Sinjali ka mësuar identitetin e 27-vjeçarit të arrestuar pas një aksioni policor në Brezovicë, ku u sekuestrua mbi një kilogram substancë e dyshuar marihuanë, bashkë me pajisje të tjera që tashmë janë pjesë e hetimeve. I dyshuari është Noris Berisha rreth 27 vjeç, ndaj të cilit Prokuroria ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh.
Rasti nisi më 19 gusht, kur Policia në Shtërpcë pranoi informacion se në një vilë të pabanuar në Brezovicë ishte gjetur substancë e dyshuar narkotike. Kur njësitet policore mbërritën në vilën në fjalë, aty hasën Berishën. Gjatë kontrollit u gjet substancë e dyshuar marihuanë, si dhe dy peshore digjitale në një çantë të zezë.
Dyshimet bënë që operacioni të zgjerohej edhe në një vilë të një familjari të tij, ku u gjet një sasi tjetër e substancës së dyshuar narkotike. Ekskluzive | Mbi një kilogram marihuanë në vilat e Brezovicës – Policia kap 27-vjeçarin, sekuestrohen edhe peshore digjitale Në rast u angazhua edhe DHTN-ja në Ferizaj.
Pas përfundimit të kontrolleve, sasia totale e sekuestruar e substancës së dyshuar marihuanë rezultoi 1 kilogram e 63 gramë. Policia sekuestroi gjithashtu dy peshore digjitale, një çantë krahu, një thikë metalike dhe një telefon Samsung A30.
Me autorizim të Prokurorit kujdestar të Departamentit të Krimeve të Rënda, Berisha është intervistuar dhe më pas ndaj tij është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh. Rasti po hetohet nën dyshimin për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
