Raketat balistike ruse vrasin 12 persona në Kiev

0%

Raketat balistike ruse kanë vrarë 12 persona dhe kanë plagosur më shumë se 30 të tjerë në Kiev herët të enjten (), duke dëmtuar ndërtesa dhe duke ndërprerë furnizimin me energji elektrike në disa pjesë të kryeqytetit ukrainas, ka raportuar Reuters , duke iu referuar autoriteteve ukrainase.

Një zjarr shpërtheu dhe katet e sipërme të një blloku nëntëkatësh të banimit u shkatërruan në lagjen Solomianskyi, ku u vranë shtatë persona, ka njoftuar kryetari i qytetit, Vitali Klitschko, duke bërë thirrje që e premtja të shpallet ditë zie. Dy lagje të tjera gjithashtu pësuan dëme, ka treguar Klitschko në aplikacionin e mesazheve Telegram.

Janë goditur objekte jo-rezidenciale, depo, një shkollë dhe një spital për fëmijë. Kompania e energjisë DTEK ka njoftuar se ka rikthyer furnizimin me energji elektrike në më shumë se gjysmën e rreth 90 mijë shtëpive e banesave pa energji elektrike në kryeqytet pas sulmit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Rusia ka shtuar muajve të fundit sulmet ajrore ndaj Ukrainës, duke u përpjekur të shfrytëzojë mungesën kritike të interceptorëve të fqinjit të saj më të vogël për t’i rrëzuar raketat balistike.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka deklaruar se Moska ka sulmuar Kievin dhe rajonin përreth me sulme ajrore dhe dronë, duke goditur objekte që prodhojnë pjesë për dronë, një depo ushtarake dhe një qendër logjistike, si dhe objektiva të tjera. Një dëshmitar i Reutersit ka raportuar se kishte dëgjuar më shumë se një seri shpërthimesh.

Në rajonin përreth kryeqytetit ukrainas, një person tjetër u vra, ka njoftuar një zyrtar në Telegram. Shërbimi i emergjencës i Ukrainës ka shfaqur video të ushtarakëve që luftonin me një zjarr në një ndërtesë dhe ndihmonin njerëzit të largoheshin nga objektet e shkatërruara gjatë natës në Kiev.

Ukraina gjithashtu ka rritur sulmet e saj ndaj Rusisë, duke synuar objektet e naftës dhe infrastrukturën logjistike në përpjekje për ta minuar aftësinë e Moskës për ta zhvilluar luftën. Përpjekjet diplomatike kanë dështuar deri më tani për të arritur armëpushim të qëndrueshëm në luftë, e cila filloi me pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022.

Një dron u rrëzua në Rumani, anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Europian, gjatë sulmit rus ndaj Ukrainës, ka njoftuar të enjten Ministria rumune e Mbrojtjes. Një dron gjithashtu ka kaluar hapësirën ajrore të Moldavisë, ka njoftuar ushtria moldave. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

Burimi: Kallxo