sport, ku sportistët dhe tifozët serbë e përdorin këtë gjest përpara ose gjatë ndeshjeve ndërkombëtare, sepse stadiumi nuk duhet të shndërrohet në skenë për propagandë shoviniste, pretendime territoriale apo demonstrime politike ndaj popujve të tjerë.
Në realitetin politik të sotëm ballkanik, tre gishtat janë shndërruar në një simbol të fuqishëm të shovinizmit serb dhe duhet të analizohen jo vetëm përmes pretendimeve serbe mbi prejardhjen e tyre, por përmes kuptimit që kanë marrë nga përdorimi politik, ushtarak dhe shovinist gjatë dekadave të fundit; pra, edhe nëse serbët pretendojnë se tre gishtat janë simbol i lashtë ortodoks dhe se i kanë përdorur shumë kohë përpara viteve 90-ta, ndërsa kroatët pretendojnë se një gjest i tillë është përdorur edhe nga ustashët dhe strukturat fashiste kroate, ajo që ka rëndësi për kuptimin aktual është se tre gishtat janë bërë simboli më karakteristik i identitetit serb dhe, në përdorimin e tyre politik, një nga shenjat më të dallueshme të shovinizmit serb, veçanërisht kur lidhen me idenë e shtrirjes së Serbisë në tri drejtime dhe me pretendimin se territoret dhe popujt përreth duhet t’i nënshtrohen një projekti të tillë politik.
Prandaj, debati nuk duhet të kufizohet te pyetja se kush i ka ngritur i pari tre gishtat, por duhet të trajtojë atë që ky gjest përfaqëson në përdorimin e tij politik bashkëkohor dhe se si një simbol i paraqitur si fetar është shndërruar në një nga shenjat më të fuqishme të shovinizmit serb në Ballkan.
