Ekskluzive | Mbi një kilogram marihuanë në vilat e Brezovicës –

0%

Një informacion për substancë të dyshuar narkotike në një vilë të pabanuar në Brezovicë ka çuar Policinë te një sasi dukshëm më e madhe droge dhe në arrestimin e një 27-vjeçari, mëson Sinjali. Rasti është zbuluar më 19 gusht, pasi Stacioni Policor në Shtërpcë kishte pranuar një ankesë se në një vilë ishte hasur substancë që dyshohej të ishte marihuanë.

Njësitet policore kanë dalë në lokacion dhe aty kanë hasur Noris Berishën rreth 27-vjeçar . Gjatë kontrollit të tij, sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, është gjetur substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, si dhe dy peshore digjitale, të vendosura në një çantë të zezë. Dyshimet e krijuara kanë bërë që kontrolli të zgjerohet edhe në një vilë të një familjari të tij.

Edhe aty Policia ka hasur në substancë të dyshuar narkotike të shpërndarë në tokë. Në rast është përfshirë më pas DHTN-ja në Ferizaj, ndërsa gjatë veprimeve policore janë sekuestruar disa sasi të ndara të marihuanës: 41.2 gramë, 12.7 gramë, 430.9 gramë, 505.3 gramë dhe 72.9 gramë. Në total, sipas të dhënave të rastit, janë konfiskuar 1 kilogram e 63 gramë substancë e dyshuar marihuanë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Përveç narkotikëve, si prova materiale janë sekuestruar dy peshore digjitale, një çantë krahu e zezë, një thikë metalike dhe një telefon Samsung A30. Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, i cili ka autorizuar intervistimin e të dyshuarit.

Pas përfundimit të procedurave fillestare, ndaj Berishës është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh. Rasti po hetohet nën dyshimin për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com